Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Në dukje një shaká, por brenda saj fshihet një e vërtetë e rëndë. Ka natyra që nuk i ndryshon dot. Mund t’i vësh përpara shembuj, libra, predikime,mësime dhe përsëri do të ecin shtrembër.
Nuk e bëjnë nga inati, por nga vetë natyra dhe përbërja e tyre. Ashtu si gaforrja, që nuk e njeh dot ecjen drejt, sepse nuk është pjesë e qenies së saj, ashtu dhe disa njerëz janë si “dru të shtrëmbur” nuk ndreqen sado që të mundohesh dhe investosh shpirtin për to…
Aristofani na kujton se jo çdo shpirt ka aftësinë të përthithë rregull, drejtësi apo moral. Disa janë lindur me shtrembërim të brendshëm, e gjithë përpjekja për t’i drejtuar nuk është gjë tjetër veçse një lodhje e kot. Të kërkosh tek ata të ndryshojnë është njësoj si të lutesh që hëna të ndriçojë diellin.
Këtu lind pyetja e madhe: A mund të ndryshojë njeriu?
Aristoteli do të thoshte se virtyti është ushtrim dhe çdo karakter mund të formohet, por Aristofani nuk e beson këtë utopi, ndaj ai tallet: ka njerëz që edhe nëse i mëson me durim për mijëra herë, sërish do të kthehen tek ecja e tyre shtrembër.
Ky është kufiri i lirisë njerëzore. Ne mund të zgjedhim shumë gjëra, por jo natyrën tonë të lindur.
Prandaj, ndonjëherë më e mençur është të mos shpenzojmë jetën duke dashur t’i mësojmë gaforret të ecin drejt dhe këtë duhet ta bëjmë jo nga mungesa e mëshirës, por nga kthjelltësia për të kuptuar se kush mund të ndryshojë dhe kush jo.
Se janë disa beteja që nuk fitohet dhe harxhimi i forcave tek njerëzit që s’ndryshojnë kurrë, është një mënyrë e heshtur për të braktisur veten.
Këtu Aristofani nuk flet për gaforren, por për ne dhe na kujton se ndershmëria e jetës nuk është të kesh iluzione për të gjithë, por të dish t’i dallosh natyrat e shtrembëra dhe të mos e lejojmë shtrembërimin e tyre të na bëjë edhe ne të ecim anash…
Mimoza Rexhvelaj
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de