Opinion

Sot i dërguari i Trump në Tiranë e anashkalon Ramën:

todayFebruary 11, 2026

Background
share close

Sot i dërguari i Trump në Tiranë e anashkalon Ramën

Vizita në Tiranë e Drejtorit të Zyrës për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit, z. Mark Tervakoski, duket se ka dërguar një mesazh politik më të fortë sesa çdo deklaratë zyrtare.

Z. Tervakoski zhvilloi takime me Presidentin Bajram Begaj, Ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, Ministren e Brendshme Albana Koçiu, si dhe me drejtues të institucioneve kyçe të drejtësisë – në SPAK dhe në GJKKO. Por ajo që bie në sy dhe nuk mund të kalojë pa u vënë re është fakti se ai nuk zhvilloi asnjë takim me Kryeministrin Edi Rama.

Ky është një sinjal politik që flet më shumë se çdo komunikatë diplomatike. Në praktikën ndërkombëtare, shmangia e takimit me kreun e qeverisë është një mesazh i qartë mosbesimi dhe distancimi politik.

Kjo ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara po theksojnë gjithnjë e më fort luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Deklaratat e fundit të Ambasadës Amerikane në Tiranë për çështjet e sigurisë kibernetike, përfshirë AKSHI dhe sistemin e-Albania, tregojnë se shqetësimi amerikan nuk është më thjesht institucional, por strategjik.

Pavarësisht propagandës dhe përpjekjeve për të shitur një realitet të manipuluar, duket se raportet ndërkombëtare ndaj qeverisë shqiptare po ndryshojnë. Fokusi i administratës amerikane ndaj luftës kundër karteleve të drogës, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë po e vendos Shqipërinë në një vëzhgim të fortë ndërkombëtar.

Në këtë klimë politike, çdo përpjekje për të kontrolluar narrativën apo për të shmangur përgjegjësitë duket gjithnjë e më e vështirë. Pyetja që mbetet është nëse drejtësia do të arrijë të veprojë pa presion dhe nëse institucionet do të kenë guximin të përballen me realitetin.

Koha e retorikës duket se po mbaron. Tashmë priten rezultatet.

Shkruan Fatmir Mërkoçi:

Written by: Window.Al

Rate it