Nuk është histori filmash. Nuk është një trillim për të bërë bujë. Është Shqipëria e vitit 2025. Është realiteti absurd që ngjan me një makth të vazhdueshëm për ata që kanë më pak, që lypin ndihmë, që presin një dorë të zgjatur – dhe marrin një thikë pas shpine. Lajmi i ditës është arrestimi i një gruaje, Donika Curri, 33 vjeçe nga Lezha, e cila me skemën më cinike të mundshme, ka shfrytëzuar dhimbjen njerëzore për të vjedhur, mashtruar dhe për të përfituar mbi mjerimin e të tjerëve.
Kjo nuk është thjesht një histori mashtrimi financiar. Kjo është një histori e tmerrshme për mënyrën si tallja me varfërinë dhe me shpresën është kthyer në zanat. Donika Curri është vetëm një emër nga shumë të tjerë që në këtë vend kanë kuptuar se, për të bërë para, mjafton të përdorësh fytyrën e bamirësisë si maskë. Me premtimin e ndihmës mujore për nëna të reja, të vetmuara, të papuna – ajo ka rrëmbyer të dhënat e tyre personale, për t’i futur më pas në borxhe që nuk i kishin marrë kurrë.
Çfarë është më e rëndë se vetë varfëria?
Të të përdorin dhimbjen si trampolinë për përfitime. Të të gënjejnë me një zarf ushqimor, me një premtim për ndihmë të vogël mujore, dhe në fakt të të zhysin në kredi që do të ndjekin fëmijët e tu edhe pas shumë vitesh. Kjo nuk është vetëm vjedhje. Kjo është një përdhosje e shenjtërisë së besimit. Është dhunë psikologjike ndaj më të dobëtëve. Dhe në fund të ditës, është një shpërfaqje e rrënimit moral të një shoqërie që po shkatërrohet nga brenda.
Gruaja e varfër që ka dy fëmijë të mitur, që jeton me asistencë sociale, që ka të shoqin në burg apo të birin të sëmurë – ajo nuk ka as avokat, as mundësi të lexojë letrat e një kredie në bankë. Ajo beson kur dikush i troket derës dhe i thotë “jemi shoqatë bamirësie, na jep kartën të të fusim në listën e ndihmës.” Beson, sepse nuk ka më asgjë tjetër veç shpresës. Dhe aty, kur e vetmja gjë që i ka mbetur është shpresa, dikush vjen dhe ia vjedh edhe atë.
Aty ku duhej të kishte solidaritet, ka pazar. Aty ku duhej të kishte empati, ka manipulim. Aty ku duhej të kishte dorë ndihme, ka dorë që të mbyt.
Shoqëria që po bëhet spektator i tragjedisë
E si gjithmonë, ne të tjerët e kalojmë me një klik. E lexojmë lajmin dhe themi “ça të themi, e gjeti dhe kjo budallai.” Por budallai nuk është viktima. Budallai është ai që mendon se kjo nuk mund t’i ndodhë vetë. E vërteta është se ajo çfarë ndodhi në Lezhë është një metaforë e madhe e Shqipërisë së sotme: vend ku askush nuk ndihmon pa të marrë, vend ku të varfrit përdoren si mjet për të marrë kredi, për të justifikuar projekte, për të larë para.
Çfarë ndëshkimi i jepet një gruaje që mashtroi me fytyrën e bamirësisë? Çfarë ndëshkimi meritojmë ne si shoqëri që lejojmë që njerëzit në hall të mbeten pa zë, pa përfaqësim, pa dinjitet? Sa të tjera Donika ka në terren që ende nuk janë zbuluar? Sa shoqata fallco po lëvizin në emër të humanizmit vetëm për të kapur ndihma, grante, të dhëna personale?
Kur shteti fle, mashtrimi bëhet sistem
Policia arreston, por pse pas 16 kallëzimesh? Pse duhej që gratë që janë viktima të shkonin një nga një në komisariat për të dëshmuar për një makth të përbashkët? Ku janë kontrollet mbi të ashtuquajturat shoqata që operojnë lirshëm nëpër lagje, nëpër shtëpitë e të varfërve, nëpër jetët e dërrmuara? A ka shtet që kontrollon kush merret me bamirësi në emër të fëmijëve dhe nënave të vetmuara?
Jo. Sepse në këtë vend, edhe lypësin e përdor për të bërë biznes. Edhe barkun bosh të tjetrit e shet për reklamë. Edhe lotin e një nëne e përdor për të plotësuar një formular kredie.
Donika Curri sot është në pranga. Por dhimbja që ka shkaktuar do të zgjasë më shumë se një proces penal. Sepse ai borxh që ka marrë në emër të një gruaje të mjerë, nuk e shlyen dot askush. As policia, as gjykata, as lajmi që do harrohet pas dy ditësh.
Nëse nuk ngrihemi të mbrojmë të pambrojturit, nesër do jemi ne ata që do tallin. Me një premtim të rremë, me një zarf të boshatisur, me një shpresë të vjedhur.
Sepse në këtë vend, tragjedia nuk vjen më me sirena. Ajo troket me fjalë të ëmbla. Dhe të merr gjithçka.




