Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

BABALLAR PËR KOMBIN:
POR FRIGACAKË TË NDËRTOJNË FAMILJE!

todayJuly 6, 2026 2

Background
share close

Mirë që mezi martohen 35, 38, 42 vjeç.
E quan arritje.
Diploma, masteri, doktoratura, karriera, pastaj “të gjej veten”.
E gjetën veten, humbën brezin.

Dasma?
Superprodhim Hollywood-i.
300 veta, fis e miq që s’i ke parë kurrë, dron që filmon nga lart si në dasmat e sheikëve.

Po jetojmë në një kohë paradoksesh.
Nga njëra anë dëgjojmë çdo ditë ankesa për rënien dramatike të lindshmërisë, për plakjen e popullsisë, për emigracionin, për mungesën e fuqisë punëtore,
dhe për faktin se Shqipëria po zbrazet.
Nga ana tjetër, shumë prej atyre që flasin më me zell për këto probleme nuk ndalen asnjë çast për të parë edhe rolin e tyre në këtë realitet.
Sot është bërë shumë e lehtë t’ia lësh të gjitha në derë shtetit.
Nëse ekonomia nuk ecën, fajin e ka qeveria.
Nëse nuk ka lindje, fajin e ka qeveria.
Nëse nuk krijohen familje, përsëri fajin e ka qeveria.
Madje, sipas kësaj logjike, nesër do të dalë dikush që do të kërkojë edhe një ministri që të merret me martesat.

Pyetja lind natyrshëm:
Ku fillon përgjegjësia e shtetit dhe ku fillon përgjegjësia e individit?
Një qeveri mund të ndërtojë politika sociale.
Mund të ulë taksa, të japë bonuse për lindjet, të investojë në arsim dhe shëndetësi.
Por nuk mund të marrë vendime në vendin tënd.
Nuk mund të ndërtojë familjen tënde.
Nuk mund të jetojë jetën tënde.
Megjithatë, është bërë modë që çdo zgjedhje personale të paraqitet si pasojë ekskluzive e politikës.
Disa e shtyjnë krijimin e familjes pafundësisht, e shtyjnë marrjen e përgjegjësive, e shtyjnë çdo vendim të rëndësishëm,
dhe më pas dalin si analistë të krizës demografike, sikur vetë të mos jenë pjesë e realitetit që kritikojnë.
Ironia arrin kulmin kur të njëjtët njerëz japin leksione për moralin, familjen, kombin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Flasin me sigurinë e profesorit,
por harrojnë se çdo ndryshim i madh fillon nga përgjegjësia personale.

Nuk mund të kërkosh një shoqëri më të fortë, nëse askush nuk është gati të marrë mbi supe barrën e ndërtimit të saj.
Nuk mund të flasësh për krizën e familjes, ndërkohë që e trajton familjen si një çështje që duhet ta zgjidhë shteti.
Dhe këtu lind pyetja me pak ironi:
Çfarë prisni nga Kryeministri i ardhshëm?
T’ju caktojë edhe datën e martesës?
T’ju gjejë partnerin?
Apo, sipas humorit të rrjeteve sociale, t’ju lërë edhe shtatzënë?

Shqipëria ka nevojë për politika më të mira,
kjo është e padiskutueshme.
Por ka nevojë edhe për qytetarë që nuk ia delegojnë shtetit çdo përgjegjësi personale.
Sepse një shtet nuk ndërtohet vetëm nga ligjet dhe qeveritë.
Ai ndërtohet nga familjet, nga puna, nga sakrifica dhe nga njerëzit që marrin përgjegjësi për jetën e tyre.

Prandaj, para se të shpallim veten shpëtimtarë të kombit apo ekspertë të çdo fushe,
ndoshta duhet të bëjmë një pyetje shumë më të thjeshtë:
A kemi bërë ne atë që na takon?
Sepse është e lehtë të drejtosh Shqipërinë me fjalë.
Shumë më e vështirë është të drejtosh jetën tënde me përgjegjësi.,

Dasmat i bëjnë me tortë 5-katëshe që kushton sa një rrogë vjetore.
Kredinë e dasmës e paguajnë deri sa fëmija hypotetik të bëjë pashaportën.
Po fëmijë s’ka. Se “s’është momenti”.

Pas dasmës fillon kapitulli i artë:
Epoka e Justifikimeve të Mëdha.
Faza 1:
Muaji i mjaltit pa afat:
“Duhet të udhëtojmë, se pastaj me fëmijë s’bëhet”.
Udhëtojnë.
Dubai, Maldive, Bali.
I bëjnë foto kafeve 8 euro dhe i postojnë me caption “Lumturia është të jetosh momentin”.
Momenti i vetëm që nuk jetojnë është ai i krijimit të jetës.

