Redaksia, WINDOW.Al:
(13 gusht 2025)
Në një vend normal, ku dinjiteti i qytetarit është mbi interesat e një klike pushtetesh, një kryeministër do të kishte lënë menjëherë pushimet dhe do të kishte shkuar në terren. Do të ishte parë duke drejtuar operacionet, duke koordinuar ndihmat, duke kërkuar avionë e helikopterë nga çdo vend mik, duke i mobilizuar të gjitha forcat e ushtrisë, policisë dhe emergjencave.
Por kjo nuk është Shqipëri normale. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës – një vend ku tragjedia kthehet në spektakël politik dhe ku pushteti e sheh popullin si pronë private, jo si sovran.
Sot, më 13 gusht 2025, ndërsa dhjetëra vatra të mëdha zjarri po përpijnë qindra hektarë pyje, ullishte, vreshta, bagëti dhe shtëpi, kryehorri nga zyra del dhe thotë me buzëqeshjen e tij të shpifur:
“Jemi vend i varfër, nuk kemi para të blejmë avionë për fikjen e zjarreve.”
E për ta “forcuar” këtë argument absurd, shton:
“Edhe fqinjët tanë që i kanë këto mjete po digjen njësoj.”
Kjo nuk është thjesht arrogancë. Kjo është fyerje inteligjence, përqeshje ndaj qytetarëve, cinizëm i pastër. Është logjika e një pushteti që nuk e ka aspak problem shkatërrimin e vendit, për sa kohë pushteti i vet mbetet i paprekur. Është sikur një prind t’i thotë fëmijës së vet që vuan nga uria: “Mos u mërzit, edhe fëmijët e fqinjit po vuajnë.”
Por ky “prind” nuk është i pafuqishëm. Ky “prind” ka lënë frigoriferin plot, por e mban çelësin për vete, sepse prioritet ka darkën luksoze të tij, jo jetën e të tjerëve.
Hipokrizia e “varfërisë”
Çfarë varfërie është kjo ku qeveria gjen 190 milionë dollarë për të ndërtuar një pistë garash Formula 1, por nuk gjen 14 milionë për dy avionë që mund të shpëtonin jetë njerëzish e qindra mijëra hektarë pyje?
Çfarë varfërie është kjo ku gjen miliarda për fasada betoni në Tiranë, për stadiume luksoze, për koncesione të dyshimta dhe tendera pa garë, por nuk ka para për mjetet më bazike të mbrojtjes civile?
Ky nuk është vend i varfër – ky është vend i grabitur. Është vend ku paratë ekzistojnë, por nuk përdoren për popullin, përdoren për lukset dhe xhepat e pushtetarëve.
Historia që përsëritet çdo verë
Në 12 vitet e fundit, çdo verë Shqipëria është djegur. Nga Tropoja në Sarandë, nga Kukësi në Vlorë, flakët janë bërë pjesë e peizazhit veror. Dhe çdo verë, skenari është i njëjtë: emergjencat civile të papërgatitura, zjarrfikësit pa mjete, pa ujë, pa helmeta, pa karburant; vullnetarë që rrezikojnë jetën me lopata e degë pemësh; dhe qeveria që flet për “bashkëpunim rajonal” ndërsa pret që flakët të shuhen vetë.
Po pse nuk ndryshon asgjë? Sepse zjarret nuk janë thjesht fatkeqësi natyrore – ato shpesh janë pasojë e shkatërrimit të qëllimshëm. Pas shumë zjarresh fshihen interesa për ndërtim, për pastrim pronash, për hapje rrugësh të reja, për zhvendosje të popullsisë. Dhe një qeveri që nuk heton, në fakt është bashkëpunëtore.
Bastionet që digjen
Dhe nuk është e rastësishme që disa nga zonat më të prekura këtë vit janë pikërisht ato ku Rama dhe banda e tij marrin vota me përqindje absurde: Vlora, Delvina, Tepelena, Gramshi, Poliçani. Për 12 vite këto zona i kanë dhënë pushtet absolut një njeriu që sot i shikon duke u shkrumbuar dhe nuk bën asgjë.
E them pa mëdyshje: ky është çmimi i verbërisë politike. Nuk mund të presësh mbrojtje nga ai që të ka shitur tek interesat e veta personale. Nuk mund të presësh shpëtim nga ai që për 12 vite të ka përdorur si numër në kuti votimi.
Populli dele
Në këto ditë zjarri, shumë prej atyre që i dhanë pushtet këtij regjimi po luten: “O Zot, na ndihmo!” Por si mund t’ju ndihmojë Zoti, kur për 12 vite i keni shërbyer djallit politik në tokë? Si mund të prisni mrekulli nga qielli, kur në tokë keni vulosur vetë fatin tuaj?
E vërteta është e hidhur: ky është popull dele, pa tru, qorr e shurdh, memec e i frikësuar, servil dhe i nënshtruar, i gatshëm të shesë të ardhmen për një thes miell apo një vend pune të përkohshëm. Dhe sot, ky popull po shikon se si zjarri përpin gjithçka, ndërsa “udhëheqësi” i tyre pi kafe buzë detit.
Tragjedia e pafajshmëve
Por më e rënda është se bashkë me ata që e meritojnë këtë fat, po digjen edhe ata që nuk kanë pasur asnjë dorë në këtë krim të madh kolektiv: fëmijë të pafajshëm, të moshuar që nuk kanë votuar kurrë, kafshë që nuk dinë ç’është politika, ullinj e agrume që nuk bëjnë pazare me pushtetin. Ata po paguajnë çmimin e verbërisë së të tjerëve.
Ky është turpi më i madh: një vend që nuk është në gjendje të mbrojë as jetën e pafajshmëve, sepse ata që e drejtojnë janë më të interesuar për garat e makinave sesa për garën kundër zjarrit.
Shqipëria sot nuk po digjet vetëm nga flakët. Po digjet nga korrupsioni, nga arroganca, nga tradhtia e atyre që kanë detyrimin ta mbrojnë. Po digjet nga heshtja e shumicës, nga frika, nga indiferenca. Dhe kur këto tre gjëra bashkohen – korrupsioni, tradhtia dhe heshtja – as Zoti nuk të shpëton dot.




