Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Dy fjalë për një kryeministër, malet e larta dhe burrat e nënshtruar!

todayJuly 22, 2026 22

Background
share close

Çfarë pashë dje në Theth?

Dje në Theth nuk pashë vetëm një vizitë qeveritare.
Nuk pashë thjesht një kryeministër që prezantonte një ligj, premtonte një rrugë, fliste për turizëm dhe vizatonte të ardhmen me ngjyrat e zakonshme të propagandës.

Pashë diçka më të thellë dhe më shqetësuese.

Dje pashë skenën skllavëruese të pushtetit. Pashë një kryeministër që u kthye si shpëtimtar në vendin ku, vetëm një vit më parë, shteti mbërriti me fadroma dhe forca policore. Raportimet mediatike e vendosin vizitën pikërisht një vit pas aksionit të IKMT-së dhe IMT-së kundër ndërtimeve të konsideruara pa leje, një operacion që u shoqërua me tensione të forta me banorët, besoj e kujtoni!

Dje, kryeministri që kishte ardhur me forcën e shembjes, u kthye me gjuhën e legalizimit. Ai që kishte mbërritur me tritol, u kthye me hipotekë. Njeriu që kishte goditur investimin, u kthye për të predikuar zhvillimin. Në këmbët e kryeministrit nuk qëndronin qytetarë që kërkonin llogari, por burra që shpjegonin fajin, pranonin gabimet dhe luteshin për mëshirën administrative të pushtetit.

Kjo është arsyeja përse ajo që ndodhi në Theth duhet lexuar pak më thellë se vetëm politikisht.

Në Theth dje nuk u prezantua vetëm “Paketa e Maleve”. U prezantua modeli i ri i marrëdhënies ndërmjet shtetit dhe qytetarit. U prezantua, shteti që të dënon, të varfëron, të zhyt në borxhe dhe pastaj të ofron shpëtim, me kusht që ti të pranosh publikisht autoritetin e tij.

Thethi nuk është një vend i zakonshëm. Thethi është një nga vendet ku historia shqiptare ka ruajtur më gjatë figurën e burrit të lirë, të shtëpisë së trashëguar, të tokës së të parëve, të fjalës së dhënë dhe të dinjitetit që nuk blihet.

Pikërisht për këto arsye, pamjet e djeshme ishin tronditëse.

Në sfond qëndronin malet e larta.
Përballë tyre qëndronin burra të përkulur. Natyra mbetej madhështore; njeriu ishte i zvogëluar. Shkëmbinjtë qëndronin drejt, njerëzit kërkonin falje. Luginat dëshmonin qëndresë shekullore, fjala e banorit, nënshtrim.

Takimi në Theth ishte organizuar si një akt pajtimi, por pajtimi kërkon dy palë që njohin përgjegjësinë e tyre. Në skenën e djeshme, përgjegjësia ishte vetëm mbi banorin. Shteti nuk kërkonte falje për disproporcionalitetin e forcës, për mungesën e zgjidhjeve paraprake, për pasigurinë ligjore apo për dëmin ekonomik. Ishte qytetari ai që duhej të rrëfente fajin.
Kryeministri mbetej gjykatësi. Banori, i pandehuri.

Ndërsa shteti, pasi kishte dhënë dënimin, tani paraqitej si burimi i vetëm i faljes.
Një nga momentet më domethënëse ishte ai i banorit që deklaroi se ishte zhytur në rreth 100 milionë lekë kredi. Media raportoi se ai ngriti shqetësimin për gjobat, kreditë dhe pengesat administrative, ndërsa kryeministri iu përgjigj se banori kishte bërë gabime.

Këtu ndodhi përmbysja morale.
Njeriu që kishte humbur investimin dhe që vazhdonte të mbante mbi shpinë borxhin, nuk qëndroi përballë pushtetit si një qytetar që kërkon drejtësi. Ai u shfaq para tij si një fajtor që kërkon mirëkuptim.
Ky moment është më shumë sesa “sindroma e Stokholmit”.
Termi “sindroma e Stokholmit” përdoret zakonisht për të përshkruar lidhjen emocionale që një viktimë mund të zhvillojë ndaj pengmarrësit të saj. Por në rastin e Thethit nuk kemi një çrregullim individual psikologjik. Kemi një fenomen shoqëror dhe politik shumë më të gjerë: internalizimin e pushtetit.

Qytetari nuk ka më nevojë të detyrohet çdo ditë nga policia. Ai fillon ta mbajë policin brenda vetes. Nuk ka më nevojë që pushteti ta akuzojë vazhdimisht. Qytetari mëson të akuzojë veten.

Nuk ka më nevojë që udhëheqësi t’i kërkojë nënshtrim. Qytetari e ofron vetë, me shpresën se nënshtrimi do t’i sjellë një leje, një dokument, një legalizim ose një favor.

Michel Foucault e shpjegonte pushtetin modern jo vetëm si forcë që ndëshkon trupin, por si mekanizmin që formëson vetëdijen. Pushteti më efikas nuk është ai që të mban gjithmonë të lidhur në zinxhirë, është ai që të mëson të sillesh sikur je i lidhur edhe kur prangat nuk duken.

Në Theth pamë pikërisht këtë; jo vetëm bindjen ndaj shtetit, por pranimin e narrativës së shtetit nga vetë i dëmtuari. Banori nuk tha: “Shteti më shkatërroi.”

Ai u shty të pranonte: “Unë gabova.”

Kështu pushteti arrin fitoren e tij më të madhe. Viktima përdor gjuhën e atij që e ka ndëshkuar.

Fenomeni që pamë mund të quhet skllavëria e mirënjohjes së detyruar. Shteti fillimisht krijon varësinë. Më pas shpërndan mundësinë. Në fund kërkon mirënjohjen. Të merr të drejtën dhe pastaj të paraqet kthimin e pjesshëm të saj si dhuratë.

Të lë pa dokumente dhe më pas të premton hipotekën. Të pengon të ndërtosh dhe më pas të ofron një paketë investimi. Të shemb objektin dhe më pas të fton të aplikosh. Të zhyt në pasiguri dhe më pas të kërkon ta falënderosh për stabilitetin.

Ky është mekanizëm i vjetër i pushtetit paternalist. Sundimtari nuk dëshiron qytetarë me të drejta. Synon subjekte me nevoja. Sepse e drejta qëndron përballë pushtetit dhe kërkon zbatim, ndërsa nevoja gjunjëzohet dhe kërkon favor.

Një qytetar i lirë thotë: “Kjo më takon sipas ligjit.” Një subjekt i nënshtruar thotë: “Të lutem, ma bëj këtë nder.” Kjo është Shqipëria e Rilindjes.

Dallimi ndërmjet tyre është dallimi ndërmjet republikës dhe oborrit mbretëror. Në republikë, kryeministri është administrator i ligjit. Në oborr, kryeministri është burimi i mëshirës.

Në republikë, qytetari nuk falënderon udhëheqësin që shteti kryen detyrën. Në oborr, çdo dokument, çdo rrugë, çdo leje dhe çdo investim paraqitet si dhuratë personale e sundimtarit.

Kryeministri në një moment, përdori ndaj banorit shprehjen: “Koka bën, koka pëson.” Episodi u paraqit nga media si një shkëmbim batutash me njeriun të cilit i ishte shembur ndërtimi.

Por kjo nuk është thjesht një batutë. Është përmbledhja e një filozofie qeverisëse.

Në këtë fjali, shteti hiqet nga historia. Administrata nuk ka gabuar. Institucionet nuk kanë qenë kontradiktore. Politikat publike nuk kanë prodhuar pasiguri. Ligjet nuk kanë dështuar të zgjidhin pronësinë për dekada.

Fajin e ka vetëm “koka” e qytetarit.

Kjo është një mënyrë cinike për të individualizuar një problem që është prodhuar edhe nga kaosi institucional shqiptar.

Në shumë zona malore, banorët kanë trashëguar tokën sipas kufijve të vjetër, ndërsa vetë kryeministri pranoi se ligji nr. 7501 nuk ishte zbatuar apo pranuar në të njëjtën mënyrë në këto komunitete. Ai e paraqiti “Paketën e Maleve” si instrument për t’u dhënë mundësi trashëgimtarëve të zhvillojnë pronën e tyre.

Por këtu lind pyetja themelore:

Nëse shteti e pranon sot se këta njerëz kanë qenë për dekada në një vakum pronësie që kërkon zgjidhje të posaçme, me çfarë morali ua shembi dje investimet pa ua dhënë më parë këtë zgjidhje?

Nuk mund t’i thuash qytetarit njëkohësisht:

“Ti nuk ke dokumentet sepse sistemi historik i pronësisë është i pazgjidhur”, dhe:

“Ti je i vetmi fajtor sepse investove pa dokumente.”

Në këtë kontradiktë qëndron drama e Thethit.

Kryeministri foli gjatë për ligjshmërinë. Por ligjshmëria nuk është vetëm fuqia e shtetit për të shembur. Ligjshmëria është detyrimi i shtetit për të siguruar rregulla të qarta, të parashikueshme dhe të barabarta.

Një shtet nuk bëhet ligjor vetëm sepse ka polici. Bëhet ligjor kur qytetari mëson çfarë lejohet, çfarë ndalohet, si merret një leje, sa zgjat procedura dhe si ankimohet vendimi.

Shteti ligjor nuk duhet të jetë një labirint ku qytetari humbet dhe më pas dënohet sepse nuk gjeti daljen.
Shën Augustini shkruante se, në mungesë të drejtësisë, mbretëritë e mëdha nuk janë veçse bashkësi të mëdha grabitësish. “Cfarë janë mbretëritë pa drejtësinë, veçse banda kusarësh.”

Paralajmërimi i tij nuk nënkupton se çdo zbatim ligji është grabitje. Do të thotë se autoriteti humb legjitimitetin moral kur e përdor ligjin vetëm kundër të dobëtit, ndërsa për të fuqishmin prodhon përjashtime, marrëveshje dhe statuse të posaçme.

Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse bujtinat kishin leje.
Pyetja është: A zbatohet i njëjti standard mbi resortet luksoze, fshatrat turistikë dhe mbi shtëpinë e malësorit?

A vepron fadroma me të njëjtën shpejtësi kur përballë saj qëndron një investitor i lidhur politikisht? A përdoret ligji si mur për qytetarin e vogël dhe si derë me telekomandë për kapitalin e madh?

Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, predikimi mbi ligjshmërinë mbetet i paplotë.

Kryeministri e mbrojti “Paketën e Maleve” si një mundësi që trashëgimtarët të shfrytëzojnë tokat e tyre, veçanërisht në zonat ku pronësia nuk është rregulluar sipas ligjit nr. 7501. Ai deklaroi se paketa nuk është për uzurpatorët apo oligarkët dhe se synon të vërë në lëvizje ekonominë e familjeve vendase.

Ky është versioni zyrtar dhe duhet dëgjuar. Por detyra e qytetarit nuk është vetëm të dëgjojë qëllimin e shpallur të një ligji. Duhet të shqyrtojë mekanizmin e tij. Pothuajse çdo ligj problematik në histori është paraqitur si zhvillim, modernizim, interes publik ose domosdoshmëri kombëtare.

Pyetjet janë konkrete:

Kush e përcakton zonën prioritare? Kush e vlerëson investimin? Kush vendos se cili trashëgimtar ka të drejtë? Çfarë ndodh kur pronësia është e diskutueshme? Çfarë mbrojtjeje ka komuniteti vendas përballë kapitalit të huaj shumë më të fuqishëm?

Si shmanget që marrëveshjet me banorët të bëhen instrument për përvetësime të tërthorta?

A do të mbetet toka realisht në duart e familjeve apo do të përfundojë gradualisht nën kontrollin e kompanive që kanë financim, juristë dhe akses politik?

Qeveria thotë se 1,318 aplikime janë paraqitur dhe se Shkodra kryeson me 192 aplikime. Kjo tregon interes. Por numri i aplikimeve nuk provon drejtësinë e sistemit. Edhe një proces i rrezikshëm mund të ketë shumë aplikantë, sidomos kur paraqitet si e vetmja rrugë për të siguruar pronën.

Një njeri që ndodhet prej dekadash pa titull pronësie nuk aplikon gjithmonë sepse e konsideron ligjin ideal. Mund të aplikojë sepse nuk ka alternativë.

Dhe një zgjedhje pa alternativë është më afër nënshtrimit sesa lirisë.
Kryeministri deklaroi se “Paketa e Maleve” do ta shndërrojë Shqipërinë në një “Zvicër të vogël” dhe se turizmi në Theth duhet të kalojë nga turizëm për mbijetesë, në turizëm që krijon pasuri dhe luks.

Metafora është tërheqëse. Por Zvicra nuk u bë Zvicër nga vilat luksoze. Zvicra është ajo që njohim nga siguria e pronës, federalizmi, vetëqeverisja lokale, stabiliteti juridik, administrata e përgjegjshme, bankat e besueshme dhe respekti i thellë për komunitetet.

Nuk mjafton të ndërtosh shtëpiza alpine për të krijuar Zvicrën. Duhet të ndërtosh institucione zvicerane.

Nuk mjafton të hapësh male për kapitalin. Duhet të mbrosh njerëzit që i kanë ruajtur ato male kur shteti i kishte harruar.

Turizmi i luksit mund të rrisë të ardhurat, por mund edhe të dëbojë banorët. Mund të rrisë çmimet e tokës deri në pikën ku familjet vendase nuk kanë më mundësi të jetojnë në vendin e tyre. Mund ta shndërrojë një komunitet në dekor dhe banorin në kamarier të pronës që dikur i përkiste.

Zhvillimi që e largon njeriun nga toka e tij nuk është zhvillim i komunitetit. Është kolonizim ekonomik. Mali nuk është thjesht një pasuri e paluajtshme.

Është kujtesë, qëndresë, varr, mbiemër, sakrificë, kullotë, burim uji, histori familjare dhe identitet.

Kur këto reduktohen në “mundësi investimi”, ekonomia fillon të hajë kulturën.

Nga rruga për në Theth, kryeministri nuk foli vetëm për malet. Ai sulmoi edhe protestuesit në Tiranë, duke i ndarë simbolikisht në “flamingo” dhe “sorra” apo “korba”. Sipas raportimeve, ai i quajti disa kundërshtarë “delirantë” dhe “injorantë”, ndërsa tha se protesta ishte marrë peng nga “sorra e korba” dhe ishte kthyer në një shëmbëlltyrë të opozitës.

Kjo gjuhë nuk është e rastësishme. Dehumanizimi politik fillon shpesh me metaforën zoologjike. A ju kujtohet “bufi i kënetës?”

Qytetari nuk është më qytetar.
Ai bëhet zog i bukur ose zog i zi.
I pranueshëm ose i papranueshëm. I pastër ose i ndotur. I ri ose i vjetër.

Kryeministri rezervon të drejtën të vendosë se kush është “flamingo” dhe kush është “sorrë”. Pra, kush meriton të dëgjohet dhe kush duhet të përçmohet.

