Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Interesante… historia jonë moderne shqiptare duket sikur fsheh një model që përsëritet vazhdimisht.
Sa herë që Kosova ka hyrë në procese vendimtare historike, Shqipëria është përfshirë në trazira të mëdha politike, sociale apo institucionale.
Në prag të luftës së Kosovës, në vitin 1997, Shqipëria përjetoi kolapsin më të madh shtetëror në historinë e saj moderne. Shteti ra, depot ushtarake u hapën dhe vendi u zhyt në kaos total.
Por pikërisht këtu fillon një nga debatet më interesante historike, prej vitesh ekziston teza se hapja e depove të armëve në vitin 1997, përtej kaosit të brendshëm, krijoi edhe një realitet tjetër, një sasi e madhe armatimi përfundoi në duart e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe më pas u përdor për organizimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb.
Për disa kjo ishte rastësi historike.
Për të tjerë, një zhvillim që indirekt ndikoi në ndryshimin e balancës së forcës në prag të luftës.
Në vitet 1998–1999, ndërsa Kosova kalonte orët më dramatike të luftës, Shqipëria ende po dilte nga trauma e krizës së 1997-ës.
Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, Shqipëria u fut sërish në polarizime të ashpra politike që dominuan jetën publike për vite.
Gjatë proceseve të dialogut me Serbinë, Shqipëria pothuajse në vazhdimësi është karakterizuar nga tensione politike të brendshme.
Sot, kur Kosova po afrohet drejt një verdikti historik mbi gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, një proces me pasoja të mëdha politike dhe historike, Shqipëria sërish po hyn në një klimë përplasjesh të forta.
Prej ditësh, mijëra qytetarë po dalin në rrugët e Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë aktuale. Në thelb, protestuesit argumentojnë se vendi po përballet me një nivel të lartë korrupsioni institucional, kapje të shtetit, mungesë transparence në vendimmarrje publike dhe një model qeverisjeje që, sipas tyre, favorizon interesa të ngushta ekonomike në dëm të interesit publik. Protestat e fundit janë nxitur veçanërisht nga kundërshtimi ndaj projekteve të mëdha zhvillimore në zona të mbrojtura, të cilat kritikët i shohin si simbol të një aleance mes pushtetit politik dhe kapitalit privat.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij mbrojnë qëndrimin se këto investime përfaqësojnë zhvillim ekonomik strategjik, modernizim të vendit dhe një mundësi për ta transformuar Shqipërinë në një destinacion të rëndësishëm europian për turizmin dhe kapitalin ndërkombëtar. Rama ka argumentuar se kundërshtimet po politizohen dhe se shumë prej sulmeve ndaj qeverisë lidhen me interesa të aktorëve që synojnë destabilizim politik.
Dhe pikërisht këtu historia sërish ngre një pyetje që meriton reflektim më të thellë:
Pyetja që lind është e thjeshtë:
A janë të gjitha këto vetëm rastësi historike?
Apo sa herë që Kosova hyn në momente që prekin fatin politik të shqiptarëve në rajon, krijohen rreth nesh rrethana që e shpërqendrojnë, e dobësojnë ose e fragmentojnë faktorin shqiptar?
Historia ka një zakon të çuditshëm…
Shpesh flet përmes modeleve që shumë pak duan t’i shohin.
Sebastian Sinani
Politolog
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de