Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Reforma Territoriale duhet të zgjidhë padrejtësitë shekullore të shtetit ndaj Mirditës:

todayMarch 29, 2026 4

Background
share close

Nuk ka dyshim se, nëse ka një krahinë të diskriminuar nga shteti i vet qyshë se është krijuar, ajo është Mirdita. Arsyet nga ne mirditorët dihen dhe nuk është qëllimi ti trajtoj në këtë shkrim.

Plagët 100 vjeçare të Mirditës kullojnë edhe sot. Jo vetëm ato plagë që i shkaktoi pa mëshirë komunizmi, por edhe plagët e ndarjes, zvoglimit, diskriminimit, braktisjes e shpopullimit. E këto, s’kanë ardhur nga paaftësia e pazotësia për tu mbrojtur, kanë qënë pasojë e vendimmarrjes pa vullnetin e saj.

Gjithshka ka pësuar Mirdita në këto 100 vjet përmblidhet në një fjalë, DISKRIMINIM. E thashë në fillim, dihen arsyet. Ka pas raste që është rebeluar por gjithnjë është ndalë, është kursyer, e vetëdijshme se jo çdo mjet justifikon qellimin.

Tashmë nuk vlejnë argumentet se si e pse ka ndodhur. E rëndësishme është se, sot më shumë se kurrë janë të gjitha mundësitë të zgjidhet padrejtësia shekullore ndaj Mirditës. E nëse ndodh, do fillojë një prosperitet socialekonomik, një ringjallje e vërtetë e saj.

Koha për ti dalë zot është tani.
Komisioni i Reformës Territoriale është në punë e sipër. Nëse ndarja territoriale bazohet në parimet kushtetuese dhe konventën europiane të autonomisë lokale atëhere e drejta e mirditorëve për të administruar territorin e vet është e realizueshme.

Nuk është vetëm numri i popullsisë treguesi kryesor mbi të cilin duhet të bazohet ndarja territoriale. Sepse, politika të caktuara antikombëtare, harresa e qëllimshme ndaj Veriut e në mënyrë të veçantë ndaj Mirditës ka prodhuar dramën e shpopullimit. Por kjo nuk ka sjellë harrimin e trojeve të veta nga mirditorët. Bash këtu qëndrojnë fort rrënjët e shpresës për ringjallje e rikthim.

Tërësia territoriale e Mirditës nuk është çeshtje nostalgjie, as në kundërkohë, aq më pak një pretendim. Është identitet, histori, është drejtësi për banorët e saj. Të coptosh Mirditën është njëlloj si të shembësh pjesë të mureve të një kështjelle.

Nuk ka një krahinë të dytë më unike në kuptimin etnokulturor e historik se sa Mirdita. Por edhe për nga pikpamja gjeografike e gjitha e lidhur dhe me mundësi të plota lidhjeje të reja. Poashtu në lidhjet miqësore, martesat, kumaritë e çdo marrdhënje njerzore është në mesveti. Ka gjithashtu resurse natyrore të pafundme që garantojnë ekonominë e saj. Atëhere, përse është e coptuar në 5 rrethe si shqiptarët në 5 shtete?! Përse duhet ti nënshtrohemi kësaj ndarje dashakeqe dhe pa vullnetin e banorëve të saj?!

Te vetqeverisja e Mirditës gjenden rrënjët shtetformuese të kombit shqiptarë. Prandaj ky etnos origjinal arbnor duhet ruajtur në gjithë dimensionin e tij, kulturor, historik e gjeografik, siq ruhet Butrinti, Lahuta, e Gjuha. Coptimi është dobësimi i fuqisë së saj. Nuk është e pajetueshme Mirdita, e kanë bërë të tillë. Këtë e dinë të gjithë. Prandaj dalim te tema që dua të trajtoj.

Jo se nuk e kanë trajtuar mirditorë të tjerë, apo edhe institucione vendore. Por se dua ti jap ZÂ. Nuk duhet të pranojmë padrejtësinë. Jam lindur, jam rritur, kam vuajtur pafund prej padrejtësisë, si gjithë Mirdita, prandaj e refuzoj në çdo anë të vij ajo.