Ky është një mekanizëm i pushtetit populist: protestuesit nuk gjykohen sipas argumentit, por sipas kategorisë ku i vendos udhëheqësi. Ata që paraqiten si të rinj, estetikë, modernë dhe të padëmshëm mund të përthithen nga narrativa qeveritare.

Ata që artikulojnë kërkesa të papërshtatshme shpallen “korba”, “sorra”, “injorantë” apo zgjatime të opozitës. Në këtë mënyrë kryeministri nuk i përgjigjet protestës. Ai e klasifikon atë. Dhe pasi e klasifikon, zgjedh vetë se cilën pjesë do të quajë legjitime.

Kjo është e kundërta e dialogut.

Dialogu nis kur pushteti dëgjon edhe atë që nuk i pëlqen. Propaganda nis kur pushteti shpik një protestues të pranueshëm dhe një protestues të urryer.

Pushteti që zgjedh popullin e vet

Në demokraci, populli zgjedh qeverinë. Në regjimet e personalizuara, qeveria fillon të zgjedhë popullin.
Qeveria thotë: Këta janë qytetarët e mirë. Këta janë pengmarrësit.
Këta janë Shqipëria e re. Këta janë sorrat e së shkuarës. Këta meritojnë reflektim. Këta meritojnë përbuzje.

Ky kategorizim është i rrezikshëm, sepse kryeministri nuk është udhëheqësi vetëm i atyre që e duartrokasin. Ai është kryeministër edhe i protestuesit që kërkon largimin e tij.

Detyra e pushtetit nuk është t’i pëlqejë qytetarët. Është t’u shërbejë atyre. Në çastin kur pushteti nis të ndajë qytetarët në të denjë dhe të padenjë për t’u dëgjuar, demokracia shndërrohet në pedagogji autoritare: udhëheqësi edukon popullin, qorton popullin, klasifikon popullin dhe në fund shpërblen popullin që bindet.

Bibla kërkon respekt ndaj autoritetit, por nuk kërkon hyjnizimin e autoritetit. Shkrimi i Shenjtë njeh pushtetin civil si institucion të nevojshëm për rendin, por e vendos çdo sundimtar nën gjykimin e drejtësisë së Perëndisë.

Profetët nuk shkonin para mbretit për të kërkuar favore.
Shkonin për t’i thënë të vërtetën.
Kjo është arsyeja përse nënshtrimi i djeshëm në Theth nuk duhet ngatërruar me përulësinë e krishterë.
Përulësia e krishterë nuk është servilizëm. Ajo nuk e quan të keqen të mirë për të përfituar një dokument.

Nuk e falënderon faraonin për kashtën, ndërkohë që faraoni kërkon të njëjtin numër tullash.
Nuk e shpall bamirës atë që të kthen një pjesë të asaj që të ka marrë. Krishti ishte i përulur, por nuk ishte servil. Ai heshti para disa akuzave, por nuk e quajti padrejtësinë drejtësi.

Ai i tha Pilatit se pushteti i tij ishte i dhënë nga lart, duke i kujtuar se çdo autoritet është i kufizuar dhe i gjykueshëm.
Teologjikisht, problemi fillon kur pushteti politik paraqitet si burim shpëtimi. Kur udhëheqësi shihet si ai që jep tokën, rrugën, punën, lejen dhe të ardhmen, ai zë një hapësirë që nuk i përket. Shteti nuk është Mesia. Kryeministri nuk është ati i kombit. Buxheti publik nuk është pasuria e tij personale. Rruga nuk ndërtohet nga xhepi i tij. Legalizimi nuk është sakrament. Dhe qytetari nuk duhet të rrëfehet para qeverisë sikur po kërkon faljen e mëkateve.
Pyetja më e dhimbshme që la pas vizita e kryeministrit në Theth ishte kjo:

Ku ishin burrat e Thethit?
Nuk e kam fjalën për gjininë biologjike. E kam fjalën për burrërinë si kategori morale: aftësinë për të qëndruar drejt, për të folur me respekt por pa frikë, për të mos e shitur dinjitetin për një premtim dhe për të mos e ngatërruar mikpritjen me nënshtrimin.

