23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeRoni na fal!

Roni na fal!

“Vrapo Roni”

Vrapo Roni, ik nga sytë këmbët shoku, sepse notat e tua 10-ta nuk do të të shpëtojnë dot. Ik Roni, se sytë e tu me lot nuk e lajnë dot llumin që sot të bëri pis, duke të goditur me grusha e shuplaka. Mu dhimbse djalosh, vërtetë, edhe shumë shqiptarëve të tjerë iu dhimbse, por ta dish që do t’i kapërdijmë edhe lotët e tu, edhe zërin tënd të mekur, edhe shenjat dhunës mbi fytyrën tënde, edhe rrëfimin tënd emocional, edhe pamjet filmike, do ti kapërdijmë të gjitha sepse ne i tillë popull paskemi qenë, një popull me memorie afatshkurtër që vetëm harron e duke harruar pranon gjithçka. Nuk do të të shpëtojnë 10-tat në shkollë e as sjellja jote shembullore, as mua nuk më shpëtuan, as shumë të tjerë si ti e si unë, sepse mesa duket të jesh njeri e mbi të gjitha njeri i kulturës, i dijes, i edukatës, i normave, i parimeve në këtë vend është dobësi e marrëzi. Sepse në këtë vend policët e pijnë kafen e mëngjesit me kriminelët dhe zgjidhja në çdo rast është dhuna, madje edhe drejtësinë ne e vëmë në vend me dhunë, nuk dijmë ndryshe, nuk njohim ndryshe. Prandaj vrapo Roni, ik, bëj valixhet edhe shpëto, sepse në këtë vend që të bësh sukses e progres duhet të flasësh gjuhën e vandalizmit e të frikës, duhet të kthehesh në kontigjent kriminal. Ik djalosh sepse mirësjellja jote nuk do të të hyjë në punë për asgjë, sepse në këtë vend dyert e arritjeve e të karrierës hapen me çelës kopil gjithmonë, prandaj jepu këmbëve, lëri që t’ua shërbejnë kafen emigrantët e huaj e të paligjshëm që po mësyjnë në Shqipëri. Ata nuk të meritojnë ty, sepse po të përzënë me grushta e shuplaka. Ata duan të kryejnë një vetëvrasje kolektive, ndaj kanë ndezur mekanizmin e vetëshkatërrimit të këtij vendi, e kur anija e qeverisë që ka hapur velat drejt Evropës të mbërrijë në destinacion, në bordin e saj do kenë mbetur vetëm barbarët, sepse ti Roni dhe të gjithë ata si ti do kenë ikur, jo me dëshirë por me forcë. Ik Roni, sepse ëndrrat e tua nuk mund të rriten e të zhvillohen në një mjedis të toksifikuar, ndaj shko e kultivojë ato diku tjetër. Fshij lotët dhe nisu.

Sadik Sallaku

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat