Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

Sindroma e Hirushes në politikë.

todayJuly 23, 2026 8

Background
share close

Ekziston një fenomen psikologjik që njihet si “Sindroma e Hirushes”. Nuk ka të bëjë me përrallën, por me pritshmërinë se një ditë dikush do të vijë të të shpëtojë, të të njohë vlerat apo të të japë atë që mendon se meriton. Ashtu si edhe në jetë, në politikë, kjo pritshmëri është një nga pengesat më të mëdha për të ecur përpara.

Prej 5 vitesh e vëzhgoj këtë fenomen si tek njerëz të rinj, po ashtu edhe tek ata me eksperiencë në politikë. Një pritshmëri absurde që shpëtimi do vijë nga jashtë, nga “të huajt”. Pritja që do na shpëtojnë të huajt, patjetër është e lidhur me të kaluarën tonë si shtet. Ndryshe nga ai sistem, demokracitë nuk funksionojnë mbi pritjen, ato funksionojnë mbi pjesëmarrjen. Nuk ndërtohen nga spektatorët, por nga qytetarët që angazhohen, kritikojnë me argumente, propozojnë dhe mbajnë përgjegjësi.

Në Shqipëri, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të dalim nga kjo logjikë. Historia na ka treguar se transformimet e qëndrueshme ndodhin kur ndryshojnë institucionet, kultura e punës dhe mënyra se si secili prej nesh e sheh përgjegjësinë e vet.

Besoj tek politika e njerëzve që punojnë përditë, edhe kur nuk duartrokiten, edhe kur rezultatet nuk janë të menjëhershme. Besoj te ndërtimi i institucioneve më të forta, te profesionalizmi dhe te vendimet që merren duke parë interesin afatgjatë të vendit. Besoj që në çdo institucion, nga roja i derës tek titullari i institucionit, të gjithë kanë rolet dhe kontributin e vet për ta bërë qytetarin më shumë (ose më pak) të kënaqur.

Ndaj ndjej keqardhje çdo herë që shoh një sharje në gjuhë të huaj, pankarta në gjuhë të huaj, gjuhë antishqiptare në gjuhë të huaj në Bruksel nga ata që janë përfaqësuesit e qytetarëve, apo takime informale me “të huajt”. Ndjej gjithashtu keqardhje për duartrokitjet ndaj “çlirimtarëve ardhur nga BE” që morën mikrofonin në protestë. Edhe shqiptari më i keq e don Shqipërinë më shumë se i huaji që e ka veçse agjendë ditore. E nëse për kategoritë më sipër ndjej keqardhje, ka një kategori tjetër, të cilën e neveris, atë të takimeve informale, dreka e darka, jashtë çdo protokolli, ku bisedat (e transformuara sipas qejfit) dalin si të ishin në pazar. Kjo strategji e kujt ndjen që po i këputet fija ose që s’ka durimin të presë e të kontribuojë për të ndërtuar sisteme, por synon veçse avancim të shpejtë në karrierë, mund t’i buzëqeshë fati për momentin por harrojnë që janë njëpërdorimësh nga “të huajt”, të cilët kanë të tjerë gati në pritje për të treguar edhe për skeletët e dollapit të atij që po ngrihet.

Këtë kompleks inferioriteti duhet vullnet dhe pjekuri për ta luftuar. Duhet kohë për të zhbërë çfarë është bërë prej më shumë se gjysëm shekulli.

Ndoshta sfida më e madhe për secilin prej nesh është të heqë dorë nga “Sindroma e Hirushes”: të mos presë që dikush tjetër t’i ndërtojë të ardhmen, por të bëhet vetë pjesë e saj, me pjesëmarrje, me dialog ku flitet ekskluzivisht shqip.

Shkruan Edona Bilali:

Written by: WindowRadio.de

Rate it