Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayJuly 12, 2025
KUR OPOZITA BËHET LAVAZH I SË SHKUARËS:SUNDIMI I EDI RAMËS NUK KA MË FRENË:
Ironia më e rëndë e këtyre 12 viteve nuk është që Edi Rama ka betonuar pushtetin.Ironia e vërtetë është që Sali Berisha ka betonuar dështimin e opozitës.Dhe kjo është më tragjike se çdo aferë korruptive. Sepse një qeveri që gabon mund të ndëshkohet, por një opozitë që vegjeton, nuk rilind më.Ajo zvarritet, zhgërryhet, dhe në fund vdes duke e tërhequr pas edhe shpresën e fundit të një vendi të lodhur.
Në vend të një force opozitare që ngrihet për të sfiduar sistemin, kemi një vegjetim të zgjatur të një strukture që ekziston vetëm për t’i mbajtur gjallë nervat e vjetra të një lideri të konsumuar.Berisha nuk po udhëheq – ai po ruan një kufomë politike në temperaturë dhome. As nuk e lejon të vdesë me dinjitet, as nuk e lë të rilindë.
Dhe ndërsa ky “lider historik” përpiqet të na bindë se është ende alternativa më e mirë, në vend nuk ndodh asgjë. Nuk ka protestë reale, nuk ka vizion të ri, nuk ka politikë, nuk ka ide.Vetëm një audio e stërpërdorur që asnjë nuk e dëgjon më.
Kurse nga ana tjetër, Edi Rama, me arrogancë prej sundimtari ballkanik, vazhdon të sillet si pronar i shtetit.Ai nuk pyet më për institucione, për qytetarë, për kundërshtime.Ai e ka kthyer pushtetin në një qeverisje absolute ku çdo kritikë përballet me përbuzje dhe çdo qytet me përçmim.
THEHTI, DËSHMI E NJË ARROGANCE QË S’KA FRENË:
Mjafton të shohësh çfarë po ndodh në Theth. Në vend që të ruhet si kurorë natyrore dhe kulturore e Alpeve, po trajtohet si një kantier militantësh.Prishje me dhunë, banorë që në vend të mbështetjes marrin ultimatume, ndërsa media hesht.Sepse aty shteti nuk sillet si shtet, por si pushtues.Dhe kur opozita duhet të ishte në ballë të denoncimeve, është në qetësi totale. Asnjë zë, asnjë mbrojtje, asnjë protestë.Vetëm vegjetim dhe heshtje kriminale.
E njëjta dramë po ndodh në Jug.Himara, Vlora, Saranda – qytete që janë shndërruar në zona eksperimentale të betonit, ku identiteti fshihet, historia shkërmoqet, pronat grabiten, dhe gjithçka bëhet në emër të një zhvillimi që pasuron vetëm një grusht njerëzish.Dhe ndërkohë që Rama promovon “turizëm luksoz” për investitorë misteriozë, banorët autoktonë margjinalizohen, shqiptarët ikin, dhe Jugut i grabitet shpirti.
OPOZITA – E VDEKUR:POR ENDE NË EKRAN:
Po ku është opozita në këtë dramë?Në komë.Jo nga tortura, por nga vetëdëshira për të mos ekzistuar si alternativë reale.Në vend që të jetë:🟥 zëri i të pambrojturve,🟥 kontrolli i qeverisë,🟥 balanca institucionale,🟥 mbrojtësja e Kushtetutës,opozita është kthyer në një kukull politike që lëviz vetëm për të ruajtur imunitetin moral të liderit historik.
Nuk ka ide për ekonominë, nuk ka plan për arsimin, nuk ka vizion për drejtësinë, nuk ka platformë për diasporën.Ka vetëm mllef të vjetër, egërsi selektive dhe protagonizëm absurd.
Berisha nuk po ruan opozitën – po ruan vetëm frikën nga fundi i tij politik dhe personal.Ai e di që me një opozitë të re, ai do të ishte një emër në librat e historisë. Ndaj preferon ta mbajë peng, ta djegë, ta bëjë hi, vetëm që të mos ndryshojë asgjë.
Dhe kështu, ndërsa Rama ndërton saraje mbi rrënoja, Berisha ndërton iluzione mbi vetminë.Dhe Shqipëria…Shqipëria mbetet pa opozitë.
PA OPOZITË, NUK KA KOMB
Në këtë realitet, problemi nuk është më Edi Rama.Ai është produkti i një sistemi të papenguar.Problemi real është që nuk ka kush ta ndalë. As drejtësia, që shpesh vonon e hesht, as mediat, që janë shtrirë në prehër të pushtetit, dhe më së shumti jo opozita – e cila është kthyer në alibi për çdo arrogancë.
🇦🇱 Shqipëria ka nevojë për një opozitë që nuk vjen nga e shkuara, që nuk ka borxhe me askënd, që nuk është thjesht anti-Rama, por është pro Shqipërisë.Një opozitë që nuk bën pazare me sistemin, por e sfidon atë.Një opozitë që nuk ngjitet në podium për të qarë hallet e liderit, por që del në rrugë për të mbrojtur hallet e popullit.
Deri atëherë, opozita do të mbetet justifikimi më i mirë për Ramën që të qeverisë me përbuzje, për të sunduar pa frikë, dhe për të ndërtuar një regjim që e ka më shumë nevojë për një opozitë të vdekur sesa për një popull të gjallë.
Written by: Window.Al