Opinion

SAMI LUSHTAKU: SIMBOLI I FUQISË SË PADUKSHME DHE DONI I NËNTOKËS QË E SFIDON SHTETIN:

todayMay 15, 2026 4

Background
share close

Nëse edhe kësaj radhe “Sulltani i Çifligut të Drenicës”, Sami Lushtaku, do të përfundojë pas hekurave vetëm për t’u rikthyer sërish në liri me të njëjtën lehtësi me të cilën era i rikthen gjethet e vjeshtës — si në rastin e dikurshëm të tentim-vrasjes së Gazmend Halilajt — dhe nëse drejtësia, në vend të peshores, vazhdon ta përdorë një kandar që peshon krimet si të ishin vezë e jo gurë, atëherë do të bëhej gjithnjë e më e vështirë të mohohet ndjesia se diku, nën sipërfaqen e shtetit formal, ka zënë rrënjë një rend tjetër i padukshëm.

Një rend që nuk shkruhet në Kushtetutë, por në heshtje; që nuk shpallet në gazeta, por zbatohet në praktikë; dhe që, në vend të ligjit, njeh vetëm fuqinë e nëntokës.

Dhe nëse kjo vazhdon të përsëritet si një skenar i njohur që nuk e ndryshon as regjisori, atëherë pyetja nuk do të jetë më nëse ekziston një “shtet paralel”, por sa thellë i ka futur rrënjët në trupin e vetë shtetit — dhe çfarë force historike, morale apo qytetare do të nevojitej për t’i shkulur ato rrënjë mafioze pa e rrëzuar tërë strukturën përreth.

Nëse kjo tablo përsëritet edhe një herë — me të njëjtin ritëm të kthimit të aktorëve në skenë dhe të harresës publike midis dy episodeve — atëherë sfida nuk do të jetë më vetëm juridike, por thellësisht politike dhe morale për vetë PDK-në si subjekt që pretendon të jetë bartëse e rendit institucional.

Në një moment të tillë, një parti që synon seriozitet shtetformues nuk do të mund të fshihet më pas formulave të përgjithshme apo distancimeve të mjegullta. Ajo do të detyrohej të përballet me pyetjen e pakëndshme të përgjegjësisë së brendshme: jo vetëm çfarë ndodhi në terren, por çfarë lejohet të ndodhë në emrin e saj, në hijen e saj, apo në heshtjen e saj.

Dhe nëse një figurë e fuqishme brenda orbitës së saj politike vazhdon të mbetet pikë referimi e tensioneve, konflikteve dhe krizave të përsëritura, atëherë nuk mjafton më as distanca retorike, as neutraliteti i ftohtë. Do të kërkohej një sqarim i qartë politik, një vendosje kufijsh të padiskutueshëm mes autoritetit politik dhe çdo forme dhune apo presioni që e komprometon dhe helmon hapësirën publike.

Sepse një parti që nuk e kontrollon dot hijen e vet, rrezikon që herët a vonë të mos shihet më si subjekt i rendit demokratik, por si një strukturë që vetëm reagon ndaj krizave pa i parandaluar ato.

Dhe në atë pikë, pyetja nuk do të jetë më kush e shkaktoi incidentin e radhës, por nëse institucionet dhe partitë politike kanë ende kapacitet ta ndërpresin ciklin — apo thjesht janë bërë pjesë e përsëritjes së tij.

Shkruan Lirim Gashi:

Written by: administratori

Rate it