Adriatik Lapaj, lideri vizionar i “Shqipëria Bëhet”, lëvizjes që, pas një fushate plot bujë, bëri historinë duke nxjerrë… një mandat të vetëm në Parlament, ka vënë një vijë ndarëse mes vetes dhe problemeve të vogla të jetës së përditshme të qytetarit.
Ai deklaroi prerë se nuk ka ndërmend të ulet aq “poshtë” sa të mendojë për Bashkinë e Tiranës. “Bashkia nuk është formati im, jam për më shumë se kaq,” tha Lapaj, duke e bërë të qartë se infrastruktura, taksat, plehrat dhe çerdhet janë thjesht lodra fëmijësh për një mendje të madhe të zotuar për “transformimin juridik të kombit.”
Dhe si të mos jetë për më shumë? Ky është i njëjti Lapaj që, para zgjedhjeve, betohej me dorën në zemër se: “Me një mandat në Parlament nuk hyj unë, nuk po hyj për një copë deputet.”
Por sot, vizioni i tij sublim realizohet pikërisht nga… një copë deputete. Dhe jo cilado, por kushërira e tij, Ana Dajko, e cila e mori atë vend pas një beteje juridike dhe familjare me ish-aleatin e dikurshëm, Endri Shabanin. Pra, Bashkia qenka e vogël, por një karrige e vetme, e zënë nga një anëtare e familjes, është pikërisht “formati” i duhur për të nisur atë “Transformimin e Madh Juridik” që s’e ka parë Shqipëria.
Kur u pyet për Shabanin, Lapaj e nxori nga kutia retorikën e tij të preferuar: “Tradhtarët në rastin më të mirë çohen në ekzil.”
Dhe për t’u siguruar që kjo histori të mos thyhej: mandati nuk iu dha “tradhtarit” Shabani, por mbeti brenda fisit, larg rrezikut të mosrespektimit. Sipas shpjegimit të Lapajt, deputetja Dajko nuk e deshi mandatin, por e mori atë për hir të kombit dhe për të mos ia dhënë “armikut.”
Ky nuk është thjesht një manovër; është një akt i lartë i “patriotizmit fisnor”.
Me një bashki që nuk përbën nivelin e duhur, Lapaj duket se e ka zhvendosur betejën në Kuvend, ku me një mandat të vetëm, por strategjikisht familjar, do të udhëheqë transformimin e thellë të Shqipërisë. Aty ku të tjerët shohin vetëm një karrige, Lapaj sheh platformën e revolucionit.
Le t’i lëmë, pra, ‘hallet e vogla’ të qytetarëve, ato janë për njerëzit e thjeshtë. Lapaj është për më shumë se kaq. Për një vizion që nis me një ‘copë deputeteje’ dhe përfundon në një transformim historik.




