Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Një analizë e fenomenit të korrupsionit në gjykatat shqiptare që rezultuan me vrasjen e shekullit.
Kur erdha në Amerikë, bëra një vizitë në shtëpinë e Bob, një komshuit tim amerikan. U çudita shumë kur ai më tregoi pudrumin e shtëpisë së tij të mbushur me armë nga të gjitha llojet dhe kalibrat. Si çdo amerikan, që mund të marrë një license apo leje per të mbajtur armë, edhe ai kishte një të tillë.
-Ç’i do gjithë këto armë Bob, e pyeta.
-Për vetëmbrojtje, më tha ai.
-Vetëmbrojtje nga kush, e pyeta.
-Armët i mbaj që të mbrohem nga shteti, më tha.
Kjo vërtet ka një domethënje të madhe, që nëse shteti posedon armë, ushtri, polici, prokurori dhe dhe gjykata, atëherë ky shtet në rastin më të keq do të abuzojë me njeriun e thjeshtë dhe popullin e pambrojtur. Prandaj, në vendet diktatoriale komuniste dhe socialiste, regjimet fillojnë të instalohen më së pari me mbledhjen e armëve, kjo jo për sigurinë e popullit por për një qëllim tjetër dhe të djallëzuar, për t’i gjunjëzuar dhe mbajtur atë nën kontroll.
Por unë dua të ndalem vetëm në fenomenin se si systemi gjyqësor i korruptuar dhe abuziv në Shqipëri, i kthen njerëzit e pambrojtur por edhe kriminelët në vrasës, me vendimet që merr. Nuk po them se i “kthen” drejtpërdrejt njerëzit në vrasës, por krijon kushtet e favorshme, si padrejtësinë, pandëshkueshmërinë, dëshpërimin dhe qarqe reagimi të agravuara, të cilat rrisin ndjeshëm gjasat e dhunës vdekjeprurëse. Më poshtë do të shtjelloj rrugët kryesore shkakësore se si gjykatat e korruptuara prodhojnë dhunë.
Është shumë e dhimbshme kur mendon se këto fenomene padrejtësish në systemin tonë gjyqsor janë kthyer në normalitet dhe kulturë pune.
Është edhe më e dhimbshme kur mendon se Elvis Shkambi përjetoi pak nga të gjitha këto padrejtësi, përpara se të vendoste drejtësi me grykën e armës. Ishin aktet e padrejta gjyqësore pa fund që kultivuan zemërimin, gjendjen e tij shpirtërore dhe mendore deri ne “pikën e vlimit” apo të shpërthimit emocional të Elvisit, në përdorimin e armës
Të ndjerin gjyqtari Astrit Kalaja nuk e kam njohur, flitet se ishte njeri i ndershëm, mbase nuk ishte fajtor i “odisesë” pa fund të vuajtjeve dhe ecejakeve të familjes Shkambi nëpër dyert e gjykatave për të marrë pronën e tyre. Mbase ishte njeriu i gabuar, në vendin e gabuar dhe kohen e gabuar. Por ai mbeti viktimë e atij sistemi të rrenuar gjyqsor ku bënte pjesë.
Ndërsa Gjon Shkambin unë e njoh personalisht, jemi rritur bashkë, kemi qenë shokë të afërt në vogëli dhe rini në fshatin Berdicë, ku ne ishim zhvendosur deri në ardhjen e demokracisë. Gjoni ishte një njeri i qetë, i ndershëm dhe fjalëpak. Nuk ngucte kurrë njeri. Apo sikurse thoshte:”As nguci kënd dhe as nuk duroj kënd”.
Më vonë Gjoni mbaroi shkollën teologjike në Kishën e Fretenve në Shkodër, gjithmonë mbante rruzare në qafë dhe lutej, ka qenë frift për disa kohë. Babai dhe familja e tij ishte e ndershme dhe punëtore. Femijët e tij janë studentë të shkëlqyer, punojnë dhe shërbejnë vullnetarisht në Kisha shqiptare. Gjoni më fliste shpesh për një truall të trashëguar në lagjen Skënderbeg. Edhe për nipin e tij Elvisin, shokët e shkollës thonë se ishte njeri i mirë dhe i qetë. Elvisi ishte me shkollë të lartë, djalë i ri plot ëndërra dhe dëshira rinore, larg veseve të rrugës dhe punëve të këqija.
Po atëherë, si erdhëm deri këtu? Si ndodhi që ky njeri i mirë dhe i butë u kthye në vrasës?
Familja Shkambi kishte 33 vjet në kërkim të pronës së tyre në dyert e shtetit. Një kalvar vuajtjesh që daton para se Elvisi të kishte lindur. Të gjorët të mbytur në borxhe deri në fyt, të pashpresë dhe të pambrojtur. Nje shkëlmoqje totale financiare dhe shpirtërore. Ngaqë ishin të bindur në të drejtën e tyre, ata i provuan të gjitha format ligjore dhe të apelit civil. Nuk ngurraun të kërkonin edhe ndihmën e publikut, të mediave dhe gazetërëve. I patën shkruar edhe kryeministrit. Pa rezultat.
