Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

Rama ‘përzuri’ rininë, Shqipëria mbushet me azilkërkues nga Egjipti dhe Afganistani!

todayJuly 7, 2026 10

Background
share close

Shqipëria regjistroi një rritje të numrit të azilkërkuesve gjatë vitit 2025, ndërsa flukset migratore u përqendruan kryesisht në muajt e fundit të sezonit veror dhe fillimit të vjeshtës. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se gjatë vitit të kaluar në vend u regjistruan 144 azilkërkues, duke shënuar një rritje prej 40 personash krahasuar me vitin 2024.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e kërkesave për azil erdhi nga shtetas të Egjiptit, të cilët përbënin 39,6% të totalit të azilkërkuesve. Në vendin e dytë renditen shtetasit afganë me 11,8%, ndërsa shtetasit palestinezë përfaqësuan 9,7% të kërkesave të regjistruara gjatë vitit.

Analiza e shpërndarjes mujore të aplikimeve tregon një përqendrim të qartë sezonal. Muajt gusht, shtator dhe tetor përbënin së bashku 63,2% të të gjitha kërkesave për azil të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke evidentuar një intensifikim të flukseve migratore në këtë periudhë.

Paralelisht me të dhënat për azilkërkuesit, raporti i INSTAT ofron edhe një panoramë të lëvizjeve të shtetësisë shqiptare. Gjatë vitit 2025, gjithsej 495 persona fituan shtetësinë shqiptare, ku 306 prej tyre e rifituan atë, ndërsa 189 persona e fituan për herë të parë. Në të njëjtën kohë, 173 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare.

Sa i përket origjinës së personave që fituan shtetësinë shqiptare, pjesa dërrmuese vinte nga Kosova, me 56,1% të totalit. Më pas renditen shtetasit nga Turqia me 20,1%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Italia përfaqësonin secila nga 4,8% të rasteve.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se grupmosha 30-39 vjeç dominoi si tek personat që fituan shtetësinë shqiptare, ashtu edhe tek ata që vendosën ta lënë atë. Konkretisht, kjo grupmoshë përfaqësoi 31,7% të përfituesve të shtetësisë dhe 43,9% të personave që hoqën dorë prej saj.

Sipas metodologjisë së përdorur nga INSTAT, statistikat për azilkërkuesit dhe shtetësinë shqiptare bazohen në të dhënat e siguruara nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për herë të parë, në vitin 2025 është integruar një burim i ri të dhënash për statistikat e shtetësisë, duke synuar rritjen e cilësisë, plotësisë dhe harmonizimit të informacionit me standardet ndërkombëtare.

Rritja e numrit të azilkërkuesve, së bashku me dinamikat e fitimit dhe lënies së shtetësisë, reflekton ndryshimet në lëvizjet migratore dhe zhvillimet demografike që po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe Shqipërinë, në një kontekst rajonal dhe ndërkombëtar në transformim të vazhdueshëm./https://www.standard.al/rama-perzuri-rinine-shqiperia-mbushet-me-azilkerkues-nga-egjipti-dhe-afganistani/

Written by: WindowRadio.de

Rate it