Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Obsesioni i turismit: me pushues apo pushtues?!

todayJuly 25, 2026 9

Background
share close

E ashtuquejtuna “Paketa e Maleve apo Haleve” bashkë me narrativën e imponueme të zhvillimit kapitalist, demek të vonuem në Shqipni, asht akti i rradhës i amnistimit dhe thellimit të hajnisë si dhe vorfnimit në nivele sadiste të qytetarëve shqiptar prej zaptuesve pushtetar të tyne në tana nivelet. Mbas “qekut të bardhë”, “terapisë shok” dhe imponime të tjera terminologjike (në praktikë shkatërrim metodik të vendit) të masonerisë ndërkombtare të globalizmit ekonomik, e cila kishte gjetë në gjirizet e sistemit të kalbun komunist, disa papagaj injorant e shërbtor të rëndomtë në kapërcyellin e shndërrimit të pushtetit në vitet ’90, u hodhën bazat e shkatërrimit gati total të strukturës shtetnore dhe humbjes përfundimtare të sovranitetit minimal politik dhe ekonomik të vendit.
Madje, edhe Partia Komuniste që ishte despotike dhe e konsideronte vedin mbi Shtetin, ia kishte njoftë atij disa marzhe autonomie, tue lejue nji minimalizëm arsye në funksionimin e tij me nji farë personeli kompetent për me menaxhue “Res Publikën”.
Shkatërrimi i strukturës shtetnore thjesht për sundim e urrejtje shoqnore të nji klike të vogël oligarkike që paradoksalisht vetëlegjitimohej si antikomuniste, ka përftue nji situatë ekonomike e shoqnore kaotike e cila e ushqen statuskuonë e vet me premtime mrekullibase të rrejshme si puna e turizmit e reçeta të tjera qesharake. Modeli ekonomik kriminal i hajnisë dhe ushqimi i saj me “serumet” e pareve që vijnë prej trafiqeve të ndryshme apo korrupsionit, kanë diktue nevojën e kanalizimit të shpejtë të tyne në industrinë e mafies të ndërtimit dhe ligji mbi “Paketën e Maleve” asht kryekëput nevojë emergjente e oligarkisë tonë provinciale dhe e pushtetit politik, mediatik për me gllabërue çdo centimetër territor të Shqipnisë. Industria moderne e turizmit, premisat e të cilës janë të molepsuna prej dimensionit konsumist, e transplantueme, në rastin ma të mirë, copy past në nji vend pa imunitet kulturor në këtë fushë si Shqipnia, do të kishte mjaftue me pasë nji minimum qasje kritike nga ana e shtetit shqiptar përballë ktij fenomeni. Në fakt, qysh në kry të herës, zonat potenciale të turizmit u grabitën me posedim të paligjshëm e tash po përfundon proçesi i legalizimit të padrejtësisë shoqnore në favor të mafies lokale dhe rajonale të zaptimit të territorit të Shqipnisë. Modeli i “ekononisë të Sudes” i aplikuem degës të Turizmit, ka mbrri vitet e fundit nji “doping narkotizues e të fryem” të jashtëzakonshëm, në rrjetën e të cilit kanë ra “masat popullore”, si konsumues idiot koordinatash gjeografike, të sajdisuna prej propogandës të rrjeteve sociale. Përtej ndonji zani kritik sporadik, pushuesi i induktuem shqiptar, sidomos ata që kanë pak larg detin dhe vijnë prej vilajetit të Kosovës, janë ba ba aleatët ma të mëdhej të mafies të ndërtimit dhe shkatërrimit të turizmit shqiptar dhe nji modeli të mundshëm alternativ të tij. E shkruej këtë rresht, edhe në përgjigje të nji otomani të thekun të rrjeteve sociale që u kreh bishtin kosovarëve për demek “turizmin patriotik”..
E vërteta ash krejt tjetër: prishje të tregut imobiliar shqiptar, investime strategjike serbe me emna shqiptar dhe zmadhim në shkallën e epërme të vesit grabitçar të sipërmarrësit shqiptar që asht ai babëzisë absolute. Shqipnia, sikur e kam thanë para shumë vitesh në nji emision ne Tvsh, nuk ka nevojë për resorte apo saraje otomane për bllokmenët e post-monizmit, por për nji zhvillim të integruem të resurseve të veta të kufizueme dhe ruejtjen e ekosistemit të vet kulturor, fetar dhe gjeologjik. Rasti i Durrësit, qytet bregdetar antik me randësi kardinale, i shndrruem në nji nevojtore të madhe prej antimodelit tonë të turizmit, i Shëngjinit i cili tashma po bahet si Gaza apo Islamabadi apo i Rrjollit e Tales ku ndërtimet e betonit diabolik po shkretojnë bukuritë e tyne, janë investimi ma i madh anti-ekonomik që po realizohet në Shqipni. Mendësia e fesë të shkretinës që don me shkretue gjithëshka dhe që po propogandohet si zhvillim ekonomik, nuk mundet me na shantazhue e shpërla trunin, tue na kalamendue në nji pasivitet vrastar e fatalist. Me ba turizëm, tue “gërvesh” madje edhe malin për ndërtesa betoni turizmi, sikur po ndodhë afër Ranës të Hedhun, asht nji ndër aktet ma të turpshme të historisë të turizmit shqiptar e cila ngarkon me përgjegjësi para ligjit e Zotit ato që kanë dhanë leje apo hesht në rastin ma të mirë, për me kundërshtue përdhunimin spektakolar të territorit.
Shqipnia nuk ka nevojë për ligje të veçanta në laminë e turizmit, por për azhornim të kalibruem të ligjit të urbanizimit dhe rikuperim të vijës bregdetare në kondita të shëndetshme, tue e ba të aksesueshme nga pikëpamja infrastrukturore në mnyrë që të ketë nji integrim perfekt me territorin e fshatnave e qyeteve ma të afërt. Tutela e territorit prej instinktit gllabërues të mafies të ndërtimit, nuk asht kapriço apo luks që nuk mundena me e tentue për nevoja pragmatike, por domosdoshmëni jetike për me ndalë hovin vetëshkatërrues që asht në veprim. Ka ardhë koha që shumica e shqiptarëve, sidomos ato që jetojnë jashtë e kthehen për “turizëm afektiv” e jo patriotik, të rikuperojnë nji qasje kritike, shpirtnisht ekologjike dhe antikonformiste në mnyrën e të jetuemit të pushimeve, tue braktisë modelin e paketave të induktueme të pishinave me krypë të “anadollit”, si dhe tue privilegjue ndejen në habitatet e ndershmënisë e të ndërveprimit aktiv dashamirës me spostime të vogla në vend. Turizëm me navigator, të standartizuem, të atrofizuem apo të izoluem deri në tjetërsim për me shpërthy mandej në foto narçize në vendet e përcaktueme prej publicitetit virtual, janë ba tashma modeli ma i keq i mundshëm dhe kane nji kosto të naltë jo sall financiare por edhe të shëndetit mendor e trupor.
Qeveria Rama, tashma në grahmat e fundit për mëkatet e randa në përshpejtimin e nji modeli hajnie molekulare edhe ne fushën e turizmit, shpresojmë shpejt të zëvendësohet me nji frymë të përgjegjshme politike me fokus fillimin e nji procesi të vonuem korrigjimesh të dameve të mëdha që janë ba në fushën ekonomike në ktë 36 vjet. Në qeverinë e ardhshme asht mirë me pasë nji ministri ad hoc për rikuperimin dhe korrigjimin e dameve të mjedisit dhe konfiskimit të produkteve të veprave penale mjedisore në shërbim të komunitetit, aty ku asht e mundun. Prandej, pushuesi mos ta legjitimojë pushtuesin..

Shkruan Nest Zefi:

Written by: WindowRadio.de

Rate it