Pas 33 vjetësh zvarritje në dyert e gjykatave, vjen verdikti final: Duhet t’ja fillosh nga e para. O tempora, o Mores! O shpirt që nuk del!!!
Atë moment diçka brenda Elvisit u thye. Njeriu që dikur lutej për drejtësi nuk beson më në të. Veprimi i tij mbase nuk ishte drejtësi, por ishte britma e një shpirti të shtypur nga padrejtësia dhe korrupsioni.
Një pushtet apo sistem gjyqsor që injoron vuajtjen njerëzore dhe dëmet financiiare të shkaktuar në dekada, nuk duhet të habitet kur ajo shpërthen në dhunë. Kur dhuna shfaqet në gjykata, kjo është dëshmia se sistemi tashmë ka rënë.
Unë mendoj se erozioni i zbatimit të drejtesisë në gjykata dhe degradimi i shtetit në të gjitha hallkat e tij, janë faktorët kryesorë që krijuan kushtet për vrasjen së shekullit. I ndjeri Astrit Kalaja dhe familja Shkambi në burg jane dhe mbeten viktimat e një sistemi të kalbur dhe të deshtuar gjyqësor. Gjykatat e korruptuara ishin shkaku, vrasja e gjyqtarit ishte pasoja. Dukshëm, askush nuk fiton kur drejtësia dështon.
Me këto nuk dua që të legalizoj apo të mbroj vrasjen e një gjyqtari. Për mua si katolik, është Zoti që të jep jetën dhe atij ja dorëzojmë. Askush nuk duhet të vrasë askënd. Aq më pak, vrasja nga zemërimi, frustrimi apo hakmarrja kundër abuzimit të gjykatësve nuk e rregullon systemin gjyqsor, përkundrazi, unë mendoj se përforcon abuzimin dhe egërsinë e tij. Me gjasa nuk do të shohim një reflektim për mirë të sistemit gjyqsor kundrejt korrupsionit, por do të shohim forcimin e masave të sigurisë apo ashpërsimit të ligjit kundër dhunës dhe armëbajtjes, tipare të dukshme të regjimeve autoritare jodemokratike.
Por kur abuzimi është i rëndë, i vazhdueshëm dhe i pamëshirë, njerëzit arrijnë në një pikë krize me pasoja të paparashikueshme, dhe sado i fortë të jetë ligji kundër armëve, ata e gjejnë formën dhe mjetin e dhunës. Kjo është arsyeja pse sistemet e llogaridhënies dhe të drejtësisë janë kaq thelbësore: pikërisht për të parandaluar aktet e dëshpëruara dhe për të ndaluar si brutalitetin në emër të së drejtës personale, ashtu edhe dhunën hakmarrëse. Në këtë mission të tij, sistemi gjyqësor dështoi. Kur drejtësia dështon, kaosi bëhet ligj.
Shënjestra e Elvisit dhe shpërthimi emocional i tij nuk ishite mbi gjyqtarin, ata nuk kishin çështje personale me njëri-tjetrin, por mbi systemin e korruptuar gjyqësor që atij nuk ja kthey kurrë pronën. Jo vetëm kundër sistemit gjyqësor, por edhe kundër një shteti autoritar policor që ka kriminalizuar jetën e një shoqërie të tërë, kundër një pushteti që mbasi ka zaptuar nëpërmjet sistemit gjyqsor dhe oligarkëve pronat e qytetarëve në qendrat urbane dhe bregdetin, i është turrur tani bjeshkëve alpine pa mëshirë. Prandaj “pushka” e Elvisit mua mu duk se ishte edhe për Thethin dhe Valbonën dhe dhunën shtetërore ndaj pronës së qytetarëve. Elvisi që vrau gjyqtarin nuk mund të them se është hero, por është simptomë e një sistemi gjyqsor të thyer dhe të dështuar.
Nëse prokuroria, gjykatat apo policia abuzojnë me pushtetin që ju ka dhënë populli, atëherë kush i mbron qytetarët nga ky abuzim?! Kur ligjet dhe Kushtetuta nuk zbatohet, unë mendoj se shqiptarët gjejnë derman, zgjidhje dhe mbrojtje tek Kanuni i Lekës së tyre të Dukagjinit. Si shembulli më i mirë është komshiu im Bob, që nuk e njeh Kanunin, por mban armë për t’u mbrojtur nga shteti. Edhe Elvisi mendoj se qëlloi në vetëmbrojtje nga shteti.
Shkrimi është opinion personal i autorit.
Valentin Lumaj/Michigan
11 Tetor 2025
Nga Valentin Lumaj: Michigan.
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de