Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Mërzitja e shqiptarëve dhe dëshira për ndryshim nuk është çështje grupesh, anësh apo etiketimesh politike, por një reagim i natyrshëm ndaj një realiteti të gjatë mungese vëmendjeje dhe përgjegjësie.
Ajo buron nga premtime të përsëritura që mbeten në fushata, nga pagat e ulëta, pensionet e pamjaftueshme dhe mungesa e mundësive që po i detyrojnë të rinjtë të largohen.
E nis nga pika thelbësore, ndryshimet nuk bëhen nga persona dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një person, cilido qoftë ai, por për një grup të madh! Idhujt dëmtojnë! Personalizimi i protestave dëmton!
Në vend të zgjidhjeve, politika shpesh ka prodhuar përplasje, etiketim dhe zhurmë, duke larguar vëmendjen nga problemet e vërteta dhe duke shtuar ndarjet artificiale në shoqëri.
Kam qenë prej ditës së parë në protestë, në 31 maj!
Nuk ka nevojë për armiqësi, sharje, debate të pafundme apo inate që vetëm thellojnë përçarjen, as për profile false që ushqejnë konflikt dhe helmojnë debatin publik.
Nuk ka nevojë për individë heronj, por për ndërtimin e një sistemi modern, si kudo në vendet e zhvilluara! Mos e mbushni njëri-tjetrin me helm miq, sepse në fund kemi të njëjtat probleme, vuajmë po ato halle! Shqiptarët që kërkojnë ndryshim nuk janë armiq të njëri-tjetrit dhe as të vendit të tyre, por njerëz që duan një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më të jetueshme.
Jemi një popull i vetëm, dhe mjafton të shohësh pak më gjerë për të kuptuar se në fund të gjithë lidhemi diku, në një mënyrë apo tjetër.
Të gjithë duan më shumë zhvillim të vërtetë: shfrytëzim të drejtë të pasurive kombëtare si kromi, nafte, bakri, hekur-nikeli dhe bitumi, zhvillim të bujqësisë e blegtorisë, forcim të prodhimit vendas dhe ndërtim të një ekonomie prodhuese që sjell punësim dhe siguri ekonomike.
Padyshim edhe turizëm, por i zhvilluar në mënyrën e duhur, me kujdes dhe respekt për natyrën dhe për të ardhmen. Më shumë mundësi për të rinjtë, për të jetuar denjësisht në vendin e tyre, duke patur mbështetje në forma të ndryshme për të siguruar një apartament, që me çmimet aktuale as nuk mund ta ëndërrojnë.
Dashuria nuk është urrejtje! Kush është i ndershëm e do me zemër këtë vend, jo për një forcë a një tjetër, por sepse ky është vendi ynë!
Në fund, pavarësisht ndarjeve që krijohen, mbetet një e vërtetë e thjeshtë: ky është një popull që kërkon dinjitet, zhvillim dhe një të ardhme të përbashkët më të mirë.
Ne duam të gjithë një Shqipëri më të mirë! Këtë nuk e bën asnjë individ, asnjë, por një skuadër që e do Kombin me zemër! Nuk është histori individësh, por një populli!
Shkruan Marin Mema:
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de