Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todaySeptember 9, 2025
Është e papranueshme, është turpi i shekullit që në vitin 2025 Shqipëria ende mban mbi supe emrat e Vasil Shantos, Vojo Kushit, Myslym Pezës e dhjetëra të tjerëve që propaganda e kuqe i shndërroi në “heronj”, ndërkohë që ata ishin vetëm vegla të verbëra të një ideologjie të huaj, të ardhur nga Beogradi e Moska.Ata nuk ishin burra që menduan për kombin, ata ishin ushtarë të bindur të diktaturës, që mbollën vëllavrasje dhe shkatërrim.
REDAKSIA WINDOW.AL
VASIL SHANTO – një njeri që u shpall “heroi i parë komunist” dhe që sot mban ende emrin e rrugëve dhe shkollave.Kush ishte ai për kombin shqiptar?Çfarë bëri për arsimin, për kulturën, për lirinë e popullit? Asgjë!Ai shërbeu si një hallkë e parë e zinxhirit të kuq, që do ta mbyllte Shqipërinë në burgun më të madh të Ballkanit për 50 vite.Dhe sot fëmijët tanë, në vend që të lexojnë në shkollat e quajtura me emrin e Jeronim De Radës apo Naim Frashërit, shkojnë në shkolla me emrin e një pionieri të stalinizmit shqiptar.Ky është helm i pastër për kujtesën tonë kombëtare.
VOJO KUSHI – “legjenda” e fryrë e propagandës.Një njeri i kthyer në simbol nga regjimi, pa dhënë ndonjë kontribut real në zhvillimin e kombit.Figura të fabrikuara për të larë gjakun e pafajshëm të shqiptarëve dhe për të fshehur fytyrën e vërtetë të diktaturës.
MYSLYM PEZA – i quajtur “hero popullor”, por në fakt një njeri që përçoi banditizmin komunist, që nuk solli zhvillim, por forcim të luftës civile.Pse duhet të nderohet ky emër ndërkohë që njerëz të mëdhenj të kombit si Hasan Prishtina Prek Cali, Ded Gjonluli apo Luigj Gurakuqi mbeten të panjohur për brezat e rinj?
Ku janë të vërtetët?Ku janë ata që meritonin të ishin të pavdekshëm?
Firmëtarët e Pavarësisë – Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Lef Nosi, Abdi Toptani, Pandeli Cale…Emra që ngritën flamurin, që i dhanë Shqipërisë shtetin, që hodhën themelet e lirisë.Sot, shumë prej tyre harrohen, shpesh të përmendur vetëm në ndonjë përvjetor të thatë.Pse nuk mbajnë shkollat e Shqipërisë emrin e tyre?Pse nuk mbajnë rrugët e qyteteve emrat e burrave që vunë firmën mbi aktin më të shenjtë të kombit?
Rilindasit – Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Naum Veqilharxhi, Zef Jubani…Ata që i dhanë gjuhës shqipe alfabetin, që ndezën ndërgjegjen kombëtare, që e ngritën kombin nga errësira osmane në dritën e qytetërimit.Dhe sot?Shumë prej tyre janë lënë në harresë, ndërkohë që ne vazhdojmë të ecim në rrugë me emrat e ideologëve komunistë.
Shkrimtarët e mëdhenj – Faik Konica, Ernest Koliqi, Migjeni, Fishta, Ndre Mjeda, Mit’hat Frashëri…Këta nuk vetëm që krijuan letërsi, por hodhën themele të mendimit modern shqiptar, kulturës dhe arsimit.Si është e mundur që ende ka shkolla me emrin e një Vasil Shantoje, por nuk ka mjaft shkolla me emrin e Faik Konicës apo Ernest Koliqit?Ky është krim kulturor!
Heronjtë e pushkës – Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mic Sokoli, Azem Galica, Çerçiz Topulli, Selam Musai, Avni Rustemi etj etj…Të gjithë ata që sakrifikuan jetën për Shqipërinë, që luftuan kundër pushtuesve të huaj.Pse nuk janë emrat e tyre kudo?Pse nuk frymëzojnë fëmijët tanë që të kuptojnë se liria u fitua me gjak e sakrificë të vërtetë?
Pse ndodh kjo?
Sepse Shqipëria ende është e pushtuar nga hija e komunizmit.Sepse nomenklatura e kuqe vazhdon të sundojë me simbole, me emra, me bustet e vjetra.Sepse politika shqiptare nuk ka pasur kurajon të bëjë një pastrim moral, kulturor dhe historik.Dhe kështu, çdo ditë, fëmijët tanë lexojnë tekste e emra të rremë, ndërsa heronjtë e vërtetë ngelen në hije.
Zgjidhja?
Duhet të bëjmë dekomunistizimin e hapësirës publike.Asnjë shkollë, asnjë rrugë, asnjë institucion nuk duhet të mbajë emrin e veglave të stalinizmit!Duhet të rikthehen në piedestal rilindasit, firmëtarët, shkrimtarët dhe heronjtë e vërtetë!Duhet që fëmijët shqiptarë të ecin në rrugë që quhen “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina”, “Jeronim de Rada”, “Faik Konica” etj etj – dhe jo më “Vasil Shanto” apo “Vojo Kushi”!
Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke u mbajtur pas hijes së diktaturës.Shqipëria nuk do të ngrihet kurrë mbi themele të shëndosha pa pastruar kujtesën publike.Shqipëria do të rilindë vetëm kur fëmijët e saj të lexojnë emrat e atyre që me gjak, mend dhe shpirt e ndërtuan kombin!
Mesazhi është i qartë:Asnjë më Vasil Shanto!Asnjë më Vojo Kushi!Asnjë më Myslym Peza!Etj etj si këta.
Në vend të tyre:Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Faik Konica, Havzi Nela, Avni Rustemi, Çerçiz Topulli…
Këta janë të pavdekshmit!Këta janë ata që i japin dritë Shqipërisë!
Written by: Window.Al