Opinion

Veriu i njerkës Jugu i nënës!!

todayJuly 9, 2025

Background
share close

“Me fadromë mbi dinjitetin:
Edi Rama i shpall luftë Thethit dhe Veriut:
Ndërsa i përkulet jugut të oligarkëve”

Ka ditë që Thethi klith, por askush nuk e dëgjon.
E rrëmuar, e dhunuar, e katandisur si trofe i një shteti të egër, fshati simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare është kthyer në fushë-betejë. Jo për zhvillim, jo për investim. Por për dhunim. Për shkatërrim. Për zhdukje të çdo gjurme jete që nuk i përulet pushtetit të një njeriu të vetëm:
Edi Ramës.

Ajo që ndodhi këto ditë në Theth është më shumë se një operacion urbanistik. Është një akt brutal shtetëror. Një ekspeditë ndëshkimi. Një shembje politike dhe kulturore, me qëllim nënshtrimin total të një komuniteti që historikisht nuk është përkulur përpara askujt.

Sepse Thethi nuk është thjesht një fshat. Është simboli i malësisë, i gjakut që nuk falet, i nderit që nuk shitet, i mikpritjes që nuk blihet. Dhe kjo për qeverinë Rama është problem.
Shumë problem.

Fadromat e Ramës:
Mjetet e nënshtrimit të Veriut:

Me fytyra të ftohta, me makina të rënda, me urdhra të prerë, shteti shqiptar — që hesht për ndërtimet pa leje në jug, në bregdet, në resortet e pushtetarëve dhe oligarkëve — ka zbritur në Theth për të treguar forcën. Për të treguar muskujt. Të zbrasë dufin e një pushteti të konsumuar nga korrupsioni mbi një komunitet që nuk ka zë në media, nuk ka lobi, nuk ka pushtet, por vetëm dinjitet.

Po përse nuk i sheh të njëjtat fadroma në jug?
Në Dhërmi, në Jalë, në Palasë, në zonat ku betonohen qindra metra katrorë tokë publike?
Ku janë shembjet në Sarandë? Ku janë në Ksamil, në Vlorë, në Himarë?
Atje ku tokat merren me dokumente fallco, ndërtohen kulla që legalizohen me një “Okej” në WhatsApp nga qeveria?
Atje ka heshtje. Ka dhëmbë të bardhë dhe spote promovimi.
Sepse janë njerëzit e Ramës, janë ata që sponsorizojnë fushatat dhe mediat, janë oligarkët e bregdetit jugor.

Një shtet që urdhëron drejtësinë:

Mjafton të dëgjosh çfarë tha Edi Rama në lidhje me prokurorinë e Shkodrës.
Me një gjuhë ultimatumi dhe poshtërimi, ai i kërkoi llogari një prokuroreje pse nuk kishte nisur hetime ndaj një ndërtimi pa leje në Theth.
Një godinë me dru dhe llamarinë që përdorej për të pritur turistë në një zonë ku nuk ekziston as infrastruktura minimale. Po çfarë do prokuroria atje ku shteti nuk ekziston? Ku rruga bllokohet me muaj, ku elektriciteti është luks, ku nuk shkon dot as ambulanca?

Por për Edi Ramën, Veriu duhet ndëshkuar.
Nuk mjafton që është lënë në harresë. Tani duhet dhe të nëpërkëmbet.
Të poshtërohet. Të shembet me duart e vetë shtetit.
Të shpallet armik.

Hipokrizia e “turizmit elitar”

Kur flet për jugun, Edi Rama flet për “turizëm elitar”.
Për marka luksi, për investime të huaja, për ekskluzivitet. Në jug, shet çdo centimetër katror për ca vila buzë detit që nuk i shërbejnë askujt përveç klientelës së tij.
Në jug ka leje pa fund, ka resort pa fund, ka para që qarkullojnë me valixhe.
Atje, nuk shembet asgjë.

Por në Veri, turizmi është tjetër.
Është i gjallë. Është njerëzor.
Është mikpritje me qumësht, me djathë, me fjalë të mira, me odë.
Është ndërtuar pa ndihmën e askujt.
Pa shtet. Pa investitorë të mëdhenj.
Vetëm me krahët e atyre burrave dhe grave që nuk e lanë tokën të zbrazej.

Dhe kjo është e papranueshme për Edi Ramën.
Ai do gjithçka në kontroll. Nuk i duron dot komunitetet që jetojnë jashtë logjikës së partisë.
Ai kërkon që edhe barakat në Theth t’i kontrollojë vetë.
Ose t’i shembë.

Diferencimi Veri – Jug:
Një realitet i hidhur:

Në këtë vend, padrejtësia ka gjithmonë një emër: Politikë.
Por padrejtësia e Ramës është edhe më e thellë, më e rrezikshme: është ndarje kulturore dhe gjeografike. Është trajtimi i Veriut si periferia që duhet vetëm për vota, por jo për investime.
Si zona e ftohtë që nuk meriton as të dëgjohet.

Në jug shkojnë të gjitha tenderat. Të gjitha lejet. Të gjithë projektet me financime ndërkombëtare.
Ndërsa në Veri?
Vetëm lëmosha. Dhe kohë pas kohe, fadroma.

Kjo nuk është më thjesht pabarazi. Kjo është përçmim. Është racizëm institucional. Është luftë klasore dhe krahinore.
Dhe duhet emërtuar si i tillë.

Po populli i Thethit, ku është?

Populli i Thethit, si gjithmonë, është me krahët e tij.
Nuk ka zë në parlament. Nuk ka përfaqësues në qeveri. Nuk ka oligarkë në krah.
Ka vetëm malet, besën, dhe historinë.
Ka votuar, është tradhtuar, është lënë në mëshirë të fatit.

Por dinjiteti i atij populli nuk blihet. Dhe këtë Rama nuk e kupton dot.
Ai që mat gjithçka me PR, me sondazhe, me klikime, nuk mund ta kuptojë se ka vende ku ndërtimi nuk bëhet me beton, por me besim.
Ka zona ku shtëpia nuk është investim, por strehë për mikun.
Ka njerëz që nuk pranojnë të nënshtrohen.
Dhe ky është faji më i madh për këtë regjim.

Në fund:

Thethi nuk thyhet.
Rama do thyhet.

Shembjet në Theth janë një akt turpi kombëtar. Janë poshtërimi më i madh që qeveria i bën vetvetes.
Ato do kalojnë, si gjithë pushtetet që vijnë e ikin.
Por Thethi do mbetet.

Dhe një ditë, kur kjo shfaqje e ulët pushteti të marrë fund, Thethi do flasë. Dhe historia do e shkruajë qartë:
Kush ngriti fadromën mbi Thethin, ngriti fadromën mbi Shqipërinë.

Dhe Shqipëria, kur të zgjohet, s’fal. Sepse populli i maleve nuk mban inat — por kur e nxjerr, është si rrufe në qiell të pastër.

Written by: Window.Al

Rate it