22.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeShëndetësiSa ndryshon sistemi shëndetsor shqiptar nga ai gjerman??

Sa ndryshon sistemi shëndetsor shqiptar nga ai gjerman??

Sa ndryshon sistemi shëndetsor shqiptar nga ai gjerman??

Sistemi shëndetësor është nga hallkat më të rëndësishme të një vendi. Nëpërmjet këtij postimi do doja të ndalesha në disa pika për të përballur dy realitete të sistemit shëndetësor të një vendi perëndimor si Gjermania dhe vendit tonë Shqipërisë me aspiratat e mëdhaja për të qenë pjesë e bashkimit europian. Nuk jam specialiste e shëndetit publik, por do flas me aq njohuri sa kam për dy sistemet në këndvështrimin e një mjekeje.
● Siguracioni shëndetësor në Gjermani është i detyrueshëm me ligj. Çdo qytetar duhet të jetë i siguruar, të pajiset me një kartë siguracioni shëndetësor. Siguracioni mund të jetë privat ose shtetëror. Pagesa mujore për siguracionin shëndetësor bëhet në varësi të të ardhurave mujore të individit, nëse je i papunë mbulohet nga shteti. Siguracioni shëndetësor paguhet një pjesë nga punëdhënësi dhe një pjesë nga punëmarrësi. Ky quhet si principi i solidaritetit, pra kostoja e shërbimit shëndetësor mbahet nga ata që punojnë edhe për të varfërit sikundër nga ata që janë të shëndetshëm edhe për të sëmurët duke i dhënë mundësinë çdo njeriu të marrë shërbimin shëndetësor. Shteti vendos ligjet por menaxhimi i të ardhurave bëhet nga shërbimi shëndetësor publik që janë spitalet dhe kasat e siguracionit shëndetësor. Në Shqipëri kemi nga njëra anë shtetin që kontrollon çdo gjë në shërbimin shëndetësor publik përfshirë dhe menaxhimin e shpërndarjen e burimeve financiare dhe shërbimin shëndetësor privat që është komplet i pavarur në funksionin e tij. Punëdhënësi nuk paguan tarifë për siguracionin shëndetësor të punëmarrësit.
● Receta mjekësore e lëshuar nga mjekët në Gjermani funksionon si recetë elektronike nga janari 2024. Domethënë pacienti vizitohet te mjeku dhe receta i lëshohet në sistem te karta e shëndetit dhe shkon i merr ilaçet duke paraqitur kartën e shëndetit në farmaci. Për pacientët që janë të sëmurë kronikë dhe marrin çdo muaj ilaçe, nuk është nevoja të shkojnë gjithmonë të mjeku i familjes për të marrë recetën. Kjo metodë e recetës elektronike sjell shmangien e gabimeve dhe keqinterpretimeve të shkrimit të mjekëve nga farmacistët nëse receta do shkruhej me dorë dhe eleminon rrugën dhe pritjen e pacientëve te mjeku familjes për të marrë recetën. Recetat kanë ngjyra të ndryshme që lidhen me kohëzgjatjen e vlefshmërisë së recetës, llojin e ilaçeve që përshkruhen. Pacienti paguan një tarifë fikse prej 5-10€ për recetë dhe pjesën tjetër e mbulon siguracioni. Po ashtu pjesa më e madhe e ilaçeve nuk merren dot pa recetë nga mjeku duke shmangur abuzimin dhe marrjen pa kriter të ilaçeve si antibiotikët, analgjezikë (ilaçe kundër dhimbjeve) etj.
Krahasimisht me vendin tonë, recetat vazhdojnë të shkruhen me dorë, shpesh ndodhin gabime ne interpretim dhe shumë ilaçe janë kosto për xhepin e pacientëve. Gjithashtu çdokush mund të blejë çfarëdo ilaçi të dojë në farmaci edhe pa recetë.
● Shteti gjerman është i detyruar ti ofrojë çdo qytetari që ka një siguracion shëndetësor çdo shërbim shëndetësor që është i nevojshëm për të shpëtuar jetën e pacientit dhe përmirësuar cilësinë e saj duke përfshirë edhe trajtime rehabilitues. Në vendin tonë shumë shërbime mjekësore kanë kosto të lartë financiare dhe jetësore për pacientët sepse nuk ofrohen në shërbimin shëndetësor publik si për shembull trombektomia në rastin e një ishemie cerebrale. Fatkeqësisht pacientët detyrohen të drejtohen në spitale private me kosto marramendëse për të marrë këto shërbime.
● Në Gjermani spitalet ofrojnë specializime për mjekët e rinj duke mos e centralizuar këtë formim vetëm në një spital si QSUT në Shqipëri si i vetmi spital formimi postuniversitar. Kjo sjell një shpërndarje më të barabartë të mjekëve në vend.

Dr Marseda Spiro
Mjeke Interne, Gjermani.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat