Shërbimet sekrete: Rusia po përdor armë kimike!
Rusia po përdor gjithnjë e më shpesh gazëra kimike në Ukrainë, që është e ndaluar, thuhet në një raport të shërbimit sekret gjerman BND dhe dy shërbimeve holandeze.
Sipas raportit, Rusia po përdor kloropikrinën, përveç gazit lotsjellës dhe armëve të tjera kimike, në luftën e Ukrainës, e cila mund të jetë vdekjeprurëse në përqendrime të larta në hapësira të mbyllura.
Ky gaz u përdor edhe në Luftën e Parë Botërore nën emrin Kryqi i Gjelbër-1.
“Përdorimi i gazit lotsjellës dhe kloropikrinës nga trupat ruse tani është bërë praktikë standarde dhe e përhapur gjerësisht”, njoftuan së bashku BND, shërbimi i inteligjencës ushtarake holandeze MIVD dhe shërbimi i inteligjencës holandeze AIVD.
“Kjo përfaqëson një shkelje edhe më serioze të Konventës së Armëve Kimike, e cila ndalon përdorimin e këtij asfiksuesi kimik në të gjitha rrethanat”, deklaruan shërbimet.
Vitin e kaluar, Britania e Madhe dhe SHBA-ja e kishin akuzuar Rusinë për përdorimin e mjeteve kimike.
Rusia po investon shumë në programin e armëve kimike. Hulumtimet në këtë fushë po zgjerohen dhe po rekrutohen shkencëtarë të rinj.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes deklaroi se Rusia ka përdorur tashmë armë kimike kundër trupave ukrainase mbi 9,000 herë në luftën e saj agresive. Sipas Ukrainës, të paktën tre vdekje mund t’i atribuohen drejtpërdrejt efekteve të armëve kimike.




