Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

4.5 milionë euro nga fondi rezervë për një koncert privat?

todayJuly 7, 2026 6

Background
share close

Qeveria sapo ka miratuar një akt normativ për t’i akorduar 400 milionë lekë (rreth 4.5 milionë euro) nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit organizimit të koncertit të Kanye West në Tiranë.

Le ta lëmë mënjanë për një moment debatin nëse Kanye West është artist i madh apo jo. Kjo nuk është çështja.

Po me çfarë të drejte qeveria vendos t’i japë miliona euro të taksapaguesve një aktiviteti privat, pa pyetur askënd?

Asnjë konsultim publik, asnjë debat në Kuvend, asnjë analizë kosto-përfitim e bërë publike, asnjë shpjegim pse pikërisht ky aktivitet meriton miliona euro nga fondi rezervë i shtetit.

Sepse ky nuk është një aktivitet shtetëror por një koncert privat. Këngëtari do të shesë bileta, do të gjenerojë të ardhura, pra do të përfitojë financiarisht nga eventi.

Në çdo ekonomi normale, organizatori merr përsipër rrezikun financiar. Ai vetë gjen sponsorë, shet bileta, merr me qira ambientin dhe, nëse koncerti rezulton i suksesshëm, fiton.

Këtu po ndodh e kundërta. Fitimi privat mbetet privat, ndërsa rreziku financiar transferohet mbi qytetarët. Kjo është logjika me të cilën kjo qeveri ka dhënë me dhjetëra PPP e kontrata publike.

Edhe më problematik është burimi i financimit. Paratë nuk po merren nga një program i miratuar prej kohësh për promovimin e kulturës. Ato po merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, një instrument që ekziston për situata të jashtëzakonshme, emergjenca ose nevoja të paparashikuara.

A është një koncert emergjencë kombëtare? Nëse po, atëherë koncepti i “fondit rezervë” ka humbur çdo kuptim.

Nuk është aspak e papranueshme që shteti të financojë kulturën. Përkundrazi. Shteti duhet ta bëjë këtë por financimi publik kërkon rregulla të qarta, konkurrencë, transparencë dhe llogaridhënie.

Nëse miliona euro alokohen me një akt normativ për një aktivitet të vetëm, pa debat publik dhe pa një proces konkurrues, ne kemi të drejtë të pyesim pse pikërisht ky koncert? Pse kjo shumë? Pse në këtë mënyrë? Dhe kush vendosi që ky ishte përdorimi më i mirë i 4.5 milionë eurove të shqiptarëve?

Këto janë pyetje legjitime në çdo demokraci normale. Sepse paratë nuk janë të qeverisë por të taksapaguesve.

Vehap Kola:

Written by: WindowRadio.de

Rate it