Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayMay 30, 2026 52
Spektakli televiziv ka një zakon të vjetër, ngre në qiell personazhe artificiale dhe i shet si “autentikë”, derisa një moment i vetëm ua gris maskën përpara publikut. Pikërisht kjo ndodhi mbrëmë gjatë spektaklit me Mimoza Ahmetin në “Ferma VIP 3”, ku brenda pak orësh u rrëzua fasada e superioritetit intelektual dhe doli në pah nervozizmi i një egoje që nuk pranoi të zbresë nga froni i adhurimit.
Në fillimet e rrugëtimit , publiku e pa Mozën me kuriozitet. U trajtua si “fenomen”, si figurë e pakapshme, si personazh që me batuta, çrregullim emocional dhe sjellje impulsive do të sillte “art” brenda reality show-t. Madje ajo u shpall edhe ndër më të preferuarat e publikut në fazat e para të spektaklit. Por televizioni është pasqyra më e pamëshirshme. Aty nuk mjafton miti që ke ndërtuar për vite, sepse karakteri i vërtetë del në pah në çastin kur humbet privilegjin e duartrokitjeve.
Dhe sapo publiku nuk e rivendosi në fronin e të preferuarave, nisi shpërfytyrimi. Kostumi i delirit artistik i ra përdhe dhe u shfaq një figurë e mbushur me mllef, me ego të lënduar dhe me etje për protagonizëm me çdo kusht. Aty nuk fliste më poetja që pretendon thellësi shpirtërore, aty doli një lojtare e rëndomtë e spektaklit, që kërkon të përfitojë edhe kur jep më të keqen e saj.
Ky është problemi i madh i disa personazheve publike shqiptarë. Ngatërrojnë famën me madhështinë dhe duartrokitjen me vlerën reale. Për vite të tëra, një pjesë e mediave shqiptare e kanë trajtuar Mozën si figurë “mbi turmën”, si simbol rebelimi e intelektualizmi. Por mbrëmë në “Ferma VIP 3” publiku pa diçka tjetër, një njeri që nuk e duron dot humbjen e vëmendjes dhe që shpërthen sapo nuk trajtohet si qendra absolute e universit televiziv.
Reality show-t dhe konkretisht FERMA VIP 3 eshte një laborator brutalë karakteresh. Aty nuk të tradhton skenari, por egoja. Dhe egoja e Mozës dje foli më fort se çdo poezi e saj. Në vend të dinjitetit, zgjodhi nervin. Në vend të qetësisë, arrogancën. Në vend të vetëpërmbajtjes, mllefin ndaj publikut dhe produksionit që nuk ia dha më kurorën e “të paprekshmes”.
Problemi është se publiku shqiptar shpesh i ngre vetë këto mite mediatike, për t’i parë më pas duke u shembur në ekran. Sepse kamera nuk mashtron gjatë. Ajo nxjerr në dritë jo vetëm talentin, por edhe vogëlsinë shpirtërore.
Dhe mbrëmë, në vetëm pak orë spektakël, ne nuk pamë më “Mozën enigmatike”..
Pamë thjesht një njeri që nuk pranon të dalë nga qendra e vëmendjes dhe që përpiqet të përfitojë deri edhe të pamundurën, sidomos në anën financiare, duke u kapur pas historisë së një të dashuri që e “mban në shtëpi”, histori të cilën e rikthen sa herë që publiku nuk i miraton skenarin emocional apo lojën që përpiqet të imponojë në spektakël.
Shkruan Rifat Kullolli:
Written by: administratori
todayJune 21, 2026
todayJune 21, 2026 4