22.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeKëndvështrim me syrin e psikologjisë:

Këndvështrim me syrin e psikologjisë:

Si vëzhguese në këto zgjedhje dhe si psikologe, pata mundësinë të shoh nga afër një nga figurat më të diskutuara të jetës politike shqiptare: patronazhistin. Me përqendrim klinik vështrova sjelljet, gjuhën e trupit, mënyrën e komunikimit dhe reagimin emocional të tyre. Ajo që u shfaq qartë që në kontaktin e parë ishte mungesa e individualitetit. Të gjithë, ndonëse me pamje të ndryshme, i bashkonte e njëjta mënyrë sjelljeje: një refleks i programuar, i automatizuar, i zbrazët nga çdo element vetëdijeje morale apo ndjeshmërie emocionale. Në psikologji, këtë e përshkruajmë si depersonalizim social, një formë e zbehjes së identitetit ku individi ekziston vetëm si funksion i një strukture më të madhe, autoritare.

Në raportin e tyre me figurat politike, vërehet një identifikim total me autoritetin, fenomen i njohur në psikoanalizë si “identifikimi me agresorin” (Freud, 1936). Ata nuk e vënë kurrë në dyshim partinë, liderin, apo urdhrin. Bindja e tyre është më shumë se politike: është psikologjike, ekzistenciale. Janë të përkushtuar jo sepse kanë ide, por sepse kanë nevojë të ndihen pjesë e një strukture që i jep kuptim ekzistencës së tyre të zbehtë. Partia është Zoti i tyre. Shefi është figura prindërore që duhet kënaqur. Urdhri është oksigjeni. Mendimi kritik është rrezik.

Ata nuk shohin individë, nuk ndiejnë kufij, nuk kuptojnë empatinë. Funksionojnë në mënyrë instrumentale: tjetri nuk është qenie njerëzore, por objekt manipulimi ose target. Dhe kur ky objekt nuk bindet, aktivizohen të gjitha mekanizmat e dhunës psikologjike dhe shpesh edhe asaj fizike. Për këta individë, dhuna është mjet pune. Fjalori i tyre është i ngarkuar me gjuhë vulgare, poshtëruese, shpesh sadike. Dhe këtë nuk e fshehin, përkundrazi, e ekspozojnë kudo. Turpi nuk ekziston. Morali është term bosh. Urdhri është dogmë.

Në sytë e tyre mungon reflektimi, shkëlqimi i mendimit, drita e ndërgjegjes. Janë sy të errët, të mbyllur brenda vetes. Në letërsi kjo njihet si arketipi i njeriut me “sy të zinj”, ai që është i aftë të bëjë gjithçka, madje edhe të vrasë, nëse i kërkohet. Dhe kjo nuk është metaforë. Mjafton të ndjekësh mënyrën si i drejtohen gazetarëve, qytetarëve, kundërshtarëve për të kuptuar që janë psikologjikisht të zhveshur nga çdo ndjeshmëri humane. E vetmja ndjenjë që duket se i bashkon është ndjenja e përkatësisë me një forcë që i mbron në këmbim të bindjes së tyre të verbër.

Në raportin e tyre me shoqërinë, ata veprojnë si agjentë të kontrollit social. Nuk kanë kufij etikë. Spiunojnë komshinjtë, kolegët, madje edhe familjarët. Hyjnë në jetën private me lehtësinë e një njeriu që nuk ndien faj. Në terma psikodinamikë, kemi të bëjmë me një shtypje të ndërgjegjes morale (superego e pazhvilluar), e cila zëvendësohet nga një strukturë autoritare që flet përmes urdhrave dhe frikës. Ata nuk janë të këqij sepse mendojnë keq. Ata janë të rrezikshëm sepse nuk mendojnë fare.

Struktura e tyre psikike nuk është e ndërtuar mbi individualitet, por mbi një identitet kolektiv të shpërbërë nga autonomia, që ekziston vetëm përmes shërbimit ndaj liderit. Janë prodhime të një kulture politike ku bindja është vlerë, ndërgjegjja është pengesë, dhe kontrolli i tjetrit është formë legjitime e ekzistencës.

Patronazhistët nuk janë thjesht instrumente të një partie. Janë simbole të një shoqërie që ka humbur aftësinë për të menduar vetë. Ku lojaliteti është bërë më i rëndësishëm se etika. Ku urdhri është më i fortë se ndërgjegjja. Ku fjalët “duhet bërë” dhe “vetëm zbatoj” janë justifikim për çdo akt, për çdo shkelje, për çdo dhunë.

Në këtë kuptim, patronazhistët nuk janë thjesht simptoma të një regjimi.
Janë diagnoza klinike e një shoqërie që po shkon drejt dehumanizimit të plotë.

Nga Olivia Braho.

Previous article
Next article
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat