Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Vrasësit e drejtësisë festojnë dhjetëvjetorin e kufomës!

todayJuly 23, 2026 3

Background
share close

(shkrim i gjatë dhe i gjerë)

  • Replikë ndaj kremtimit alla Fatmir Xhafa, të një eksperimenti që u vrau qytetarëve të drejtat dhe profesionistëve zanatin

Pas 10 vjetësh reformë në drejtësi nuk ka asgjë për të festuar. Nuk ka “dekadë që ndryshoi shtetin” siç tallet Fatmir Xhafa në një shkrim të publikuar nga të gjitha dritaret mediatike të qeverisë. Ka vetë, një dekadë që çmontoi drejtësinë, zbrazi gjykatat, shkatërroi hierarkinë profesionale, poshtëroi avokatinë, shumëfishoi kohën dhe koston e çdo procesi dhe e la qytetarin pa asnjë vend ku të mbrojë realisht të drejtat.

Të gjitha deshtimet e reformës ishin të paralajmëruara nga shumë prej nesh që në ditën e parë të hedhjes së idesë.

Fatmir Xhafaj mund të shkruajë sa të dojë për “projekt shtetformues”, “pasaportë europiane”, “fundin e pandëshkueshmërisë” dhe “dekadën e konsolidimit”. Për ne që jetojmë çdo ditë mes dosjeve, sallave të gjyqit, shtyrjeve pa fund, vendimeve të paarsyetuara dhe klientëve që plaken duke pritur, këto fjalë nuk janë thjesht rreshta propagande.

Por, janë tallja më e madhe në mes të ditës.

Reforma në Drejtësi ishte një projekt i Bashkimit Europian, me mbështetje gjithashtu politike, teknike dhe financiare amerikane. Ajo nuk u projektua thjesht nga disa juristë shqiptarë të frymëzuar nga dëshira për shtetformim. Ajo u imponua si operacion ndërkombëtar, u shit si recetë shpëtimi dhe u mbrojt me një trysni të tillë, sa çdo kritik u shpall menjëherë armik i drejtësisë, mbrojtës i korrupsionit ose kundërshtar i integrimit.

Tashmë, të njëjtët mbështetës të reformës nuk guxojnë ta rekomandojnë në vende të tjera. Evropa nuk do të guxonte më që ta aplikonte këtë eksperiment në një shtet të vetin, që të zbrazte brenda pak vitesh gjykatat, të linte gjykatat më të larta pa kuorum, të shkarkonte qindra magjistratë profesionistë pa pasur gati zëvendësuesit dhe pastaj t’u kërkonte qytetarëve të prisnin me durim derisa eksperimenti të prodhonte magjistratë të rinj, pasi t’u mbinte bari nja dy brezave qytetarësh.

Në Shqipëri e bënë ama. Dhe nuk do ta pranojnë kurrë se çfarë bënë.

Mos prisni që Bashkimi Europian të dalë nesër e të thotë: “Na falni, projekti ynë e vrau drejtësinë shqiptare.” Nuk do ta thotë kurrë. Ata kanë investuar miliona euro, mijëra orë ekspertize, deklarata politike, emra ambasadorësh, reputacion institucional dhe dhjetë vjet propagandë. Pranimi i dështimit të reformës do të ishte pranimi i dështimit të tyre.

Prandaj përdorin gjuhën e balsamosjes diplomatike. Nuk thonë se gjykatat kanë ngordhur, por thonë se ka “sfida të vazhdueshme”. Nuk thonë se qytetari nuk merr drejtësi, por thonë se “efikasiteti mbetet i kufizuar”. Nuk thonë se profesionistëve iu shkatërrua zanati, por thonë se nevojiten “kapacitete shtesë”. Nuk thonë se apeli është kthyer në varrezë dosjesh, por thonë se “koha e disponimit mbetet e lartë”.

Këshilli i Europës ka llogaritur se, për vitin 2024, koha teorike e nevojshme për përpunimin e çështjeve civile dhe tregtare në shkallën e dytë ishte 5.496 ditë.

Pesëmbëdhjetë vjet në apel…

Për çështjet administrative në apel: 3.276 ditë. Thënë ndryshë, rreth nëntë vjet. Dhe shifrat po përkeqësohen çdo ditë. Vitet që do vijnë, nëse nuk pranon ky shtet dhe BE dështimin dhe të venë dorë, kjo shifër do shkojë pa frikë edhe 15 apo 20 vjet.

E pra, pesëmbëdhjetë vjet në një shkallë gjykimi nuk janë thjesht një “sfidë”. Pesëmbëdhjetë vjet janë mohim total i drejtësisë. Pesëmbëdhjetë vjet janë një shtet pa gjykata për një brez të tërë njerëzish.

  1. Asnjë e drejtë nuk ekziston pa pasur një gjykatë ku ta mbrosh të drejtën

Mund të shkruash në Kushtetutë sa të duash se prona është e garantuar. Po ku do ta mbrosh pronën? Mund të shkruash se shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarin kur i shkakton një dëm. Kur do ta marrësh dëmshpërblimin? Mund të vendosësh në kontratë njëzet nene për penalitetet, garancitë, afatet dhe përgjegjësinë. Kush do t’i zbatojë ato?

Noterët qeshin sot kur hallexhinjtë kërkojnë të hartojnë kontrata të sofistikuara dhe duan të shtojnë një nen të veçantë për mbrojtjen e tyre. “Ku do ta mbrosh këtë nen?”, pyesin. “Në cilën gjykatë?” “Kur?” “Kur të të ketë mbirë bari sipër?”

Dhe kanë të drejtë. Një normë juridike pa gjykatë është thjesht një njollë boje printeri mbi letër. Një kontratë pa një gjykatë funksionale katandiset në një marrëveshje nderi midis palëve, që zbatohet vetëm nëse të dyja kanë dëshirë. Madje edhe një Kushtetutë pa gjykatë është broshurë propagandistike. Një e drejtë që mbrohet pas pesëmbëdhjetë ose tridhjetë vjetësh, nëse çështja kthehet për rigjykim, nuk është më e drejtë. Është një epitaf që gjykata ia vendos qytetarit mbi varr: “Kishe të drejtë o njeri, por shteti nuk pati kohë ta thoshte sa ishe gjallë.”

  1. Avokatëve iu vra zanati

Mijëra profesionistë e dinë mirë se çfarë ka ndodhur. Avokatët sot nuk po qajnë sepse “nuk kanë më kë të korruptojnë”. Nuk po qajnë të korruptuarit që u larguan. Nuk po kërkojnë rikthimin e sistemit të vjetër. Por po qajnë vdekjen e vetë konceptit të procesit gjyqësor.

Një avokat mbi 50 vjeç sot mendon dy herë përpara se të marrë një çështje të re civile, pronësie ose administrative. Jo sepse nuk ka punë. Por sepse e di se çështja mund të mos përfundojë dot gjatë jetës së tij profesionale. Avokati mund të dalë në pension kur dosja të jetë ende në apel. Mund të vdesë kur rekursi të jetë ende në raftin e Gjykatës së Lartë. Mund t’ia lërë çështjen një kolegu më të ri, i cili do t’ia lërë një tjetri, ndërsa klienti do t’ua lërë trashëgimtarëve.

Dikur avokati mund t’i thoshte klientit “kjo çështje është e vështirë, por ke të drejtë dhe do të luftojmë.” Ndërsa sot duhet t’i thotë “ke të drejtë, por nuk dihet nëse do të jesh gjallë kur gjykata ta pranojë.”

E pra, ky nuk është më profesion juridik. Është shndërruar në një shërbim shoqërimi psikologjik gjatë agonisë.

Avokatët sot, në vend të strategjive për të fituar çështjen, hartojnë strategjitë për ta mbajtur klientin gjallë financiarisht dhe psikologjikisht gjatë procesit. Duhet t’i shpjegojë pse seanca u shty edhe gjashtë muaj, pse gjyqtari nuk ka zbardhur vendimin edhe pas një viti, pse dosja nuk ka mbërritur në apel, pse apeli po shqyrton ende çështje të regjistruara gati dhjetë vjet më parë. Duhet t’i shpjegojë pse rekursi mund të presë edhe nja pesë vjet të tjera, vetëm që Gjykata e Lartë ta hedhë tej me një paragraf standard moskalimi.

Dhe klienti, me të drejtë, pyet “Ore për çfarë të paguaj? Për çfarë të luftoj”

  1. Sot gjykohen ankimet e vitit 2018, ndërsa ankimet e sotme mund të shkojnë përtej vitit 2045

Në shumë seksione të apelit, kalendari publik i gjykatës tregon ende në vitin 2026 ankime që u përkasin vitit 2018. Nëse çdo një vit ankimesh kërkon afërsisht tre vjet kalendarikë për t’u konsumuar, bëjeni vetë llogarinë. Ankimet e depozituara sot nuk do të shqyrtohen vitin tjetër, e as në vitin 2030. Me këto ritme, mund të shkojnë përtej vitit 2045.

Tallje apo jo?
Mendojeni, një njeri 50 vjeç sot nis një çështje. Gjykata mund ta shqyrtojë me vendim të formës së prerë kur ai të jetë rreth 70 vjeç. Po pati fat që çështja të mos i kthehet për rigjykim. Një njeri 67 vjeç kërkon pensionin. Do të ishte 85 vjeç e kusur kur apeli të arrinte te dosja e tij. Një fëmijë lind sot në një familje me konflikt pronësie. Mund të bëhet prind vetë përpara se gjykata të vendosë kujt i takon prona.

Dhe ne duhet të festojmë sepse SPAK-u arrestoi një ministër. Hajde të kënaqemi me SPAK-un tani. Hajde të bëjmë ceremoni. Hajde të fryjmë qirinjtë e dhjetëvjetorit mbi dosjet e njerëzve që kanë vdekur duke pritur.

  1. Gjykata vendos për fëmijërinë pasi fëmijëria ka mbaruar

Sot sheh vendime për lënien e fëmijës për rritje dhe edukim pranë njërit prind, kur fëmija ndërkohë është rritur. Gjykata vendos se me kë duhej të jetonte një fëmijë që nuk është më fëmijë. Marrëdhënia me njërin prind është shkatërruar. Vitet e formimit kanë kaluar. Dëmi psikologjik është kryer. Familja është copëtuar. Pastaj vjen gjykata dhe shpall se kush kishte të drejtë dhjetë vjet më parë.

Çfarë rregulloi? Asgjë. Vetëm sa dokumentoi kufomën e një marrëdhënieje familjare.

Sheh çështje pronësie që vijojnë, ndërsa pala tjetër e ka futur objektin në legalizim, e ka regjistruar, e ka shitur, e ka rindërtuar ose ka krijuar mbi të një zinxhir të ri marrëdhëniesh juridike. Kur vjen vendimi, prona për të cilën nisi gjyqi ekziston vetëm në fotografitë e vjetra të dosjes. Sheh gjyqe dëmshpërblimi që fitohen pasi paraja ka humbur disa herë fuqinë blerëse. Qytetari fiton në letër dhe humbet në realitet. Kur nisi procesin, me atë shumë mund të blinte një apartament. Kur mbaron, mund të blejë shumë shumë një copë vend parkimi.

Sheh gjyqe tenderash që vazhdojnë kur tenderi është zbatuar, paratë janë paguar, objekti është konsumuar, zyrtarët janë larguar dhe është harruar kush ishte ministër kur nisi procesi. Gjykata kontrollon ligjshmërinë e një gare që nuk ka më as garues, as kontratë, as efekt.

Sheh pensionistë që fitojnë gjyqin pasi kanë vdekur. Drejtësia u jep të drejtë trashëgimtarëve ndërkohë që ia mohou vetë të zotit.

Sheh në gjykata gjyqe për kërkim informacionesh e dokumentesh nga gazetarët, që nga vitet 2013-2014. Për çfarë t’u hyjë në punë ai informacion sot? Për arkivën personale?
Kjo është drejtësia e reformuar? Kjo që të jep të drejtën pasi ajo nuk të duhet më?

  1. Rruga për në Strasburg është kthyer në udhëtim përtej jetës njerëzore

Thuhet shpesh se nëse gjykatat shqiptare gabojnë, ekziston Strasburgu. Le ta bëjmë llogarinë. Pesë vjet shkalla e parë. Dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet apeli. Pesë vjet të tjera Gjykata e Lartë. Shto edhe një vit Gjykata Kushtetuese, në rastin më optimist. Disa vjet të tjera në Gjykatën e Strasburgut. Ajo gjykatë konstaton shkeljen dhe thotë se çështja duhet riparuar në Shqipëri. Kthehesh prapë në Gjykatën Kushtetuese. Iku edhe një vit tjetër. Gjykata Kushtetuese e kthen në Gjykatën e Lartë. Shtohen edhe nja pesë vjet të tjera. Gjykata e Lartë e kthen në apel. Ja ku shtohen edhe nja pesë të tjera minimumi, meqë është rigjykim. Pastaj apeli riparon gabimin që bëri një gjyqtar i pasreformës kur ti ishe tridhjetë vjeç. Sa duhet të jetosh ta shohësh këtë drejtësi? Tetëdhjetë vjet pas fillimit të gjyqit? Njëqind? Po sikur Gjykata e Lartë ta prishë vendiin e ta kthejë prapë çështjen në pikën zero? Sa breza avokatësh duhet të pajtosh? Sa herë duhet të paguash për studimin e dosjes? Sa herë duhet t’ia shpjegosh çështjen një avokati të ri, pasi i mëparshmi ka dalë në pension ose ka vdekur, ose thjesht është lodhur? Sa duhet të kushtojë një e drejtë që kërkon përfaqësim juridik pothuajse të përjetshëm?

E drejta në Strasburg, në këto kushte, është një iluzion për të pasurit, të rinjtë dhe jetëgjatët. Për të tjerët është rrugë që përfundon në varreza përpara se të arrijë në Francë.

  1. Korrupsioni nuk u zhduk. U shtrenjtua

Reforma u shit me sloganin se do të zhdukte korrupsionin në drejtësi. Korrupsioni nuk u zhduk, por u bë më i fortë, më i mbyllur, dhe më i rrezikshëm. Dhe, sipas asaj që flitet mes profesionistëve dhe palëve, u bë shumë më i shtrenjtë.

Më parë korrupsioni synonte kryesisht rezultatin e çështjes, ndërsa sot paguhet edhe për të afruar datën. Paguhet që dosja të mos flejë me vite. Paguhet për veprime procedural që duhej të ishin rutinë.

Reforma krijoi produktin e ri të tregut të korrupsionit: kohën. Kur shteti e bën kohën gjyqësore artificialisht të rrallë, koha fillon të shitet shtrenjtë. Kur një dosje mund të humbasë në stok për një dekadë, nxjerrja e saj në sipërfaqe merr çmim të lartë.

Ky është mekanizmi më i thjeshtë ekonomik. Reforma krijoi mungesën, mungesa krijoi tregun dhe tregu krijoi korrupsionin e ri. Për të mos folur për masat e sigurimit, që janë bisedë e gjatë më vete. Nuk ka rëndësi sa deklarata pasurie kontrollohen, nëse qytetari bindet se pa ndërhyrje nuk arrin dot as te dera e gjykimit. Nuk ka rëndësi sa magjistratë u shkarkuan, nëse korrupsioni i mbetur kërkon çmime që vetëm të pasurit dhe të fuqishmit mund t’i paguajnë.

Në sistemin e vjetër, drejtësia ishte e korruptuar. Në sistemin e ri, drejtësia është e korruptuar, e paaftë dhe e paarritshme. Ky është “progresi” i reformës.

  1. Gjyqtarët e sotëm janë të mbingarkuar, të çmotivuar dhe shpesh tmerrësisht të dobët

Një pjesë e gjyqtarëve të sotëm janë rëndë profesionalisht. Jo thjesht bëjnë gabime, por nuk njohin as koncepte elementare. Nuk kuptojnë objektin e padisë. Nuk individualizojnë përgjegjësinë penale. Nuk shpjegojnë pse nuk janë dakord me pretendimet e palëve. Shpesh nuk lexojnë as dosjen. Marrin një model të gatshëm, ndërrojnë emrat dhe prodhojnë vendimin, që zakonisht shkruhen nga sekretaret. Ka vendime që të bëjnë të dyshosh nëse autori e ka mbaruar ndonjëherë fakultetin juridik, jo më Shkollën e Magjistraturës.

Ka edhe gjyqtarë që kanë humbur njerëzillëkun. Nuk të shohin në sy, nuk dëgjojnë palën, e trajtojnë avokatin si bezdi, e trajtojnë qytetarin si numër radhor dosjeje. Flasin me përbuzje, shtyjnë pa shpjegim datat dhe arsyetojnë sikur pas një vendimi të mos kishte jetë njerëzore, familje, pasuri në rrezik, halle apo fate jete. Disa sillen kështu sepse e dinë se askush nuk do t’i kontrollojë realisht në kohë. Gabimi i tyre mund të zbulohet minimumi pas dhjetë vjetësh ose më shumë, kur interesi i çështjes të ketë vdekur bashkë me të zotin, ose të jetë braktisur.

Disa sillen kështu sepse nuk kanë më motivim. Mbi supe kanë mijëra dosje. Marrin vetëm sharje, tensione, akuza dhe presion, sepse kështu u gatua reforma, mbi premisën që gjyqtarët janë mizerie. Gjyqtarët punojnë në institucione pa staf, pa hapësira, pa kushte, pa burime njerëzore për ta përballuar ngarkesën. Reforma mbylli 18 gjykata dhe e uli numrin e përgjithshëm të tyre nga 38 në 20, duke përqendruar të gjithë apelin në një gjykatë të vetme.

Disa janë bërë të pandjeshëm për të mbijetuar. Disa nuk kanë më frikë nga kontrolli profesional. Disa aq dinë. Por qytetarit nuk i intereson arsyeja. Atij i shkatërrohet çështja njësoj. Një gjyqtar i mbingarkuar, një gjyqtar i pamotivuar dhe një gjyqtar i paaftë prodhojnë të njëjtin rezultat, që është vendimi që ta vret të drejtën dhe nuk ke as ku qahesh sepse gjykata e rradhës është minimumi 10 vjet larg në kohë.

  1. Organet e vettingut dhe mediokriteti që gjykoi profesionalizmin

Organet e vettingut u paraqitën si tempulli i integritetit dhe profesionalizmit. Në shumë raste ishin një grumbull njerëzish me përgatitje të diskutueshme, të pajisur me pushtet absolut mbi karrierën, dinjitetin dhe jetën e magjistratëve. Ata gjykonin nëse një gjyqtar ishte profesionalisht i aftë. Ata që shpesh nuk kishin shkruar vetë asnjë vendim në jetë. Ata që nuk kishin administruar asnjë herë ndonjëe proces kompleks. Ata që nuk kishin mbajtur mbi shpinë asnjëherë përgjegjësinë e vendimmarrjes gjyqësore. Ata që dinin të bënin llogari aritmetike mbi deklaratat e pasurisë dhe ta quanin këtë drejtësi. Madje në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u emëruan edhe gjyqtarë në shkelje të hapur me ligjin.

Kjo është pamja e pastër e vettingut shqiptar, ku paligjshmëria që gjykonte ligjshmërinë dhe paaftësia që certifikonte profesionalizmin. Shumë gjyqtarë u shkarkuan në shkelje të ligjit, ndërkohë, ndonjë nga ata të konfirmuarit në detyrë, u bënë më vonë objekt i hetimeve të rënda penale.

E pra, ky proces nuk pastroi me bisturi, por doditi me sëpatë revolucionare. Dhe kur godet me sëpatë, nuk heq vetëm pjesën e kalbur, por pret edhe nervat, enët dhe organet që mbajnë trupin gjallë.

  1. Gjykata e Lartë nuk po jep drejtësi. Thjesht po asgjëson stokun

Na thonë se Gjykata e Lartë ka ulur numrin e dosjeve të prapambetura. Po po, patjetër që e ka ulur. Po t’i fusësh çdo dhjetë minuta nga një vendim standard mospranimi, çdo stok do ulet. Merr rekursin, shkruaj se “nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara nga ligji”. Varja argumentave. Mos shpjego pse shkelja nuk ekziston. Mos korrigjo vendimin absurd të apelit. Mos mbaj asnjë përgjegjësi për zhvillimin e jurisprudencës. Vendos firmën në fund. Dhe ja, dosja doli nga statistika. Hadje rradha, tjetra!

Në vitin 2025 Gjykata e Lartë raportoi mijëra vendime dhe ulje të konsiderueshme të stokut. Por numri i vendimeve nuk tregon nëse çështjet janë shqyrtuar realisht. Tregon vetëm se sa dosje janë nxjerrë nga regjistri.

Ka një mënyrë më të shpejtë për uljen e stokut. Digji në zjarr. Pse lodheni kot me metoda të tjera? Drejtësia nuk matet me shpejtësinë e djegies së dosjes, por me cilësinë e vendimmarrjes. Por, pikërsith këtu, Gjykata e Lartë, në kushtet e presionit për t’u dukur sikur reforma nuk vrau drejtësinë, është duke u nxituar e duke bërë thagma me jurisprudencën. Parime të ndërtuara gjatë dekadave përmbysen papritur. Koncepte të qarta juridike turbullohen. Shkencat juridike po rishkruhen nga fillimi, por mbrapsht. Gjykatat më të ulëta nuk dinë më cilin standard të ndjekin. Avokatët nuk mund t’u japin klientëve një këshillë të sigurt. Një kolegj thotë një gjë. Një tjetër bën të kundërtën. Madje i njëjti kolegj, për të njëjtën çështje, flet një herë si e ëma e Zeqos dhe herën e dytë si vjerra e të ëmës së Zeqos. Vendimi quhet “zhvillim i praktikës”, kur në fakt zhvillon vetëm pasigurinë. Dhe kur Gjykata e Lartë bën gabim, kush do ta korrigjojë? Gjykata Kushtetuese pas disa vjetësh? Strasburgu pas një dekade? Po çështja? Po prona? Po familja? Po pensionisti? Po jeta? Kanë mbaruar këto.

  1. SPAK-u bën spektakël televiziv me prerje kokash, por nuk ndërton drejtësi

SPAK-u është fasada e ndriçuar e kësaj godine të rrënuar të drejtësisë. Televizionet tregojnë arrestimin. Tregojnë furgonin e policisë. Por nuk tregojnë provën e papërdorshme. Tregojnë zyrtarin që hyn në paraburgim, por nuk tregojnë arsyetimin standard të masës së sigurimit. Tregojnë vetëm sa koka u prenë dhe sa të tjerë janë në rradhë para gijotinës.

Nuk tregojnë sa akuza janë individualizuar dobët, sa përgjime janë shkëputur nga konteksti, sa lidhje ndërtohen mbi hamendësime dhe sa të drejta të mbrojtjes trajtohen si pengesë të bezisshme, si ato kur i pandehuri kërkon dosjen e vet dhe nuk ja jep njeri.

SPAK-u është organi më i fuqishëm i shtetit shqiptar dhe njëkohësisht organi ku mosrespektimi i ligjit dhe të drejtave të njeriut tolerohet më lehtë në emër të rezultatit politik. Thonë që “po lufton korrupsionin”, a thua se kjo fjali mjafton të shfuqizojë gjithë Kodin e Procedurës Penale. Sikur të jetë normale që korrupsioni luftohet duke shkelur ligjin. Sikur të drejtat e njeriut të ishin luks për njerëzit që publiku nuk i pëlqen. Arrestimi është kthyer në dënim paraprak. Paraburgimi në provë fajësie. Njoftimi për shtyp në vendim gjyqësor. Dosja mund të jetë e dobët, por arrestimi ka kryer punën e vet, sepse personi është shkatërruar publikisht, ka humbur punën, reputacionin dhe lirinë. Kur të vijë pafajësia pas pesë ose dhjetë vjetësh, kush do t’ia kthejë? Askush.

Mjafton që televizioni të marrë pamjet, politika të marrë spektaklin dhe ndërkombëtarët të marrin historinë e suksesit. Të pandehurit i mbetet të presë, njëlloj si ata qyqarët e tjerë që presin një jetë për gjyqet e pronave, divorceve apo pensioneve.

  1. SPAK-u kontrollon gjyqtarin që duhet të kontrollojë SPAK-un

Në teori, gjyqtari kontrollon prokurorin. Në Shqipërinë e reformës, prokurori ka fuqinë të hetojë gjyqtarin që duhet ta kontrollojë. Gjyqtari vendos për arrestin, kontrollin, përgjimin dhe sekuestrimin e kërkuar nga SPAK-u, duke e ditur se SPAK-u ka kompetencë penale edhe ndaj tij.

Le ta lëmë hipokrizinë. Çfarë balance pushtetesh është kjo? Si mund të jetë gjyqtari kontrolluesi i patrembur i prokurorisë, kur prokuroria përballë tij mund t’i kontrollojë pasurinë, komunikimet, kontaktet dhe gjithë jetën? Nuk ka nevojë që prokurori ta telefonojë gjyqtarin. Vetë arkitektura e frikës mjafton. Gjyqtari nuk pyet më vetëm a e ka provuar prokuroria kërkesën, por në një qoshe të mendjes pyet se çfarë do të më ndodhë mua nëse e rrëzoj?

Kjo është përmbysje e shtetit të së drejtës. Gjykata duhet të jetë pushteti që vë kufirin e prokurorisë. Kur gjykata ndihet e kontrolluar nga prokuroria, nuk kemi drejtësi penale. Kemi shtet të prokurorit. Aq të fortë e kemi këtë shtetin e prokurorit sa edhe Gjykatës Kushtetuese i vunë përgjues vetëm sepse nuk kishte zbardhur një vendim brenda 30 ditëve.

  1. Mazhoranca dhe qeveria nuk kanë asnjë interes ta ringjallin gjyqësorin

Pushteti ekzekutiv dhe deputetët e mazhorancës që ka në vartësi (në këtë shtetin tonë të përmbysur) nuk ka asnjë interes që ky sistem të rregullohet. Qeveria është më e fortë kur gjykata është e vdekur. Administrata të prish pronën sot. Ti fiton pas pesëmbëdhjetë vjetësh ose më shumë. Qeveria të heq nga puna sot. Ti merr të drejtën kur karriera jote ka mbaruar. Shteti të merr paratë sot. Ti bën vaki merr dëmshpërblimin kur paraja ka humbur vlerën fare. Autoriteti i jep tenderin konkurentit tënd sot. Gjykata e shpall të paligjshëm pasi kontrata është zbatuar, fitimi është marrë dhe është harruar edhe kush ishte drejtori apo ministri i kohës.

Pushteti e konsumon paligjshmërinë menjëherë. Ndërsa qytetari merr vendimin kur paligjshmëria ka prodhuar të gjitha efektet. Gjithmonë nëse merr vend pozivit, sepse mund të marrësh edhe vendim negativ pas 20 vjetësh.

Për qeverinë ky sistem nuk është dështim. Ai është sistem ideal. Qeveria mund të bëjë çfarë të dojë, sepse kontrolli gjyqësor do të vijë në një epokë tjetër politike, ose nuk do vijë fare. Edhe kur të vijë, ministri që ka firmosur aktin mund të mos jetë më ministër. Qeveria mund të ketë ndryshuar tre herë. Përgjegjësi nuk ka. Vetëm një vendim i vonuar që e paguan taksapaguesi.

  1. Opozitës është apatike dhe reagon vetëm kur SPAK-u rrezikon liderin e saj

Duket sikur opozitës nuk i futet shumë në ligjërata interesi i atij pensionistit që vdes para se të mbarojë gjyqi, apo interesi i atij fëmijës që rritet me një prind pa vendim gjykate, etj. Duket sikur i intereson vetëm një pyetje: A do ta arrestojë SPAK-u liderin e saj? Nëse SPAK-u godet kundërshtarin, është hero. Nëse afrohet te lideri i saj, është organizatë kriminale. I gjithë debati për drejtësinë është reduktuar te halli penal i politikanëve. Ndërsa drejtësia e qytetarit të zakonshëm është zhdukur nga çdo program politik.

Forcat e vogla janë edhe më keq. Ato lëpihen rreth reformës që të duken mirë para ndërkombëtarëve. Nuk guxojnë të thonë se projekti i ambasadave e ka menderosur sistemin. Mendojnë se besnikëria ndaj reformës është certifikatë perëndimore. Dhe kështu, gjithë klasa politike hesht. Secili për arsyen e vet.

  1. Populli sheh prangat dhe nuk sheh varrezën

Shumica e publikut nuk e kupton ende çfarë i ka ndodhur. Në lajme sheh një ministër të arrestuar, një kryetar bashkie, një ish-president, sheh policë, makina, dyer burgu dhe dosje të trasha. Dhe qytetari mendon që drejtësia më në fund po funksionon… Nuk sheh mijëra njerëzit e zakonshëm që presin një sistem që akoma nuk e kanë kuptuar që ka dhënë shpirt.

Edhe ata që kanë më shumë informacion, sepse kanë vetë gjyqe, e ndiejnë katastrofën, por nuk e kuptojnë shkakun. Ia vënë fajin gjyqtarit të tyre. Ndonjëherë me të drejtë. Por nuk kuptojnë se edhe gjyqtari i tyre është vendosur në një makineri të projektuar për dështim. Dhe kështu populli shan gjyqtarin. Gjyqtari shan ngarkesën. Avokati shan sistemin. Klienti shan avokatin. Politika duartroket SPAK-un. Ndërkombëtarët publikojnë raportin e radhës për “progresin”. Dhe reforma vazhdon të hajë jetë.

  1. Duhet shpallur emergjenca kombëtare

Kjo nuk është më temë për konferenca apo për përvjetorë. Nuk është më temë për tryeza me përkthim simultan, kafe, biskota dhe ambasadorë që përgëzojnë njëri-tjetrin.

Është emergjencë kombëtare. Shteti shqiptar nuk garanton më mbrojtjen efektive të të drejtave. Asnjë e drejtë nuk ekziston realisht kur duhet të presësh minimumi pesëmbëdhjetë vjet që gjykata ta njohë me vendim të formës së prerë. Asnjë kontratë nuk vlen kur pala që e shkel e di se vendimi do të vijë pas njëzet vjetësh. Asnjë administratë nuk kontrollohet kur akti i saj i paligjshëm prodhon të gjitha efektet shumë kohë përpara vendimit. Asnjë Gjykatë e Lartë nuk përmbush funksionin e saj duke prodhuar industrialisht mospranime standarde. Asnjë reformë nuk mund të quhet sukses kur një brez avokatësh nuk pranon më të nisë çështje që do të përfundojnë pasi ata të kenë vdekur, ose dalë në pension. Nuk duhet “konsoliduar” ky sistem. Nuk rregullohet një kufomë duke i rregulluar kravatën.

Duhet pranuar publikisht se reforma e vrau drejtësinë. Duhet auditim i plotë i pasojave të saj. Duhet rritur urgjentisht numri i gjyqtarëve. Duhet rihapur harta gjyqësore. Duhet ndryshuar mënyra e menaxhimit të stokut. Duhet kontrolluar cilësia e vendimeve të mospranimit. Duhet rivendosur gjykata mbi prokurorinë. Duhet ndalur përdorimi i arrestimit si propagandë. Duhet hetuar korrupsioni i ri që tregton kohën, datën, radhën dhe veprimin procedural. Duhet mbrojtur gjyqtari nga ngarkesa çnjerëzore dhe qytetari nga gjyqtari i paaftë. Por para çdo gjëje duhet thënë e vërteta.
Jo “kemi ende sfida”, “reforma kërkon kohë”, “dekada e dytë do të sjellë konsolidimin”, apo “plani dyvjeçar do sjellë begatinë“. Dhjetë vjet janë kohë e mjaftueshme për ta parë kufomën. Drejtësia shqiptare nuk është në tranzicion, apo në vështirësi. Ajo është ne vdekje klinike.

Prandaj është turp i madh dhe tallje e madhe kur dikush si Fatmir Xhafa ka paturpësinë të na thotë se kjo dekadë duhet kremtuar… Ç’të kremtojmë? Atë shprehjen e shefit tënd “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda”? Imagjino të lësh shtëpitë e lagjes pa tualet, dhe pas 10 vjetësh të kremtosh faktin që ¬çdokush ka menderosur të gjitha dhomat e shtëpive në pritje të rradhës për të shkuar te tualeti i vetëm i gjithë lagjes…

Kjo nuk është pasaporta europiane e Shqipërisë. Është thjesht shpallja e certifikatës së vdekjes së drejtësisë. Dhe mbi të është firma e të gjithë atyre që e projektuan, e zbatuan, e duartrokitën dhe sot, kurajon e munguar që të pranojnë se çfarë i bënë këtij vendi, e kanë zëvendësuar me kurajon e talljes me qytetarët e informuar.

Shkruan Av Dorian Matlija:

Written by: WindowRadio.de

Rate it