Në Gaza nuk po zhvillohet më një luftë. Lufta, përtej gjithë shkatërrimit të saj, ka disa rregulla të pashkruara: nuk vriten fëmijë, nuk bombardohet spitali, nuk shkatërrohet burimi i jetës së një populli. Ajo që po ndodh sot në Gaza ka kaluar çdo kufi të luftës, çdo kufi të njerëzores. Kjo është një fshirje sistematike e jetës, një akt barbarie i mbështetur me heshtje ndërkombëtare. Është genocid.
Femijë që digjen për së gjalli nga bombat që bien si shi ditë e natë. Nëna që mbështjellin trupat e fëmijëve me rrobat e tyre të fundit. Baballarë që kërkojnë copat e mbetura të trupave të fëmijëve nën rrënojat e shkolleve, shtëpive. Fëmijë që kërkojnë prindërit e tyre nën rrënoja ndërtesash. A ka më dhimbje më të madhe se kaq për të ndezur ndërgjegjen njerëzore?
Por edhe për ata që i shpëtojnë bombave, ka një vdekje tjetër: ajo e urisë. Gaza është vendi ku edhe buka është bërë armik. Ushqimet ndalohen në kufi. Kamionët me miell, oriz, konserva, ilaçe, qëndrojnë me ditë e javë në diell, derisa prishen, ndërsa njerëzit brenda vdesin urie. A ka krim më të madh sesa t’i ndalosh një populli edhe kafshatën? Edhe ujin? Edhe bukën? A ka më sjellje ç’njerëzore se kjo?
Dhe akoma më e dhimbshme është ironia tragjike që ky masakrim vjen nga një shtet, nga një popull që ka në kujtesën e tij kolektive plagën më të thellë të shekullit të kaluar, Holokaustin. E si mundet një popull që ka njohur tmerrin e dhomave të gazit, që ka humbur miliona për shkak të urrejtjes racore, të kthehet sot në xhelatin e një tjetër populli?
Pyetja që na persekuton është: ku jemi ne? Ne si njerëz, si qytetarë, si kombe, si besimtarë, ku jemi? Pse heshtim? A thua se fjala jonë është pa vlerë, apo mos kemi filluar ta masim vlerën e jetës me përkatësi etnike dhe fetare?
A do na dënojë Zoti për këtë heshtje? A do na mbajë përgjegjës për indiferencën, për komoditetin tonë, për faktin që kthejmë kokën nga ana tjetër kur vriten fëmijë në emër të “mbrojtjes së vetes”? E nëse Zoti nuk na dënon, ndoshta historia do ta bëjë. Sepse ka momente kur heshtja bëhet krim, dhe indiferenca kthehet në bashkëfajësi.




