22.5 C
Albania
Saturday, April 18, 2026
Google search engine
HomeOpinionPamë e çfarë nuk pamë:

Pamë e çfarë nuk pamë:

Certifikimi i procesit zgjedhor të 11 majit do të thotë certifikim i faktit se çdo opozitë në këtë vend është e destinuar të jetë përjetësisht opozitë.

Gjithçka ndodhi para syve të të gjithëve.

Pamë Drejtoreshën e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës në një zyrë të fshehtë, pa logo dhe disa njerëz të tjerë të iknin me vrap teksa gjendeshin përballë pyetjes: E kujt është kjo zyrë dhe për çfarē shërben?!

Pamë deputetin Erion Braçe të mbyllej krejt i vetëm në atë zyrë dhe të mos i përgjigjej pyetjes se e kujt ishte ajo zyrë dhe për çfarë shërbente.

Pamë një zyrë të dytë të fshehur patronazhimi ku dy zonja mbulonin fytyrën me çantë dhe iknin me vrap teksa përballeshin me pyetjen se e kujt ishte ajo zyrë dhe për çfarë shërbente.

Pamë qendra votimi të rrethuara nga drejtoresha e drejtorë që në çastin kur përballeshin me qytetarët që i denonconin kishin vetëm një përgjigje: Largohu se të zhduka!

Pamë procese zgjedhore ku rezultonte të kish më shumë fleta votimi se votues.
Pamë fleta votimi dhe materiale zgjedhore të gjendura mbi tavolina lokali.

Pamë figura anonime pa asnjë kontribut në jetën politike e shoqërore të vendit, të figuronin si figurat më të votuara si Sara Mile dhe Zegjjne Caushi.

Pamë faktin se Altin Dumani mbante në sirtar një urdhërarresti që prej shkurtit dhe e ekzekutoi këtë të fundit pas zgjedhjeve të majit për një rrjet ndërkombëtar droge.

Pamë të burgosurit të votonin në uniformitet të plotë partinë në pushtet.

Pamë dëshmi nga diaspora ku vërtetohej qartazi me figurë dhe me zë procesi i vjedhjes së votave.

Pamë raportin e OSBE/ ODIHR ku shkruhej e zeza mbi të bardhë që shumica e mediave në Shqipëri flasin me gojēn e Partisë Shtet.

Pamë 83 mandate të një qeverie që është e mbytur nga 830 skandale dhe që ka përmbysur çdo literaturë të shkencave politike me formulën: “Sa më shumë i shtohen skandalet qeverisë, aq më shumë i shtohet mbështetja nga populli”.

Pamë gjithçka dhe nëse shohim edhe certifikimin e këtyre zgjedhjeve, do të shohim të parashkruar edhe të ardhmen në këtë vend e cila në ligjëratë të drejtë na thotë: “Çdo opozitë përballë këtij pushteti është e detinuar të mbetet opozitë.”

Kur them ‘Opozitë’ nuk i referohem vetëm Partisë Demokratike, por çdo force opozitare që do të qëndrojë përballë Partisë Shtet.

Partia Shtet e ka të qartë filozofinë e saj: Çdo forcë opozitare duhet të krijohet dhe të rritet deri në atë nivel që nuk përbën kërcënim për Partinë Shtet”.

Post Scriptum- Ndaj certifikimi i këtyre zgjedhjeve nuk dëmton më vetëm Partinë Demokratike, por të gjithë shoqërinë shqiptare dhe dëmi do të reflektohet te shqiptarët që do të arratisen nga Shqipëria, jo për të gjetur parajsën në një vend tjetër, por për të punuar pa një patronazhist mbi krye, për të paguar pa ankth faturat e dritave dhe të ujit, për të bërë qetësisht pazarin në supermarket dhe për të jetuar ndershmërisht në një tokë të huaj ku paradoksalisht ndihesh më pak i huaj se në tokën ku linde.

Elona Caslli

ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -
Google search engine

Më të klikuarat