Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayJuly 23, 2025
Si ka mundësi që Berisha sot mbron Erion Veliajn?Çfarë ndodhi me luftën ndaj rilindjes?Demokratët ndihen të tradhtuar.
Në një skenë që pak kush do ta kishte imagjinuar disa muaj më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për shtyp për të ngritur zërin jo vetëm për Ilir Metën – aleatin e tij politik në opozitë – por edhe për… Erion Veliajn!
Po, pikërisht për atë që për vite të tëra Berisha dhe demokratët e kanë akuzuar si veglën më të ndyrë të regjimit të Edi Ramës, si simbolin e propagandës, manipulimeve dhe zhvatjes urbane të Tiranës.Sot, befas, Veliaj nuk është më “makineria e shpifjes” apo “kryebashkiaku që shkatërroi qytetin”, por “i burgosuri ordiner” për të cilin Berisha kërkon hetim nga Avokati i Popullit.
Çfarë ndodhi ndërkohë?Kush është ky Sali Berisha që sot qan hallet e Veliajt dhe kërkon që të mbrohet nga torturat?Po demokratët që janë rrahur, arrestuar dhe përndjekur nga njerëzit e Veliajt, si ndihen sot?
Kjo deklaratë ka shkaktuar një tronditje të thellë në radhët e demokratëve të thjeshtë, militantëve, protestuesve, atyre që janë ndaluar në rrugë për një pankartë kundër Veliajt, apo që janë shantazhuar nga administrata rilindase për vite me radhë.Sot, ata shohin liderin e tyre duke dalë publikisht dhe ngritur zërin për të mbrojtur pikërisht njeriun që ua ka bërë jetën ferr, njeriun që vetëm pak muaj më parë festonte fitoren e “rilindjes” në Tiranë me flamuj dhe himne false.
Ironia është therëse:Veliaj, simboli i shkatërrimit të PD-së në kryeqytet, tani bëhet objekt i ndjeshmërisë së Berishës.
Kjo nuk është thjesht një shkarje retorike. Është një moment që ka shkundur themelet e asaj që mbeti nga morali politik i opozitës.Demokratët e ndershëm pyesin sot me zë të lartë:A kemi bërë gjithë këtë betejë për t’u shndërruar në avokatë të Veliajt?A jemi ngritur në protesta, jemi përballur me gaz lotsjellës dhe kemi sakrifikuar jetë personale që tani të ndjejmë keqardhje për njerëzit e regjimit që për vite me radhë na kanë persekutuar?
Ka një kufi të qartë midis mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe kapërcimit të çdo logjike politike.Por ky kufi sot u shkel me dy këmbë.Berisha mund të denoncojë dhunën ndaj Metës – kjo është normale. Por kur vendos të “qajë” edhe për Erion Veliaj, ai nuk ngatërron më vetëm armiqtë me aleatët, por ngatërron idealin me kalkulimin politik.
Sepse demokratët nuk kanë harruar.
Nuk kanë harruar rrahjet në protestat e opozitës, kur Veliaj e kishte Tiranën bunker policor.
Nuk kanë harruar arrogantin që bënte fushatë me kriminelë dhe u tallte me ta në rrjetet sociale.
Nuk kanë harruar kryebashkiakun që mbolli beton, shkatërroi sheshe publike, vodhi paratë e inceneratorëve dhe qeshte në fytyrën e të varfërve.
Dhe sot, ai del viktimë?
Nëse kjo është linja e re politike e PD-së – të mbrojmë edhe Veliajn nga regjimi që e ka ngritur vetë – atëherë opozita ka hyrë në fazën e vetëasgjësimit moral.
Demokratët nuk janë budallenj.Ata e kuptojnë kur diçka nuk shkon.Dhe kjo që ndodhi sot, është një nga ato plagë që nuk mbyllet lehtë.
Berisha duhet ta kuptojë:Nuk mund të kthehesh në zëdhënës të drejtësisë selektive dhe në të njëjtën kohë të bësh avokatin e armikut tënd politik.
Nëse edhe Veliaj bëhet “i persekutuar”, atëherë po tallem me popullin opozitar.
Ndaj, më shumë se sa një thirrje për Avokatin e Popullit, sot duhej një reflektim për dinjitetin e opozitës.Sepse nuk ka më turp më të madh për një demokrat të ndershëm, sesa ta dëgjojë liderin e vet duke u shqetësuar për hallet e Veliajt, ndërkohë që ata vetë janë të papunë, të nëpërkëmbur dhe pa zë.
Written by: Window.Al