Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Sovranizëm apo Euroatlantizëm?

todayJuly 2, 2026 3

Background
share close

Dilema e rreme që po i kushton Shqipërisë!

Ka ardhur koha të ndalojmë së mashtruari veten.
Prej më shumë se tri dekadash dëgjojmë të njëjtat slogane : integrim, partneritet, reforma, zhvillim. Por sa herë është ulur politika shqiptare të hartojë një projekt kombëtar që nuk mbaron me mandatin e radhës?
Sa herë është folur seriozisht për interesin kombëtar si boshti i çdo vendimi shtetëror?
Pyetja nuk është nëse jemi me Perëndimin apo jo. Kjo është një çështje e qartë. Pyetja është tjetër! A ka Shqipëria një strategji kombëtare zhvillimi?
Një strategji që të mbrojë tokën shqiptare, pasuritë natyrore, bregdetin, ujin, energjinë, trashëgiminë historike, ekonominë, bujqësinë, arsimin dhe, mbi të gjitha, dinjitetin e shtetit shqiptar? Nëse nuk e kemi, atëherë për çfarë sovraniteti flasim?
Sovraniteti nuk është flamuri që valëvitet në ceremoni. Nuk është as një fjalë e bukur në Kushtetutë. Sovraniteti është aftësia e një shteti për të thënë : këto janë interesat e mia kombëtare dhe nuk negociohen!
Një shtet sovran nuk shet të ardhmen për përfitime afatshkurtra. Nuk trajton pasuritë strategjike si mall tregu dhe nuk lejon që vendimet për të ardhmen të diktohen nga ciklet zgjedhore apo nga interesat e ngushta politike.
Nga ana tjetër, edhe euroatlantizmi nuk mund të reduktohet në një formulë që zëvendëson mendimin strategjik. Aleancat janë të domosdoshme. Partneritetet janë vlerë. Por asnjë aleancë nuk të zëvendëson përgjegjësinë për të ndërtuar shtetin tënd.
Aleatët respektojnë më shumë një shtet që ka identitet, vizion dhe institucione të forta, sesa një shtet që pret gjithmonë t’i tregojnë rrugën.
Prandaj dilema “sovranizëm apo euroatlantizëm” është një debat i gabuar.
Një Shqipëri e fortë nuk ka pse të zgjedhë mes tyre. Ajo duhet të jetë një Shqipëri sovrane në vendimmarrje dhe një aleate serioze në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Këto nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën.
Ajo që mungon është një doktrinë kombëtare. Një marrëveshje mes shqiptarëve për atë që nuk ndryshon me rotacionet politike : mbrojtja e interesit kombëtar. Sepse interesi kombëtar nuk është i majtë apo i djathtë. Nuk është i qeverisë dhe as i opozitës. Është i Shqipërisë.
Një vend që nuk mbron asetet e veta historike, ekonomike dhe njerëzore, nuk është duke ndërtuar zhvillim; është duke konsumuar trashëgiminë e brezave. Një vend që nuk planifikon pesëdhjetë vitet e ardhshme, do të jetojë gjithmonë me urgjencat e pesëdhjetë ditëve të ardhshme.
Historia nuk i fal popujt që nuk dinë të mbrojnë atë që kanë. As gjeografia nuk mbron ata që nuk dinë të mbrojnë vetveten.
Prandaj debati i kohës sonë nuk është “sovranizëm apo euroatlantizëm”. Debati i vërtetë është shumë më i thjeshtë dhe shumë më i rëndë : A do të kemi më në fund një shtet që mendon si shtet dhe vepron për kombin, apo do të vazhdojmë të jetojmë nga një mandat në tjetrin, pa një busull kombëtare?
Sepse kombet nuk ndërtohen me slogane. Ndërtohen me vizion. Me institucione. Me përgjegjësi. Dhe me guximin për të vendosur Shqipërinë mbi çdo interes të përkohshëm politik.
Aleancat janë zgjedhje strategjike. Interesi kombëtar është detyrim historik. Një shtet i mençur nuk i ngatërron kurrë këto dy gjëra.
Kur një komb ka një busull të qartë, aleancat e forcojnë. Kur nuk e ka, asnjë aleancë nuk e zëvendëson atë!

Agim Picaku.
Akademia Diplomatike Shqiptare
(Mardhënie Ndërkombëtare – Diplomaci)

Written by: WindowRadio.de

Rate it