12.5 C
Albania
Sunday, April 19, 2026
Google search engine
HomeOpinionSecili për vehte Shqipëria për askënd!

Secili për vehte Shqipëria për askënd!

Zgjedhjet e 11 majit treguan se thuajse çdo shqiptar mendoi vetëm për hallin e vet dhe asnjë sekondë për Shqipërinë. Këta kemi qenë, këta jemi dhe këta do të jemi.

PS nuk mendoi për të mundësuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke i ndryshuar faqen Shqipërisë. Nuk mendoi për demokracinë. Përkundrazi. Nuk u ngop dhe u përpoq me çdo kusht të arrinte 84 mandatet që i lejojnë të bëjë gjithçka që do në këtë vend. E bëri duke blerë, duke vënë të ngratët nën presion, duke përdorur bandat, duke shtypur çdokënd që mund të dilte jashtë skenarit dhe duke gatuar një maskaradë të turpshme me votat e diasporës. PS është partia e vetme në historinë tonë demokratike, e cila pati 12 vite kohë të reflektonte dhe të ngopej me shqyerjen e Shqipërisë. Nuk solli asnjë të mirë në këtë vend, por vendosi rekorde absolute të korrupsionit dhe hajnisë. Rama fitoi 83 mandate. I duhen edhe 11 për të ndryshuar Kushtetutën sipas humorit të tij. Nëse do, e kthen Shqipërinë në Republikë Presidenciale dhe bëhet praktikisht Perandor i Fshatit Shqipëri. I duhen edhe 11 mandate. I merr duke joshur 4 emra nga LSI, 3 nga PSD dhe 4 të tjerë nga PD, aktualisht e dërrmuar, pa dinjitet dhe pa shpresë.

PD nuk mendoi për rrotacionin. Përkundrazi. Berisha dhe të tijtë menduan vetëm për të ruajtur monopolin e opozitës parlamentare, me 50 karrige të ndryshkura. Berisha mendoi vetëm për kontrollin absolut të partisë dhe për imazhin e tij. Nuk mendoi asnjë sekondë për të fituar apo për të ngushtuar diferencën me partinë-shtet, që shqiptarët sot të mos kishin një sulltan, por një qeveri sa më të dobët, e cila detyrohet të mendohet mirë para se të bëjë çmenduritë e radhës. Demokratët menduan vetëm për vete.

Partitë e reja u treguan forca anti-sistem, por menduan secila për vete. Nuk u bashkuan. Përkundrazi. Lanë 4 mandate më kot, sepse këto zgjedhje i trajtuan si provë force se cila do të votohej si parti e tretë. Secili për vete, Zoti për askënd, Shqipëria sërish jetime.
Populli? Njësoj si partitë, sepse është populli ai i cili e gjen shëmbëlltyrën e tij në politikë. E formëson siç është vetë. Politika reflekton atë që është sot populli. Shqiptarët votuan duke menduar vetëm për vete. Një hall personal ose një emocion partiak që nga pas fsheh një interes për të nesërmen. Kaq. Shqiptarët mendojnë vetëm për të vjelur diçka nga politika, të vetëdijshëm se politika është e vetmja industri prodhuese në këtë vend.

Po, u ndez një fije shprese me votat që shkuan për partitë e reja, por qenë shumë pak, jashtëzakonisht shumë pak. Pak, sepse shqiptarët e rritën partinë-shtet nga 48,7% në 52%. Pak, sepse rreth 200 mijë shqiptarë refuzuan të votonin. Patjetër, të zhgënjyer, por për herë të parë kishin plot alternativa të paprovuara. Këta 200 mijë shqiptarë mund të kishin prodhuar një “aksident elektoral” duke votuar një parti tjetër, qoftë edhe një që nuk e njohin. Këta 200 mijë shqiptarë mund të kishin shprehur dufin e tyre me votë kundër. Mund edhe të kishin shqyer 200 mijë fletë votimi. Nuk e bënë. Heshtën. Janë më të ndershëm dhe të sinqertë se 1 milionë të tjerë, por në jetë duhet diçka më shumë se ndershmëria. Duhet të shprehësh dufin. Ndoshta edhe urrejtjen. Duke refuzuar të votonin, në fakt, ata treguan diçka tjetër. Të vetëdijshëm se partia më e madhe opozitare nuk kishte asnjë shans të fitonte 71 mandate, nuhatën se heshtja do të vlente më shumë se rruga e lodhshme 5-minutëshe drejt kutisë së votimit. Dikush do t’i shihte dhe do të bëhej nami. Zgjodhën heshtjen, sepse janë mësuar duke votuar vetëm kur kuptojnë se diçka, nga lart, po ndodh. Pritën deri në fund lajmin e madh se Bota do të na shpëtonte apo se rrotacioni do të ndodhte për arsye qiellore. Ngaqë nuk ndodhi, qëndruan në shtëpi. “Ç’më duhet mua? PD nuk fiton, kështu që pse unë duhet të sakrifikoj 5 minutat e mia? Çfarë fitoj duke votuar kundër, kur gjithçka rrotull meje më thotë se të gjithë jemi njësoj?”

E shkreta Shqipëri! Askush nuk mendon për të. Askush nuk thellohet për 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme.

Këto zgjedhje pati familje, të cilat e shitën votën për të grumbulluar disa mijë euro, për t’i përdorur më pas për t’u arratisur me gomone. Kjo nuk është ironi, shaka apo hiperbolë. Jo. Ndodhi në fshatrat e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës. Familjet vendosën të shitnin votën, që të financonin arratisjen. Pra, i dorëzuan çelësin e shtëpisë hajdutit, duke nxjerrë shpirtin në ankand, me qëllim për të financuar zhdukjen nga shtëpia.

Secili prej nesh ka hallin e vet personal: ose duam të vjelim vreshtën Politikë, ose duam të zhdukemi një orë e më parë duke lëshuar stilolapsin dhe kollaren për të kapur kazmën larg atdheut.

Skllavëri në tastierën e atdheut apo Dinjitet në llaçin e kurbetit – kjo është dilema e madhe…!

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat