23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeNe dhe vehtja!

Ne dhe vehtja!

Lexova një shprehje diku që thoshte “Do të doja të isha ti, që të njihja dikë si unë”- Një shprehje që në pamje të parë ka si qëllim “vetëvlerësimin” dhe tregon që ne në vetëdijen tonë jemi njerëz “të mirë”, por “të pavlerësuar” mjaftueshëm nga të tjerët. Ama sa të mirë jemi ne në të vërtetë? Arrijmë ne vallë ta kuptojmë veten tonë? A ia njohim ne vetes të gjitha dritëhijet? A është pjesa jonë “e mirë” mjaftueshëm për të justifikuar superlativat që mund të kemi për vetveten? Sa herë jemi ulur ne në ndonjë intervistë përballë personalitetit tonë? A kemi patur kurajon ne ti bëjmë vetes pyetje të cilat mund ta gërvishtin egon tonë? Shpesh herë jo, ndoshta rrallë herë, ndoshta kur jemi ndjerë të dobët, por shumicën e kohës opinioni për veten na pengon të reflektojmë rreth asaj që jemi, e akoma më shumë rreth asaj që duhet të jemi. Dhe ky proces duhet të realizohet pa e dëmtuar veten, sepse kërkon një përgatitje shumë të mirë që të ruash drejtpeshimin midis mbivlerësimit dhe nënvlerësimit të vetvetes. Duhet mjeshtëri për të mos e këputur atë fijen e hollë që shërben si vijë kufitare midis vlerësimit për veten dhe të egos së sëmurë. Sepse nëse sëmuhet egoja, ajo infekton çdo virtyt tonin, duke e veshur me një shtresë pabesie dhe dyshimi çdo veprim që bëjmë përkundrejt të tjerëve. Prandaj, jo në çdo rast ne duhet të mendojmë se çdokush që takohet me ne është i begatuar. Mbase dikush shkel pragun e jetës sonë për të na shëruar nga vetvetja. Dhe sërish më vijnë ndërmend disa vargje të tjera ”Sikur të takoheshim me vetveten sy me sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Sadik Sallaku

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat