Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayMay 27, 2026 15
Po ta shkruaj këtë letër si një mërgimtare që jeton larg Kosovës, por që zemrën e ka gjithmonë aty. Si një grua që e njeh sakrificën, lodhjen dhe mundin e jetës larg familjes e larg vendit të vet. Dhe pikërisht sepse e njoh jetën dhe vlerën e dinjitetit, nuk mund të hesht kur shoh mënyrën se si po e trajtoni mërgatën.
Zoti Kryeministër, mos mendoni se mërgimtari është budalla.
Mos mendoni se ne e shesim dinjitetin, ndërgjegjen dhe votën tonë për para publike, për favore apo për spektakël politik. Ne nuk jemi njerëz pa vetëdije që mund të manipulohen me emocione patriotike ndërkohë që paraja e qytetarëve përdoret për interesa pushteti.
Unë jetoj në një shtet ku çdo cent fitohet me sakrificë. Ku, në momentin që nuk punon, rrezikon të mbetesh pa asgjë. Pikërisht për këtë arsye e di shumë mirë çfarë vlere ka paraja dhe sa e shenjtë është paraja publike. Dhe më dhemb kur shoh se si ajo përdoret për të blerë simpati politike, ndërkohë që në Kosovë ka pensionistë që nuk kanë para për barna, pacientë me kancer që presin terapi, të rinj që largohen çdo ditë nga vendi dhe familje që jetojnë mes mungesës dhe dëshpërimit.
Ajo para që shpërndahet për propagandë nuk është e juaja. Është djersa e popullit. Është buka e pensionistit. Është ilaçi i një të sëmuri. Është mundi i policit që rrezikon jetën dhe i mësimdhënësit që mundohet ta mbajë gjallë arsimin në kushte të vështira.
Dhe ajo që më ofendon më së shumti nuk është vetëm keqpërdorimi i parasë publike, por mënyra se si mendoni se mërgimtari mund të blihet. Sikur ne të mos kemi mendje. Sikur dashuria për Kosovën të na bëjë aq të dobët sa të shesim dinjitetin për interesa politike.
Jo, zoti Kryeministër.
Unë nuk e dua Kosovën për përfitime personale. E dua sepse aty janë rrënjët e mia, gjuha ime, kujtimet e mia dhe dhimbja ime. Dhe pikërisht sepse e dua, nuk mund të hesht kur shoh se si qytetari poshtërohet nga pushteti i vet.
Madje, besoj se më e drejta do të ishte që asnjë mërgimtar të mos marrë përgjegjësi për ta zgjedhur fatin e një populli të cilit nuk ia jeton përditshmërinë, mungesën dhe vuajtjen. Shumica prej nesh jetojnë në shtete ku varfëria nuk na prek siç i prek ata njerëz që çdo ditë luftojnë për mbijetesë në Kosovë. Dhe ndoshta, në vend se të gjunjëzohemi para pushtetit e të brohorasim pa e ditur pse, duhet t’i lëmë ata njerëz me hallet e tyre të vendosin vetë për fatin e tyre.
Sepse ata janë ata që e bartin Kosovën mbi supe çdo ditë.
Unë nuk kam nevojë të blihem. Nuk dua favore të ndërtuara mbi varfërinë e qytetarëve. Nuk dua para që hiqen nga goja e një pensionisti apo nga shpresa e një të riu.
Dinjiteti im nuk ka çmim.
Dhe askush, as ju zoti Kryeministër, nuk ka të drejtë të më trajtojë sikur unë jam një mërgimtare që mund ta shes ndërgjegjen dhe votën për njē bilet une nuk jam budallaqe qẽ mund tẽ mẽ blesh ti .
Sepse uně e dua Kosovën me shpirt, jo me interes.
Me respekt,Një mërgimtare me dinjitet !( Kiki Selimi )
Written by: administratori
todayJune 21, 2026 17
todayJune 21, 2026 8