Burrëria nuk është zëri i lartë. Nuk është kërcënimi. Nuk është dhuna. Burrëria është të shikosh pushtetin në sy dhe t’i thuash:

“Zoti kryeministër, unë mund të kem gabuar, por edhe shteti yt ka gabuar.”

“Unë mund të kem ndërtuar pa lejen e duhur, por institucionet tuaja më lanë dekada pa mundësinë reale për ta marrë atë.”

“Unë jam gati të zbatoj ligjin, por ligji duhet të jetë i njëjtë për mua dhe për oligarkun.”

“Unë nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi.”

Thethi nuk ka nevojë për burra që bërtasin. Ka nevojë për burra që nuk përkulen. Kur burri i lirë bëhet lypës para pushtetit, mali humb kuptimin e tij. Dinjiteti nuk legalizohet. Mund të legalizosh një ndërtesë. Mund të regjistrosh një tokë. Mund të japësh një leje.

Por dinjitetin nuk mund ta legalizojë qeveria. Ai ose ruhet, ose humbet. Dje në Theth u fol shumë për pronën, por pak për dinjitetin. U fol për investimin, por pak për drejtësinë. U fol për të ardhmen, por pa u përballur me të shkuarën.

U fol për “Zvicrën e vogël”, ndërsa në skenë u shfaq një model oriental i sundimtarit që shpërndan favore dhe i nënshtetasit që kërkon mëshirë.

Në një shoqëri të lirë, banori që ka humbur investimin dhe është zhytur në kredi nuk duhet përdorur si dekor i propagandës së atij që kontrollon administratën.

Ai duhet dëgjuar. Duhet trajtuar me dinjitet. Duhet t’i jepet e drejta të kundërshtojë pa u tallur.

Pushteti mund ta fitojë debatin televiziv, por humbet moralisht sa herë që e detyron të dobëtin të qeshë me dhimbjen e vet.

Çfarë pashë dje?

Pashë se si pushteti kthehet në vendin e krimit administrativ dhe e quan veten shpëtimtar. Pashë se si shembja u kthye në premtim. Pashë se si borxhi u kthye në faj personal. Pashë se si banori kërkonte mirëkuptim nga institucioni që duhej t’i jepte llogari. Pashë se si një protestë qytetare u nda në flamingo dhe korba, sipas shijes së kryeministrit.

Pashë se si fjala “zhvillim” përdoret për të mbyllur çdo pyetje mbi pushtetin, pronën dhe interesat ekonomike.

Pashë burra të maleve të larta që dukeshin më të vegjël se karrigia e pushtetit.

Por pashë edhe diçka tjetër.

Pashë nevojën urgjente që shqiptarët të rikthejnë gjuhën e qytetarisë. Jo gjuhën e urrejtjes.
Jo dhunën. Jo hakmarrjen. Por gjuhën e burrit të lirë, i cili respekton ligjin dhe pikërisht për këtë arsye kërkon që ligji të respektojë edhe atë.

Shqipëria nuk do të bëhet “Zvicër e vogël” vetëm duke ndërtuar bujtina luksoze. Do të bëhet një vend europian kur qytetari nuk do të ketë më nevojë të ulë kokën para kryeministrit për të marrë atë që i takon.

Kur banori i Thethit të mund të qëndrojë drejt përballë qeverisë.
Kur protestuesi në Tiranë të mos etiketohet si shpend grabitqar, por të dëgjohet si qytetar. Kur ligji të mos vijë pas fadromës, por përpara investimit.
Kur pushteti të mos kërkojë burra të penduar, por të pranojë qytetarë të lirë.

Malet nuk janë të larta vetëm nga shkëmbinjtë. Janë të larta nga njerëzit që nuk përkulen.

akilpano

Written by: WindowRadio.de

Rate it