Gjygjtari i ndjerë që u vra para dy ditësh në tavolinën e tij të punës është thjeshtë viktimë e një sistemi drejtësie të dështuar dhe të padrejtë.
Çfarëdo nderimi që do ti bëhet atij pas vdekjes nga pushteti dhe opozita është as më pak, as më shumë, se një “make up” i shëmtuar që ata mundohen ti bëjnë dështimeve të tyre ciklike, për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratik të qëndrueshëm, ku qytetari është “mbreti” dhe zyrtari është “shërbëtori” i tij.
Në një shtet ku udhëheq krimi i organizuar, paraja e drogës, korrupsioni dhe i forti i lagjes, fatin e gjygjtarit të ndjerë mund ta ketë çdo ditë të vitit, cilido shtetas i këtij vendi.
Pa dallim nëse është i fajshëm, apo viktimë, është qytetar i thjeshtë, apo i pari i pushtet-shtetit tonë të kalbur .
Reagimi i qytetarëve nëpër rrjetet sociale gjoja në “mbrojtje” të agresorit nuk duhet parë në asnjë rrethanë si i tillë.
Ai duhet lexuar si një shfrim mllefi, për padrejtësitë që ju bëhen atyre çdo ditë nga institucionet e shtetit të munguar, që nga kapterri deri tek gjenerali, nga portieri i zyrës së ndihmës sociale, deri tek i pari i pushtetit.
Pushtet-shtet i cili në vend që t’ju afroj shtetasve të tij shërbimet që ju takojnë me ligj i grabit ata, i fyen, i mashtron, i trajton si skllevër.
Pushtetar që i shohin qytetarët e vendit të tyre si bankomate për llogoritë e veta, si objekte për pasurim, si kavie për eksperimente të durimit dhe shfrytëzimit të njeriut.
Ndaj vrasja e gjygjtarit përtej dhimbjes së familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duhet të shërbej si një moment i thellë reflektimi për gjithë shoqërinë tonë të traumatizuar nga keq qeverisja.
Duhet të shndrrohet në revoltë qytetare ndaj pushtetit, jo ndaj individit.
Duhet të çoj në zgjimin e ndërgjegjës së fjetur të çdo zyrtari, në çdo hallkë të shtetit.
Të cilët duhet të distancohet nga arroganca ndaj qytetarëve, të denoncojnë aktet korruptive të eprorëve të tyre, të dorëhiqen masivisht nga detyrat që nuk i përmbushin për shkaqe që s”varen prej tyre.
Duhet të ndërgjegjësohet çdo kush për rëndësinë që ka si individ për ndryshimin e realitetit tronditës që po kalon shoqëria jonë.
Që të mos përseritet më ngjarja dramatike e ndodhur dy ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, qytetarët shqiptarë duhet të demostrojnë nëpër rrugë, para institucioneve që i dhunojnë dhe jo nëpër rrjete sociale.
Kurrë s’është vonë me u çlirue prej skllavërisë.
Bislim Ahmetaj




