Në Hagë dhe Bruksel: Demonstrata të mëdha “kundër gjenocidit izraelit” në Rripin e Gazës
Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në Hagë të Holandës kundër luftës së Izraelit në Rripin e Gazës. Ata kërkuan përfundimin e luftës dhe ndryshimin e kursit nga qeveria holandeze, për shembull, duke i vënë sanksione Izraelit, njoftojnë mediat gjermane.
Organizatorët thonë se në protesta kanë marrë pjesë rreth 150.000 kundërshtarë të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, që është demonstrata më e madhe në Holandë në 20 vjetët e fundit. Gazetarët thonë se në protestë ishin më shumë se 100.000.
Demonstruesit kërkuan sanksione të ashpra kundër Izraelit për të “ndaluar gjenocidin”, siç thuhet në një deklaratë.
“Mbyllja e syve, loja diplomatike me fjalë është bashkëfajësi në krimet më të tmerrshme të luftës – ne nuk do ta tolerojmë më këtë”, u tha.
Haga është selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila aktualisht po shqyrton një padi të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit që pretendon “se në Gazë po bëhet gjenocid”.
Izraeli i mohon akuzat, por pas 20 muajsh lufte në Rripin e Gazës, presioni ndërkombëtar po rritet mbi Izraelin për të lejuar më shumë ndihma në këtë territor.
Gjendja humanitare në Rripin e Gazës është shumë e rëndë. Atje janë vrarë me dhjetëra mijëra civilë dhe fëmijë të pafajshëm, pohojnë autoritetet palestineze.
Vetëm gjatë ditës së djeshme janë vrarë më shumë se 40 persona, afër qendrave për shpërndarjen e ushqimeve, njoftojnë mediat gjermane.
Demonstrata ka pasur edhe në Bruksel, ku dhjetëra mijëra njerëz kanë kërkuar përfundimin e dhunës në Rripin e Gazës.
Organizatorët thonë se këtu kanë protestuar rreth 100.000 njerëz. Policia raportoi për 75,000 pjesëmarrës.
Lufta dhe vuajtjet e pakrahasueshme deri tani kanë filluar në Rripin e Gazës pasi militantët islamistë të Hamasit dhe luftëtarët e tij aleatë më 7 tetor 2023, sipas burimeve izraelite, u futën në territorin e Izralit dhe vranë e kidnapuan më shumë se 1,200 njerëz. Izraeli u përgjigj me sulme shkatërruese në Rripin e Gazës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të kontrolluar nga Hamasi, deri tani janë vrarë më shumë se 55.200 njerëz.
OKB-ja i konsideron këto shifra të besueshme.




