23.1 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeSocialeShoqëri që kafshon shpirtra.

Shoqëri që kafshon shpirtra.

Kur një shoqëri bullizon më të brishtët:
Është vetë ajo që ka nevojë për terapi:

Në një shoqëri që vuan nga mungesa e vetëdijes.
Njerëzit me aftësi të kufizuara janë viktimat e heshtura të një dhune të përditshme: bullizimit.
Bullizim jo vetëm si fjalë fyese në rrugë, jo vetëm si refuzim në shkollë apo përbuzje në punë, por një bullizim sistemik i ngulitur thellë në strukturën morale të kësaj shoqërie që shpesh vetëquhet “e mikpritjes”.

Në realitetin shqiptar, të verbrit, shurdhmemecët, personat para- ose tetraplegjikë, të rinjtë në spektrin autik dhe qindra individë të tjerë me sfida fizike, neurologjike apo mendore, përballen çdo ditë me një mur:
Muret e përjashtimit, muret e paragjykimit, muret e indiferencës.

Bullizimi nuk ndodh vetëm në shkolla.
Ai ndodh kudo.

Shqipëria është një vend ku njerëzit me aftësi të kufizuara bullizohen që në fëmijëri në klasë, në oborrin e shkollës, në rrugë.
Ata nuk përfshihen në lojë, nuk ftohen në ditëlindje, nuk dëgjohen në mësim, nuk respektohen në grup.
Por kjo nuk ndalet me mbarimin e shkollës.

Në adoleshencë, ata përjashtohen nga aktivitetet kulturore.
Nuk marrin pjesë në sport, nuk përfaqësohen në media, nuk përmenden në politika publike.
Shoqëria i vendos në një qoshe të padukshme dhe i mban aty, sikur prania e tyre prish pamjen kolektive të “suksesit”.

Në moshë madhore, bullizimi bëhet më institucional:
Nuk punësohen, nuk trajtohen me dinjitet në institucione, nuk dëgjohen në zë, nuk kanë përfaqësim real në jetën publike.
Edhe kur janë të diplomuar, edhe kur kanë aftësi të jashtëzakonshme në letërsi, në muzikë, në art apo teknologji u mbyllen dyert sepse nuk “përshtaten me kolektivin”.

Mëkati i të qenit ndryshe në një vend që adhuron uniformitetin:

Shoqëria shqiptare e ka frikë të ndryshmen.
E ka frikë çdo gjë që nuk futet në kornizën e sjelljes tipike, të dukjes normale, të të folurit standard.
Në këtë realitet, të kesh një trup që nuk ecën si të tjerët, një zë që nuk artikulohet si zakonisht, apo një mendje që mendon ndryshe, është më shumë se sfidë është dënim.

Kjo shoqëri nuk e ka problem të përmendë emrin e ndonjë personi me aftësi ndryshe në ndonjë event bamirësie apo fushatë sensibilizuese.
Por ky është thjesht folklor.
Në përditshmëri, është një shoqëri që e përjashton të brishtin.
E sheh si barrë.
E sheh si turp.
E sheh si “fatkeqësi”.

Në vend që t’i shohim si burim pasurie, i bëjmë objekt përçmimi:

Ironikisht, shumë nga këta njerëz që përbuzim kanë diploma universitare, njohuri në gjuhë të huaja, krijimtari artistike, ndjeshmëri njerëzore që shkon përtej çdo kufiri.
Janë poetë që shkruajnë pa parë, janë piktorë që pikturojnë me gishta që nuk ndihen, janë instrumentistë që luajnë muzikë pa e dëgjuar, janë psikologë që e njohin thellësisht dhimbjen, sepse e kanë kaluar vetë.

Por as kjo nuk mjafton për t’u trajtuar me dinjitet.

Sepse shoqëria shqiptare nuk e mat vlerën e një njeriu me shpirt.
E mat me pamje.
Me efikasitet.
Me “aftësi për t’u përshtatur”.

Një sistem që i zhvesh nga të drejtat dhe i fton të heshtin:

Institucionet publike nuk janë ndërtuar për këta njerëz.
Ato janë ndërtuar vetëm për “mesataren funksionale”.
Për një person në karrocë nuk ka hyrje, nuk ka ashensor, nuk ka banjo të përshtatura.
Për një të shurdhër nuk ka përkthim në gjuhë shenjash në mediat kombëtare.
Për një person me spektrin autik nuk ka ndihmë në klasë, nuk ka arsim të personalizuar, nuk ka trajtim të dinjitetshëm në procesin mësimor.

Dhe në vend që sistemi të përshtatet, kërkohet që individi të zhduket nga syri publik.
Të rrijë në shtëpi.
Të heshtë.
Të pranojë heshtur fatin e tij.

Ky nuk është vetëm diskriminim.
Ky është krim moral.

Kur një shoqëri mbron të fortët dhe përçmon të dobëtit, ajo është në dekadencë morale.
Kur një vend i buzëqesh atyre që duken mirë dhe e injoron ata që nuk përshtaten, ai vend nuk ka të ardhme të shëndetshme.
Kur në sytë e rinisë modele janë vetëm ata që pasqyrohen në rrjete sociale, ndërsa njerëzit me ndjeshmëri të thellë përjashtohen, atëherë kemi krijuar një sistem që nuk prodhon qytetari por përbindësha emocionalë.

Një shoqëri që nuk përfshin, vetëizolohet:

Personat me aftësi të kufizuara nuk janë as më pak të mençur, as më pak të ndjeshëm, as më pak të vlefshëm.
Përkundrazi, ata janë prova e gjallë se forca nuk matet me trupin.
Matet me shpirtin.
Dhe një shoqëri që nuk e kupton këtë, mbetet primitive, sado teknologji apo para të ketë.

Prandaj duhet të pyesim:
A jemi gati të ndërtojmë një shoqëri që i sheh të gjithë si njerëz?
A kemi guximin të ndryshojmë gjuhën tonë?
Të flasim pa përçmim?
A kemi ndjeshmërinë të përfshijmë, jo për të treguar vetën, por për të respektuar tjetrin?

Sepse nuk është më çështje sensibilizimi.
Është çështje drejtësie.
Është çështje njerëzore.
Është çështje mbijetese morale.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat