Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Aktualitet
todayMay 8, 2026 5
Me vila, makina luksi, udhëtime pa fund dhe llogari bankare që qytetari i zakonshëm nuk do t’i shihte as në ëndërr… por prapë nuk kursehen të marrin edhe 75 mijë lekë të vjetra për rimbursim pasaporte. Kjo është Shqipëria e vitit 2026. Një vend ku pensionisti numëron qindarkat për ilaçet, ku familjet heqin mishin nga tavolina, ku të rinjtë ikin çdo ditë nga vendi sepse nuk përballojnë jetën… ndërsa kasta politike jeton në një realitet krejt tjetër.
Teksa qytetarët mbyten nga çmimet e energjisë, ushqimeve, qirave dhe karburantit, deputetët nuk shqetësohen aspak për “krizën”. Jo vetëm që nuk ndjejnë krizën, por vazhdojnë të ushqehen me privilegje, dieta, rimbursime dhe luks të paguar nga taksat e njerëzve. Rrogat e tyre janë çuar në mbi 300 mijë lekë të reja në muaj, një shumë që për shumicën e shqiptarëve duket si pagë europiane. Por edhe kjo nuk mjafton.
Sipas të dhënave zyrtare të Kuvendit, vetëm në katër muajt e parë të vitit janë harxhuar mbi 40 milionë lekë për “nevojat” e deputetëve. Mbi 11 milionë lekë për bileta avioni. Gati 25 milionë lekë për karburant. Mbi 1 milion lekë për ujë të pijshëm. Dhe miliona të tjera për riparime makinash luksoze me të cilat lëvizin drejtuesit e Kuvendit dhe administrata. Një lum parash që derdhet pa asnjë ndjeshmëri, në një kohë kur qytetarët luftojnë për mbijetesë.
Dhe ironia arrin kulmin kur mëson se disa deputetë kanë marrë edhe rimbursim për pasaportat. Po, pikërisht ata që deklarojnë apartamente, toka, biznese, makina luksi e shuma marramendëse në deklaratat e pasurisë, nuk kanë kursyer as 75 mijë lekët e vjetra të pasaportës. Një shumë që për një familje në nevojë mund të blejë ushqime për disa ditë, për deputetët kthehet në një tjetër privilegj të marrë pa pikën e turpit.
Emrat janë publikë: Adi Qose, Asfloral Haxhiu, Enriketa Jaho, Genti Lakollari, Ledina Alolli, Manjola Luku, Sara Mila, Ilgli Cara, Ardit Bido, Fidel Kreka dhe Kliti Hoti. Dhe pyetja lind natyrshëm: a nuk kanë këta mundësi të paguajnë vetë një pasaportë? Apo edhe frymëmarrjen duhet t’ua paguajë populli?
Në muajin shkurt vetëm për dieta janë shpenzuar mbi 14 milionë lekë. Për telefonë mbi 2 milionë lekë. Për karburant mbi 4.5 milionë lekë. Ndërsa pagat e deputetëve kanë kapur afro 300 milionë lekë të vjetra. Në mars, mbi 22 milionë lekë të tjera janë dhënë për benefite dhe gati 30 milionë për paga. Një makineri privilegjesh që ecën pa u ndalur, ndërsa qytetari dëgjon çdo ditë fjalën “sakrificë”.
Dhe më e rënda është se kjo nuk shkakton më as skandal. Është bërë normale. Normalitet është bërë që deputeti të marrë dieta luksi, ndërsa mjeku largohet nga vendi. Normalitet është bërë që parlamentari të rimbursojë karburantin, ndërsa qytetari ecën në këmbë sepse nuk mbush dot makinën. Normalitet është bërë që pushtetarët të jetojnë si aristokraci moderne, ndërsa populli trajtohet si turmë që duhet vetëm të paguajë taksa e të heshtë.
Në çdo vend normal, një deputet me moral politik do të kishte turp të merrte rimbursim pasaporte kur merr mijëra euro pagë çdo muaj. Do të kishte turp të fliste për “sakrifica” ndërsa vetë udhëton me bileta të paguara nga shteti. Por në Shqipëri duket se politika nuk njeh më turp, nuk njeh kufi dhe mbi të gjitha nuk njeh realitetin ku jeton populli.
Kjo është arsyeja pse është rritur zemërimi, mosbesimi dhe urrejtja ndaj klasës politike. Sepse njerëzit nuk shohin më përfaqësues të popullit, por një kastë të shkëputur nga realiteti, që jeton me standarde sheikësh mbi kurrizin e një populli që varfërohet çdo ditë e më shumë.
Written by: administratori