Partia SD kërkon ligj për heqje të nënshtetësisë suedeze për kriminelët e rëndë
Një debat i fortë politik po shpërthen në Suedi pas propozimit të ri të partisë Sverigedemokraterna (SD), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo parti kërkon që shteti suedez të ketë të drejtën ligjore të tërheqë nënshtetësinë për personat që kanë kryer krime të rënda, duke i përjashtuar ata nga e drejta për të qenë pjesë e shoqërisë suedeze.
Sipas udhëheqësve të SD-së, ky do të ishte vetëm hapi i parë drejt një politike më të ashpër ndaj atyre që abuzojnë me besimin e Suedisë dhe shkelin ligjet e saj. Me kalimin e kohës, propozimi mund të zgjerohet edhe për krime më të lehta apo shkelje të tjera të rendit publik, duke synuar një sistem më rigoroz për përjashtimin e të huajve që konsiderohen të padëshirueshëm në vend.
Por për të mundësuar një gjë të tillë, kërkohet ndryshim kushtetute – një proces kompleks dhe i gjatë në Suedi. Për këtë arsye, SD ka dalë me një propozim zyrtar për ndryshime kushtetuese, të cilat do të lejonin revokimin e shtetësisë në raste të caktuara.
Ajo që e bën këtë nismë edhe më të veçantë është fakti se partia kërkon që ndryshimet të mos miratohen nga parlamenti, siç është zakonisht praktika në vend, por të vendosë populli me referendum kombëtar.
Sipas SD-së, “një çështje kaq themelore për identitetin dhe sovranitetin suedez duhet t’i përkasë popullit, jo vetëm elitës politike në Riksdag.”
Si zhvillohet procesi ligjor?
Për të zhvilluar një referendum të tillë, sipas rregullave parlamentare suedeze, kërkohet një procedurë e saktë:
Fillimisht, nevojiten të paktën 35 nënshkrime nga deputetët (ledamöter) për të ngritur zyrtarisht kërkesën. Më pas, propozimi duhet të marrë mbështetjen e një të tretës së parlamentit, pra të paktën 117 deputetë.
Aktualisht, SD ka 72 deputetë, çka do të thotë se partia duhet të kërkojë mbështetje nga forca të tjera politike për të kaluar pragun e nevojshëm dhe për ta çuar çështjen drejt referendumit. Burime pranë partisë kanë lënë të kuptohet se negociatat me deputetë individualë nga blloqe të tjera tashmë kanë filluar, me qëllim që të krijohet një front i përbashkët për “rishikimin e vlerave kushtetuese të Suedisë”.
Një debat që ndan Suedinë
Kritikët e këtij propozimi e konsiderojnë iniciativën si kërcënim për parimet themelore të shtetësisë, duke paralajmëruar se ajo mund të çojë në përjashtime selektive dhe diskriminuese, veçanërisht ndaj emigrantëve. Ndërkohë, mbështetësit e SD-së e shohin si akt drejtësie dhe sigurie kombëtare, duke argumentuar se “shtetësia nuk duhet të jetë një mburojë për kriminelët”.
Në thelb, nisma e re e SD-së përfaqëson një ndryshim të madh në filozofinë e shtetësisë suedeze, e cila tradicionalisht ka qenë e bazuar në integrim, tolerancë dhe mbrojtje të të drejtave individuale. Tashmë, debati po zhvendoset drejt idesë së “shtetësisë me përgjegjësi”, ku mbajtja e saj mund të jetë e kushtëzuar me respektimin e rregullave dhe ligjeve të vendit.
Nëse ky propozim arrin të mbledhë numrin e mjaftueshëm të votave në parlament, Suedia mund të përballet për herë të parë me një referendum historik për të ndryshuar kushtetutën e saj – dhe rrjedhimisht, konceptin e vetë identitetit suedez në shekullin XXI.
🟦 #boteshqiptarenesuedi
🟨 #shqiptaretnesuedi
🟦 #shqiptaretneperbote
🟨 #shtetesiasuedeze
📍 @stora_fans
✍️ Nga Alvin Ekmekciu Mielli




