Amerika dhe Serbia mund të fillojnë një dialog strategjik?!
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Departamenti i Shtetit ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se Rubio dhe Vuçiq diskutuan për thellimin e partneritetit ndërmjet SHBA dhe Serbisë, “përfshirë nisjen e një dialogu strategjik dypalësh, i cili pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt.”
Në takim ëshët biseduar edhe për pjesëmarrjen e Amerikës në EXPO 2027, që është një prej projekteve më të rëndësishme të Serbisë për vitin e ardhshëm.
Ndërsa Vuçiqi “ka falënderuar SHBA-në për kontributin në garantimin e sigurisë së popullit serb në Kosovë”.
Vuçiqi e ka cilësuar këtë takim si “shumë të rëndësishëm dhe domethënës, ku është biseduar për ekonomi, tregti dhe çështjet e sigurisë.”
“Diskutuam për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, trajtimin e tarifave amerikane, mundësinë e investimeve të reja, si dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe teknologjisë. Po ashtu, shqyrtuam perspektivat që ofron mekanizmi i dialogut tonë strategjik”, thotë Vuçiq.
Sipas tij, “Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon dhe është mirënjohëse për rolin e SHBA në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë”. Ai në veçanti përmendi praninë amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
“Në të njëjtën kohë, e vlerësojmë mbështetjen e SHBA-së në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që është një ndër objektivat strategjikë të Serbisë”, tha Vuçiq i cili shpreson forcimin e raporteve me Amerikën në të gjitha fushat e ekonomisë dhe sigurisë.