E padrejtësi më të madhe se i bëhet një komuniteti duke i marrë çfar është e vetja, nuk ka. Prandaj duhet luftuar për të, sot jo nesër.

Bashkia Mirditë, edhe për faktin se sot drejtohet nga një pinioll i një familje historike ndër më të nderuarat e saj, ka barrën e ideimit, programimit dhe drejtimit të procesit të ribërjes së Mirditës, të cilën e ka filluar si proces. Duhet të kemi parasyshë se, kush ka në dorë për të ndaluar padrejtësinë, apo si në rastin konkret për të luftuar për drejtësi e nuk e bën, është përgjegjës sa shkaktari i saj. Pra jemi të gjithë përgjegjës nëse nuk bëjmë gjënë e duhur për tokën tonë.

Mendoj se duhet një strategji e kujdesëshme, e matur, e llogaritur dhe e unifikuar, sigurisht edhe e shpejtë. Kjo mund të realizohet me ekip mentar, agjendë të përcaktuar, synim të qartë e vendosmëri. Nuk mjaftojnë vetëm takime e biseda publike, sepse të gjithë janë dakort për ç’ka na takon.

Takimet më të para duhet të ndodhin me komunitetet mirditore që duhet të bashkohen. Pa vullnetin dhe kërkesën e tyre për të qënë pjesë e Mirditës asnjë komision, apo grup pune nuk mund ta realizojë. Unë besoj se komuniteti mirditor i ndarë tash mbi 80 vjet është i përgatitur e mezipret të ndodhë bashkimi.

Prandaj Bashkia Mirditë duhet të marrë kontakte me eksponentë të shquar të komuniteteve të Njësive Administrative të Bazit, Ulzës, Gjegjanit, Fushë-Arrëzit, Ungrejt për ti bërë pjesë të grupit të punës. Pa ata nuk ndizet drita e shpresës për bashkim.

Sepse, është normale që e keqja (ndarja) të ketë lënë gjurmë të thella që prek interesa të caktuara ekonomike e infrastrukturore etj. Por, në kuadrin e digjitalizimit të shërbimeve nuk është më arsye largësia e qendrës me periferinë.

Përse duhet filluar nga plagët kurimi? Sepse ndarja e Mirditës është më shumë se 80 vjeçare dhe për fat të keq ka lënë pasoja. Në këtë ndërmarrje historike e rëndësishme është që komunitetet e ndara të kenë besim se procesi i bashkimit është edhe proces infrastrukturor që i mundëson shërbimet ndaj tyre. Këtë e vlerësoj të rëndësishme për zona si Ungrej e Vig-Hajmel (nëse do bëhet pjesë), por jo për Bazin e Ulzën që me rreth 20 km rrugë Ulëz-Rrëshen krijohen të gjitha mundësitë për akses social, administrativ e ekonomik. Ndërkohë është krejt i lehtë bashkimi pa kurrfar pengese për Fushë-Arrzin e Gjegjanin të cilët e kanë infrastrukturën e gatshme.

Jam i bindur se nuk po them ndonjë gjë të re që s’e kanë në mendje Bashkia Mirditë dhe ekipi që ka nis diskutimin e kësaj çeshtje. Por, ajo që dua të sjellë në vëmendjen e të gjithë mirditorëve janë këto pika:

  1. Ngritja e një grupi pune me intelektualë dhe të zgjedhur lokal për të marrë kontakte me banorët e zonave të ndara.
  2. Organizimin e takimeve me banorët e Njësive Administrative Baz, Ulzë, Fushë-Arrëz, Gjegjan, Ungrej;
  3. Mjetet e presionit që mund të ushtrohen ndaj vendimmarrësve, deri në bojkot të zgjedhjeve lokale.
  4. Paraqitja e një pakete ekonomiko-financiare që sjellë bashkimi i territoreve të Mirditës, siq janë infrastruktura dhe renta që i takon Mirditës nga burimet e saj natyrore.

Këto kisha si mendime për ti ndarë me të gjithë mirditorët kudo që ndodhen.
Mirdita sot ka nevojë për ne bijt e bijat e saj si Drita për Diellin.
Ti dalim zot është vetëm detyrë!

Pres komente e opinione!

Me respekt,
Av. Ndre Molla

Written by: WindowRadio.de

Rate it