16.7 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeOpinionSheikët me lehtësi, pogradecarët, korçarët e dibranët me dyshim!

Sheikët me lehtësi, pogradecarët, korçarët e dibranët me dyshim!

Së fundmi, është raportuar se superjahti i pronarit të Manchester City-t është ankoruar në portin e Durrësit për t’u furnizuar me karburant, duke përfituar nga lehtësitë fiskale që ka krijuar qeveria shqiptare për jahtet e luksit.

Nuk është i vetmi. E kanë bërë edhe mjaft miliarderë të tjerë para tij.

Në parim, kjo është një lëvizje që mund të interpretohet si mbështetje për turizmin elitar apo si nxitje për zhvillimin e industrisë së marinës.

Por në praktikë, kjo ngjarje nxjerr në pah një pabarazi të madhe në trajtimin që shteti rezervon për qytetarët e zakonshëm, krahasuar me të pasurit apo të privilegjuarit.
Sepse ndërkohë që një sheik arab mund të furnizohet lirshëm me tonelata karburanti pa asnjë pengesë, qindra qytetarë të zonave kufitare lindore, pogradecarë, dibranë apo korçarë, rrezikojnë të konsiderohen kontrabandistë vetëm pse kalojnë kufirin për të blerë karburant më të lirë në Maqedoni. Ata nuk po transportojnë naftë në cisterna, por thjesht furnizojnë makinat e tyre për të kursyer pak të ardhura në një treg të padrejtë, ku çmimi i karburantit në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon.
Kjo sjellje është jo vetëm e natyrshme, por edhe e logjikshme nga pikëpamja ekonomike. Kujtoj këtu një episod të viteve ‘90, kur ndodhesha në Zvicër. Miku im, Sokol Agushi, më mori me vete për të bërë pazar në anën franceze të kufirit. I habitur, e pyeta pse duhej të kalonim në një vend tjetër për të blerë produkte. “Sepse janë më lirë”, më tha. Një veprim krejt normal, madje i inkurajuar nga logjika e konsumatorit, i pa ndëshkuar nga asnjë autoritet. Askush nuk të konsideron kontrabandist në Zvicër sepse përpiqesh të bësh një pazar më të lirë në Francë.
Pse atëherë një sheik duhet të përfitojë me ligj, ndërsa një qytetar i zakonshëm duhet të mbikëqyret si i dyshuar? Pse një veprim racional ekonomik është i ligjshëm për të pasurin dhe i dyshimtë për të varfrin? A nuk do të ishte më e drejtë që shteti të krijonte lehtësira për banorët e kufirit, në vend që të ushtronte presion mbi ta?
Në një vend ku shteti i jep privilegje të fuqishmëve dhe ndëshkon të dobëtit, nuk mund të ketë as drejtësi sociale, as zhvillim të qëndrueshëm. Kontrasti midis “lehtësive” për superjahtet dhe “kontrabandës” për qytetarët që blejnë karburant për të mbijetuar, është simboli më i qartë i dyfytyrësisë së sistemit. Dhe kjo nuk është vetëm çështje ligjore. Është çështje morali shtetëror.

Shpëtim Luku

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat