Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayMay 27, 2026 10 2
Kjo është pyetja që i bëja vetes çdo ditë para se të bindesha që duhet të largohesha nga Shqipëria.Unë i përkas atij kontigjenti shqiptarësh që nuk ikën nga Shqipëria për nevojë akute ekonomike. Por vjen një çast në jetën e gjithkujt besoj që nuk mundesh më të gënjesh veten. Unë e kam të pamundur të bëhem palë me të keqen, të jetoj mes servilësh që servilizmin e konsiderojnë mënyrë. E kuptova që nëse doja të ruaja veten, integritetin tim, mënyrën time të të punuarit, menduarit, jetuarit duhet të ikja, të ikja për të mos u mbytur nga komprimet e pista që ofroheshin çdo ditë.
Shumë njerëz janë të aftë që për një vend pune, për një emërim partiak, për një kontratë, për një rrogë më të mirë, për favore personale, janë të gatshëm të heshtin përballë çdo padrejtësie, të shtiren sikur nuk shohin, madje të mbrojnë me zjarr atë që në thelb e dinë mirë se është vrastare, kriminale. Ajo që më tmerronte atëherë dhe sot është se kjo gjë është kthyer në kulturë.
Në Shqipëri nuk të kërkohet të jesh i aftë, të kërkohet vetëm të jesh i bindur. Të mos kundërshtosh, të mos kesh mendim, të mos kesh identitet të fortë moral sepse njerëzit me identitet janë të vështirë për t’u kontrolluar e sigurisht të pamundur për t’u nënshtruar. Ndërsa ata që shiten e blihen janë mekanizmi më i dobishëm i çdo sistemi të kalbur.
Unë nuk ndiej urrejtje për këta njerëz, nuk mësova kurrë të urrej për fatin tim të mirë sado kam kaluar luginat e ferrit më këmbë. Unë ndiej keqardhje për ta. Kam parë tek njerëz të tillë lodhjen e gjatë historike, humbjen e plotë të besimit se gjërat mund të ndryshojnë ndershmërisht. Kanë jetuar aq gjatë në pasiguri, në varësi politike, në frikë ekonomike, sa kanë filluar ta quajnë kompromisin “zgjuarsi”. Kanë filluar të besojnë se dinjiteti nuk të ushqen dhe se ndërgjegjja është luks. Ama njëfarë neverie e ndjej që çke me të!
Por problemi nuk është më individual. Problemi fillon kur shitja e vetes kthehet në normë kolektive dhe fillon të prodhojë pasoja për një vend të tërë, sepse një shoqëri nuk shkatërrohet vetëm nga politikanët e këqij. Shkatërrohet pikë së pari nga njerëzit që i mbajnë gjallë ata për interesa të vogla personale. Një komb shkatërrohet kur mediokriteti emërohet mbi meritën, kur servilizmi zëvendëson profesionalizmin, kur të paaftët promovojnë të paaftë si vetja, kur njerëzit me integritet largohen ose heshtin, kur të rinjtë kuptojnë se talenti nuk mjafton, kur universitetet prodhojnë diploma pa vlerë, kur administrata mbushet me militantë dhe jo me profesionistë, dhe kur çdo institucion fillon të funksionojë si rrjet klientelist e jo si shtet.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria vazhdon të humbasë njerëzit më të mirë moralisht dhe intelektualisht. Shumë prej atyre që mund të ndërtonin diçka serioze lodhen duke parë se sistemi nuk shpërblen integritetin, por bindjen.Dhe atëherë lind kjo pyetja që unë e mora me vete këtu e 10 vite të shkuara: po ne që nuk shitemi, ç’faj kemi? Pse duhet që pasojat e servilizmit t’i vuajë edhe ai që nuk pranon të bëhet pjesë e tij? Pse duhet të penalizohet ai që refuzon të ulë kokën? Pse duhet të ndihet i huaj në vendin e vet njeriu që ende beson tek merita, kultura, ndershmëria, mendimi kritik?
Në një shoqëri të sëmurë moralisht, njerëzit fillojnë të quajnë “budall” njeriun e ndershëm, “të zgjuar” servilin, “të suksesshëm” oportunistin, “idealizëm” çdo përpjekje për moral. Gradualisht kështu fillon të humbë dallimi midis dinjitetit dhe interesit e pikërisht aty fillon kalbëzimi i vërtetë i një kombi. Një vend, një tokë me njerëz nuk vdes kurrë nga varfëria ekonomike. Vdes kur njerëzit humbasin aftësinë për të dalluar të drejtën nga e leverdishmja. Kur e ardhmja e fëmijëve shitet për rehati momentale. Kur askush nuk mendon më për pasojat afatgjata të heshtjes së vet.
Servilizmi nuk prodhon stabilitet, prodhon subekzistencë, prodhon ikje masive, prodhon mosbesim kolektiv, institucione pa moral dhe shoqëri pa shpresë. Mbi të gjitha, prodhon breza që mësohen të mbijetojnë duke mos kundërshtuar asgjë.
Unë, duke ruajtur integritetin tim, qytetarinë time, ndershmërinë time si shqiptare kam ruajtur aftësinë për të mos e quajtur normale atë që është degradim. Besoj se shoqëria shpëtohet pikërisht nga ata pak njerëz që, edhe kur ndihen të huaj mes shumicës, nuk pranojnë të bëhen pjesë e kalbëzimit moral që i rrethon.
Ervina Toptani
Written by: administratori
todayJune 21, 2026 6
todayJune 21, 2026 5