HomeSocialeNë Zagor të Malsisë Së Madhe lind një hajdut!

Në Zagor të Malsisë Së Madhe lind një hajdut!

Mirëmbrëma Shokë, Miq e Dashamirë!

Nga Luigj Markvukaj:

Një ngjarje e turpshme, e neveritshme dhe e papranueshme ka ndodhur dje në fshatin Zogor të Malësisë së Madhe. Disa hajdutë pa shpirt, pa moral, pa nder e pa gjak shqiptari kanë guxuar të vjedhin shtëpinë e djalit të ndjerë Isa Metës. Ky është një akt i poshtër, një njollë e zezë mbi fytyrën e një vendi që gjithmonë është krenuar për burrërinë, besën dhe nderin.

Isa Meta nuk ishte njeri dosido. Ai ishte burrë i Zogorës, i Malësisë, një elektriçist i thjeshtë që gjithë jetën ia kushtoi shërbimit për të tjerët. Ai ka ndezur dritën në shumë shtëpi, ka sjellë dritë e jetë në çdo vatër zogorjane. Nga dora e tij nuk ka dalë kurrë e keqe, nga goja e tij nuk është dëgjuar kurrë fjalë e hidhur. Isa Meta ishte burrë me vlera, një malësor që e mbajti mbi supe peshën e jetës me djersë dhe mund, duke rritur dy fëmijë me sakrificë, ashtu siç na kanë rritur prindërit tanë dikur.

Djali i tij, Saimir Mehmetaj, është rritur në këtë fshat. Ai është një djalë i edukuar, i qetë, i veçantë, për të cilin asnjë zogorjan nuk mund të thotë një fjalë të keqe. Si çdo i ri i kësaj treve, edhe ai u detyrua të marrë rrugët e emigracionit, duke punuar e sakrifikuar në dhe të huaj, vetëm e vetëm që të ndërtojë një jetë më të mirë dhe të investojë në vendlindjen e tij. Shtëpia që u grabit dje nuk është thjesht një ndërtesë; ajo është simbol i djersës, mundit, gjakut e sakrificës së një familjeje të ndershme.

Por çfarë ndodhi? Dje, disa mizerabël, disa krijesa pa shpirt, guxuan të hyjnë në atë shtëpi dhe ta shkatërrojnë nderin e një dere. Ata që vjedhin djersën e njerëzve, ata që prekin pronën e një familjeje të ndershme, nuk janë thjesht hajdutë – ata janë tradhtarë të besës, armiq të vendit të vet, turpi i Malësisë së Madhe.

Unë u bëj thirrje të gjithë zogorjanëve: mos e lini këtë krim të kalojë në heshtje! Sot i vodhën shtëpinë djalit të Isa Metës, nesër mund të jetë shtëpia e kujtdo prej jush. Sot preken mundi e djersa e një familjeje, nesër mund të preket e juaja. Nëse heshtim, atëherë bëhemi bashkëfajtorë.

U bëj thirrje autoriteteve të Malësisë së Madhe: zgjohuni nga gjumi, mos mbyllni sytë para këtij krimi të shëmtuar. Gjeni e nxirrni para drejtësisë këta hajdutë mizorë që përbaltin emrin e Malësisë. Nuk mund të lejojmë që krimi të bëhet ligj, nuk mund të pranojmë që hajduti të shëtisë i lirë e pronari të rrijë i grabitur.

Malësia e Madhe është tokë e besës, tokë e burrave që kanë derdhur gjak për nder e për atdhe. Nuk mund të lejojmë që disa të degjeneruar të poshtërojnë këtë tokë e këtë emër. Zogora nuk duhet të bëhet streha e hajdutit, por vendi ku hajduti ndëshkohet, ku djersa e ndershme ruhet, ku prona mbrohet.

Ky nuk është thjesht një apel, por një kushtrim! Le të jemi të bashkuar për të mbrojtur fshatin tonë, për të mbrojtur njëri-tjetrin, për të mbrojtur dinjitetin e Malësisë së Madhe. Hajduti nuk ka vend mes nesh, hajduti duhet turpëruar, ndëshkuar dhe përjashtuar.

Shtëpia e djalit të Isa Metës sot është zëri që na thërret të gjithëve: mos heshtni, mos u dorëzoni, mos pranoni poshtërimin!

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat