12.5 C
Albania
Sunday, April 19, 2026
Google search engine
HomeOpinionLetër e hapur drejtuar dr. Sali Berishës.

Letër e hapur drejtuar dr. Sali Berishës.

I nderuar Dr. Berisha!

Po ju drejtohem publikisht, sepse nuk mund të hesht më përballë asaj që po ndodh. Ju e dini se kam qenë gjithmonë mbështetës i palëkundur i përpjekjeve tuaja për demokracinë. Ky mesazh vjen me sinqeritet, përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj opozitës dhe shqiptarëve.

Diplomacia e heshtur:

Amerika foli
Pas 16 ditësh, SHBA dha një deklaratë të shkurtër prej 16 fjalësh që i drejtohej popullit shqiptar, jo qeverisë. Mesazhi kishte dy pika kryesore:

Urim për popullin shqiptar;

Urim për zgjedhjet parlamentare.

Mungesa e një urimi për fituesin flet më shumë se çdo fjali tjetër. Miqtë tanë amerikanë e kuptojnë shumë mirë se çfarë ka ndodhur me votën e shqiptarëve. Nga mënyra si është pritur kjo deklaratë, është e qartë se si pozita, ashtu edhe opozita, janë tronditur.

Një pjesë e opozitës kërkon që deklaratat të jenë më të drejtpërdrejta. Por e vërteta është se diplomacia nuk flet kurrë hapur, ajo reagon vetëm kur reagon populli. Nëse ne e pranojmë heshtur procesin zgjedhor, pse duhet të flasë më qartë miku ynë strategjik?

Ishte një mesazh për të gjithë shqiptarët:
Mesazhi i nënkuptuar është i qartë: “Ju e dini vetë nëse keni qenë të shantazhuar, të blerë apo të dhunuar në vullnetin tuaj për të zgjedhur.”

Ka një thënie të urtë që i përshtatet kësaj situate:

“Liria nuk është ajo që ju bëni, por ajo që bëni pas asaj që ju bëjnë.”

Përgjegjësia e opozitës:

Mungoi organizimi
E vërteta është se opozita nuk arriti të pengonte manipulimin zgjedhor, por kishte mundësi të përgatitej më mirë. Strukturat organizative dhe monitorimi i procesit munguan. Opozita, përveç figurës suaj, nuk arriti të funksionojë si një trup i organizuar dhe efikas.

Pyetja që ngrihet sot me forcë nga qytetarët është kjo:
Çfarë do të bëjë opozita pas kësaj farse zgjedhore?

Nuk mjafton të denoncosh, duhet të veprosh
Sot demokratët nuk kanë nevojë për të dëgjuar përsëri që zgjedhjet u vodhën. Ata këtë e dinë më mirë se kushdo. Ajo që ata kërkojnë është veprim i organizuar, përfaqësim i denjë, dhe një strategji e qartë për mbrojtjen e votës së lirë.

Fatkeqësisht, shumë nga drejtuesit aktualë të strukturave partiake nuk frymëzojnë më. Në raste të shumta, janë perceptuar si pjesë e problemeve që kanë shoqëruar edhe vetë procesin e primareve. Këta individë nuk sjellin më shpresë, por dekurajim.

Nuk është e nevojshme të përmend emra. Ju i njihni shumë mirë vetë. Ata mund të kontribuojnë në mënyra të tjera, por jo në drejtimin e aksionit për mbrojtjen e votës.

Koha për ringritje morale dhe politike:

Sot, demokratët flasin. Ata që dolën tre vite më parë në “Foltoren” për ringritjen e PD-së, kërkojnë sërish drejtues me integritet, me guxim dhe me vizion.

Përballja me regjimin aktual që me të drejtë e kam quajtur banditokraci, kërkon më shumë se kauzë: kërkon njerëz me moral, besim, dhe vendosmëri.

Ne kemi besuar gjithmonë te liria. Por sot, qëndresa dhe përballja janë emergjencë kombëtare dhe politike. Dhe kjo nuk mund të arrihet me fjalë të bukura apo me përfaqësues që kanë humbur kontaktin me realitetin.

Duhet vepruar tani.
Koha nuk pret. Nëse nuk ndërmerren hapa konkretë e urgjentë, opozita do të humbasë jo vetëm betejën, por edhe kredibilitetin te qytetarët.

Spekullantët politikë dhe mediatikë janë gati të sulmojnë gjithçka që lëviz, nëse nuk ka forcë, qartësi dhe vizion. Ndaj është detyrë e opozitës të kthejë zhgënjimin në shpresë, pesimizmin në kurajo, dhe mërzinë në organizim.

Me respekt dhe miqësisht!

Av. Ndre Molla

28.05.2025.

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat