Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Kali i Trojës me simbol flamingoje?

todayJune 21, 2026 5

Background
share close

Historia e “rebelimit” të deputetes më të re të Parlamentit, e dalë nga listat e mbyllura të Shkodrës, ngjan gjithnjë e më shumë me një pjesë teatri politik, e servirur me kujdes për t’u gëlltitur nga turma si karrem naiviteti.

Marjana Koçeku, ose “Neomalsorja”, nuk është një emër që del sot për herë të parë në skenën publike. Në protestat studentore të viteve 2018-2019 ajo u shfaq si një prej zërave të rinj të asaj lëvizjeje, por rrugës ai profil protestues u zbeh. Madje, për shumëkënd, ndikimi i saj u duk më shumë si frenues sesa nxitës i kauzës, pasi mllefi studentor ndaj padrejtësive u zhvendos gradualisht nga përgjegjësia e qeverisë drejt pedagogëve dhe institucioneve universitare.

Më pas erdhi shpërblimi politik. Në vitin 2025, Koçeku u përzgjodh nga Edi Rama dhe u vendos në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë, prej nga mori edhe mandatin parlamentar. Pra, nga protestuese e dikurshme u kthye në produkt të një sistemi politik të mbyllur, ku vota e qytetarit vjen pas vendimit të kryetarit.
Por, befas, me nisjen e të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”, “Neomalsores” iu kujtua sërish protesta.

Natyrisht, ajo është ndër figurat më të afërta në moshë me një pjesë të protestuesve. Për këtë arsye, largimi i saj nga struktura politike që e nxori në skenë duhej të dukej bindës, rebelues, thuajse kryengritës. Më pas, ky akt duhej veshur edhe me dramën e kërcënimeve nga grupe kriminale, me distancimin publik nga Partia Socialiste dhe me simbolikën e flamingos së postuar shkarazi pa komente.

Skenari duket i ndërtuar me kujdes, ku një deputete e re, e dalë nga listat e pushtetit, shfaqet papritur si zë i revoltës kundër po atij pushteti. Kur u pa se një pjesë e protestuesve e pranuan këtë lëvizje si akt rebelimi, erdhi edhe hapi tjetër, dalja e saj sot publike në protestë, në mbështetje të kauzave qytetare. Madje deri diku edhe kolegët socialistë e patronazhistë të Marjanës, ndonjëherë u shfaqën konfuz, të painformuar nga mungesa e komunikimeve me flamingon e porsadalë, e deri në vajin e një mandati të humbur për shumicën arrogante. Për t’i vënë vulën, erdhi edhe sfida e hapur se “Neomalsorja” jonë mund të mbledhë më shumë vota se Partia Socialiste, e shoqëruar me simbolin e flamingos në postimet e saj në rrjetet sociale.

Pikërisht këtu lind pyetja: a po përdoret Marjana Koçeku si kali i fundit i Trojës për të hyrë brenda protestës? A po i besohet asaj i njëjti mision që, sipas shumë kritikëve, pati edhe në protestën studentore të viteve 2018-2019, misioni për zbehjen, shpërqendrimin dhe përçarjen e një kauze qytetare?

Këtë herë, megjithatë, llogaritë mund të mos dalin aq lehtë. As Edi Rama dhe as çdo figurë e servirur si “rebele” nuk mund ta kapin këtë protestë me ashkla politike, të cilat përdoren dhe hidhen në zjarr sipas nevojës së ditës.

Marjana Koçeku vështirë se mund të shitet sot si simbol i rebelimit, kur në gjenezën e saj publike mbart hijen e përçarjes së kauzave qytetare dhe më pas shpërblimin me mandat politik nga vetë sistemi që sot pretendon se po kundërshton.

Rebelimi nuk është kostum që vishet kur ta kërkon regjia. Nuk është flamingo në rrjete sociale, ndërsa rrënjët i ke ende në kopshtin e pushtetit.

O Ramë, nuk i ke të gjithë njerëzit naivë, o Ramë! Rebelo tani edhe Ze(q)gjinën, bëje dhe Zeqkën flamingo…

Shkruan Armand Braho:

Written by: WindowRadio.de

Rate it