Opinion

Sot, Partia Demokratike nuk është më alternativë. Ajo është kthyer në një relike politike që mban peng demokracinë.

todayMay 14, 2026 6

Background
share close

Humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2025:
Nuk është thjesht një dështim elektoral, por një kapitullim politik dhe moral:

Një strukture që prej vitesh ka braktisur vlerat, ka shkelur mbi parimet dhe ka humbur kontaktin me realitetin. Kjo nuk është një humbje që ndodhi brenda një nate. Është një rënie që ka nisur që pas vitit 2021 dhe që në vend të ndalet, thellohet çdo vit, çdo muaj, çdo ditë. Ajo që dikur quhej partia e shpresës, partia që vinte nga lëvizja studentore, që lindi si reaksion ndaj diktaturës, sot është shndërruar në një klub të mbyllur interesash, në një grup të vetizoluar që s’përfaqëson më askënd veç vetes.

Pas humbjes së vitit 2021, në vend që të ndodhte një proces i thellë reflektimi, analizimi dhe ringritjeje, nisi një lojë e ulët pushteti, një teatër i brendshëm për të ruajtur karrige dhe pozita. Partia nuk u riorganizua, nuk u hap, nuk u demokratizua. Përkundrazi, ajo u kthye në një platformë për eliminimin e zërave kritikë, për përjashtimin e mendimit ndryshe dhe për ndërtimin e një strukture ku besnikëria ndaj individëve zëvendësoi vlerësimin për meritën. U hoqën nga skena individë që kishin investuar vite të tëra në terren, që kishin ngritur strukturat nga hiçi, dhe u vendosën në krye figura të vjetra, të konsumuar, të larguar prej vitesh nga realiteti politik e shoqëror i vendit.

Vendosja e listës së mbyllur ishte kulmi i kësaj arrogance. Aty ku duhej të triumfonte demokracia e brendshme, ndodhi grushti final ndaj çdo ideje për përfaqësim. Lista nuk u ndërtua mbi kontribute, mbi afërsi me komunitetin, mbi integritet apo mbi vizion. U ndërtua në zyrë, larg syve të demokratëve, pa pyetur askënd dhe pa respektuar asnjë parim. U përjashtuan figura të angazhuara, të guximshme, të qarta në qëndrime, dhe në vend të tyre u futën emra të stërkonsumuar, individë që kanë qenë pjesë e çdo disfate, çdo kompromisi, çdo ngërçi. Fushata u kthye në një formalitet, sepse energjia mungonte. Strukturat lokale ishin të lodhura, të zhgënjyera dhe të përjashtuara. Në shumë qarqe, drejtimi iu dha individëve që nuk kishin asnjë lidhje me ato zona, as rrënjë, as kontribut, as kontakt me njerëzit. Ishin të vendosur si guvernatorë, si të huaj, në një shfaqje groteske të centralizmit të sëmurë që e ka mbytur partinë.

Kjo ishte një sjellje politike e papërgjegjshme, por edhe një akt vetëvrasës. Si mund të presësh votë nga një komunitet të cilin e përçmon, të cilin nuk e dëgjon, të cilin nuk e përfaqëson? Si mund të kërkosh mbështetje kur ti vetë i përjashton më të mirët, më të ndershmit, më të përkushtuarit, për të mbrojtur një kastë të pandryshueshme që nuk ka sjellë veç humbje dhe zhgënjim?

Diaspora u tradhtua. Një pjesë thelbësore e shoqërisë shqiptare, që mban gjallë ekonominë e vendit me remitanca, që mban flamurin kombëtar lart në botë, që ka ndërtuar karriera të ndritura në Perëndim, nuk pati asnjë përfaqësim, asnjë zë, asnjë hapësirë. E lënë në harresë totale, diaspora u pa si mjet financimi dhe jo si pjesë e gjallë e kombit. Kjo është jo vetëm padrejtësi, por një çmenduri politike që tregon se partia nuk mendon për të ardhmen, nuk mendon për kombëtarizimin e politikës, por vetëm për mbijetesën primitive të disa individëve të veçantë.

Fushata zgjedhore e vitit 2025 ishte fushata e fjalëve të mëdha dhe premtimeve të zbrazëta. Pa një program të qartë, pa ofertë për qytetarët, pa vizion për të ardhmen. Vetëm retorikë, vetëm ankesa, vetëm thirrje boshe që nuk ngjallin më as shpresë, as revoltë. Diskursi opozitar ishte një rrëfim i mjerë nostalgjik për kohët e shkuara, pa asnjë lidhje me realitetin ku ndodhet sot Shqipëria. Nuk kishte ide për ekonominë, për arsimin, për shëndetësinë, për energjinë, për emigracionin, për teknologjinë, për drejtësinë, për decentralizimin. Ishte një fushatë pa bosht, pa themel, pa drejtim.

Në vend që opozita të ndërtonte një front të gjerë opozitar, të bashkonte zërat kritikë, të afronte shoqërinë civile, të rinjtë, profesionistët, intelektualët, partitë e tjera të djathta apo qendrore, ajo zgjodhi vetminë. U vetizolua, u mbyll në bunker, u frikësua nga çdo mendim ndryshe dhe zgjodhi të garojë e vetme, me një frymë anti-koalicioni që e çoi drejt rrënimit. Kjo nuk ishte taktikë e gabuar – ishte mungesë totale strategjie. Opozita e 2025 ishte një strukturë e mbyllur, e kalbur, e plakur para kohe.
Ajo nuk ofroi zgjedhje, nuk ngjalli shpresë, nuk krijoi besim.
Ishte një karikaturë politike që nuk ngjalli as frikë tek kundërshtari, as dashuri tek qytetari.

Sot, Partia Demokratike nuk është më alternativë. Ajo është kthyer në një relike politike që mban peng demokracinë.

Nëse nuk ndodh një ndërprerje e dhimbshme me këtë logjikë autokratike, nëse nuk hapet partia, nëse nuk demokratizohet në thelb, nëse nuk fut frymë të re, nëse nuk ndërton vërtet një vizion për Shqipërinë e dekadës tjetër, ajo nuk do të rikthehet më kurrë si forcë qeverisëse. Do të mbetet në margjinë, duke përsëritur vetveten në cikle të pafundme humbjeje, ndërkohë që Shqipëria do të ecë pa të.

Written by: administratori

Rate it