16.7 C
Albania
Friday, April 17, 2026
Google search engine
HomeOpinionDrejtësia shqiptare në bankën e të akuzuarve. A meriton burgim të përjetshëm?

Drejtësia shqiptare në bankën e të akuzuarve. A meriton burgim të përjetshëm?

Drejtësia shqiptare në bankën e të akuzuarve. A meriton burgim të përjetshëm? Ajo do të dënohet nga zoti dhe brezat e ardhshëm….

Që prej shekujsh, shoqëria shqiptare është vjedhur, tradhtuar dhe mashtruar. Nga të huajt, nga të vetët, nga mbretër, nga diktatorë, nga qeveritarë, nga oligarkë, dhe së fundmi me më shumë finesë dhe legalitet nga vetë drejtësia.

Na kanë marrë tokat me fermanë, me revolucione, me reforma agrare, me VKM, me ligje speciale dhe së fundi me vendime gjykatash që mbajnë vulën e shtetit, por nënshkrimin e interesit.

Kemi besuar gjithmonë se një ditë do të na jepet ajo që na takon. Dhe çfarë morëm? Dosje që humbasin, vendime që zvarriten, prokurori që pushon hetimet dhe gjykata që flet në gjuhën e pushtetit. Sepse drejtësia shqiptare s’ka qenë kurrë për qytetarin por për patronazhistin, militantin, donatorin dhe pushtetin.
Një shembull i qartë është fakti se prej vitit 1990, shqiptarët enden nëpër gjykata si shtegtarë të dëshpëruar, me shpresën naive se një ditë edhe për ne do funksionojë ligji. Por drejtësia na sheh nga maja e piramidës me përçmim dhe na fton me arrogancë që të presim edhe pak. Tridhjetë e pesë vite të tjera, ndoshta. Apo deri sa të vdesim.

A jemi ne fajtorët, që ende kemi shpresë te një drejtësi që na ka tradhtuar sistematikisht? Apo është koha të pranojmë që në këtë vend, drejtësia është thjesht një instrument pushteti jo një mbrojtëse e së drejtës?

Në këtë vend ku shteti rrëmben dhe gjykata bekon, nuk kemi nevojë për më shumë reforma kemi nevojë për ndëshkim dhe llogaridhënie, sepse kur një shoqëri vidhet për shekuj, nuk mjafton më një ndjesë.

A duhet të dënohet drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm? Jo si koncept abstrakt, por si sistem që ka mbështetur me vetëdije plaçkitjen kombëtare.

Drejtësia shqiptare nuk është viktimë e sistemit. Është bashkëautore e padrejtësisë. Kur shteti ka dashur të vjedhë, gjykata ka firmosur. Kur oligarku ka dashur të betonojë, prokurori ka heshtur. Kur qytetari ka bërtitur për ndihmë, drejtësia i ka kërkuar taksën e padurimit dhe e ka ridërguar në radhë.

Po, drejtësia shqiptare është fajtore për shkatërrimin e shoqërisë shqiptare. Jo vetëm sepse s’ka vepruar, por sepse ka bashkëpunuar. Dhe bashkëpunëtori në krim, edhe në heshtje, është njëlloj fajtor.

A duhet të dënohet drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm? Po, jo për të jetuar pas hekurave, por sepse ka tradhtuar besimin e një populli të tërë, duke u kthyer në vegël të pushtetit dhe jo mbrojtëse e të drejtës.

Ajo ka firmosur padrejtësi, ka heshtur përballë vjedhjeve të pronave, ka zvarritur çështje jetike dhe ka bekuar grabitësit me vendime gjyqësore. Dhe për këtë krim të heshtur, drejtësia shqiptare do të dënohet jo nga ligji që e mbron, por nga historia që nuk fal. Jo për të jetuar pas hekurave, por me burgimin moral dhe shoqëror që do ta ndjekë ndër shekuj.

Drejtësia shqiptare është përgjegjëse për mungesën e sigurisë juridike që ka detyruar mijëra qytetarë të largohen nga vendi i tyre, jo sepse s’kishin mundësi, por sepse s’kishin drejtësi. Kur shteti grabiti, ajo heshti; kur qytetari kërkoi të drejtën, ajo e poshtëroi; dhe kur pushteti dhunoi ligjin, ajo e mbuloi me vendim gjykate.

Kjo drejtësi nuk i shërbeu popullit, por interesit, klientit dhe urdhrit politik. Dhe për këtë tradhti ndaj njeriut të thjeshtë, ajo nuk do dënohet vetëm nga historia, por edhe nga Zoti dhe nga brezat që do kujtojnë padrejtësinë si plagën më të thellë të kësaj shoqërie.

Avokat Arben Llangozi

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat