A është kthyer bota në një vrasëse të heshtur?
Aktualisht po gëlojnë lajmet mbi situatën kaotike dhe antinjerëzore në Gaza, mediat po publikojnë një panoramë të tmerrshme të asaj që po ndodh me popullin e izoluar palestinez, i cili është në një gjendje alarmante zie e urie, në grahma mbijetese. Ndërkohë që deri më tani reagimi ka qenë tepër i vakët e i pamjaftueshëm dhe tregon qartë se sa trushpërlarë janë një pjesë e mirë e shoqërisë njerëzore nga propaganda, dhe nuk e kuptojnë që situata në Gaza dhe Palestinë është tanimë shumë larg e përtej çështjeve politike. Bëhet fjalë për rrafshin njerëzorë, për kushtet e mbijetesës, për të mbajtur frymën gjallë, sepse Gaza është kthyer në një kamp gjigand përqëndrimi, i izoluar totalisht për të gjithë ata që duan të ndihmojnë. Nuk bëhet më fjalë për luftë territoriale, për kufinjë, për pretendime gjeo-politike, për superioritet gjeo-strategjik, apo për dominancë racash. Bëhet fjalë për gra, fëmijë, burra,të moshuar, njerëz me aftësi të kufizuara, të sëmurë, të porsalindur që duhet çdo ditë të ruhen nga sulmet e njëkohësisht të mbijetojnë me thërrime sepse nuk ka ujë, ushqim, ilaçe, nuk ka as higjenë,as kushte optimale jetese. Do të doja t’i pyesja të gjithë ata që e justifikojnë genocidin e Izraelit me pretendime politike se çfarë di një foshnje e porsalindur, apo një fëmijë i mitur për luftën, për politikën, për armiqësinë, për terrorizmin, për Hamasin, për leshin e preshin? Përgjigja është asgjë. Pikë. Absolutisht asgjë. Dhe të gjitha ata fëmijë, gra, të moshuar, të sëmurë po paguajnë me jetën e tyre koston për çështje që as nuk i kuptojnë. Në një rast të tillë heshtja është krim, a duhet të dënohemi të gjithë për moskallzim krimi? A duhet të ndëshkohemi të gjithë për heshtjen ndaj një shfarosje njerëzore me një bilancë që nuk e ka parë historia që nga Lufta e Dytë Botërore? Të vrasësh me uri, me neglizhencë, me mospërfillje, të vrasësh me heshtje është njësoj si të vrasësh me paramendim, njësoj si të vrasësh me logjikën e një vrasësi gjakftohtë e mizor. Propaganda mediatike funksiononte dikur, kur u destabilizua e gjithë Lindja e Mesme, në emër të “demokracisë dhe të të Drejtave të Njeriut”. Por efekti i globalizmit dhe zhvillimi teknologjik i ka sjellë popujt shumë pranë me njëri-tjetrin, dhe për rrjedhojë sot jemi të gjithë dëshmitarë të masakrës që po ndodh në Gaza. Sot e shohim dhe e dëshmojmë qartë dhimbjen dhe dëshpërimin e një populli, në vend të të cilit mund të jetë secili nga ne. Në çdo çast, për interesa të caktuara kushdo nga popujt mund të bëhet pre e oreksit të sëmurë të demonëve që drejtojnë botën.
Sadik Sallaku