Faza 2:
Karriera para gjithçkaje:
“Fillimisht të stabilizohemi financiarisht”.
Stabilizohen aq shumë sa në moshën 40-vjeçare jetojnë akoma me frikën “po sikur të më heqin nga puna”.
Por shtëpinë e duan në qendër, makinën SUV, dhe pushimet në Mykonos.
Për fëmijë s’ka stabilitet, për kredi bankare ka gjithmonë.

Faza 3:
Kriza ekzistenciale e porositur:
Në moshën 39 vjeç e 11 muaj i kap paniku.
Vrapojnë te mjeku.
“Dua fëmijë TANI”.
Dhe fillon kalendari:
IVF, hormone, injeksione, lot, shpresë, zhgënjim.
E quan shkenca “luftë”, e quan shteti “statistikë”, e quan lagjja “s’deshi vetë”.

Rezultati final?
Dhe pikërisht këta janë Këshilli i Ministrave të Kafenesë.
Ministria e Ankesave punon me orar të zgjatur:
Ministri i Lumturisë:
Depresiv kronik nga Instagrami.
Sheh jetët e të tjerëve me filtër dhe qulloset se “pse unë s’jam kështu”.
Lumturia për ta është koncept teorik, si fizika kuantike.
Flasin për të, s’e kanë provuar kurrë.
Ministri i Demografisë**:
Ai që e rriti vetë moshën mesatare të lindjes së fëmijës së parë nga 24 në 34.
Tani qan pse po plakemi si komb.
Po ti vëlla i dhe dorën plakjes.
Ti e shtyve sahatin.
Ministrja e Kushteve të Jetesës:
Ankohet për qiranë 500 euro nga lokali ku lë 20 euro bakshish.
“Nuk jetohet në këtë vend”.
Po a jetove ti për këtë vend?
Apo vetëm konsumove oksigjen dhe WiFi?
Ministri i Politikave Sociale:
Do çerdhe shtetërore me standarde suedeze, por taksa do t’i ketë të Somalisë.
Do shkolla falas, por privatin e ka gati për kalamajën që s’e ka. Ministri i Arsimit:
Shkollat publike janë “skandal”.
Po ti ku do e çosh fëmijën?
Aha, s’ke.
E lehtë të shash nga jashtë loje.
Dhe tani pyetja 1 milion dollarëshe që s’guxon ta bëjë kush:
Çfarë dreqin doni nga Kryeministri i ardhshëm?
Të vijë ai me uniformë mjeku e t’ua bëjë punën e seksit?
Të shpallë “Gjendje të jashtëzakonshme riprodhuese” me dekret?
Të fusë në Kushtetutë nenin:
“Çdo shtetas mbi 30 vjeç detyrohet të kryejë marrëdhënie 3 herë në javë për hir të atdheut”?
Të hapë tender për “Import burra me testosteron”
Se këta të vendit i kanë harxhuar bateritë në PlayStation dhe debate për politikë?
Të paguajë ai faturën e darkës romantike, se “s’ka klimë në shtëpi”?
Të sjellë ai dadon filipinase se “jemi të dy në punë”?

O strategë të kombit me barkallëk nga birra dhe me llogari bankare bosh,
o filozofë me diplomë që s’dini të mbani një familje me 3 veta,
doni të na jepni edhe leksione.
Leksione për atdheun.
Për të ardhmen.
Për moralin.

Po ju s’jeni në gjendje të merrni një vendim pa bërë 4 grupe në WhatsApp.

S’jeni në gjendje të debatoni me gruan pa i thirrur vjehrrës për ndërmjetësim.

S’jeni në gjendje të ndërroni një llambë në shtëpi pa parë 3 tutorial në YouTube,
dhe doni të ndërroni sistemin politik.
S’jeni në gjendje të duroni një fëmijë që qan 10 minuta,
dhe doni të duroni barrën e një shteti tërë.

Prandaj dëgjoni këtë manualin praktik, falas, pa TVSH:
Hapi 1:
Bëhuni burra.
Burrë nuk është ai që bërtet më shumë në kafe.
Burrë është ai që merr përgjegjësi kur të gjithë ikin.
Që mban fjalën.
Që nuk ia hedh fajin qeverisë, vjehrrës, sistemit, Sorosit, Bill Gatesit,
dhe klimës globale për faktin që s’ka bythë të bëhet prind.

Hapi 2:
Bëhuni kryefamiljarë.
Kryefamiljar nuk do të thotë “unë jam shefi”.
Do të thotë “unë jam shërbëtori i parë i shtëpisë”.
Ai që çohet i pari, fle i fundit.
Ai që zgjidh problemin, nuk krijon dramë.
Ai që pyet “si je?”
Dhe e dëgjon përgjigjen, jo që flet vetë 2 orë për ndeshjen.

Hapi 3:
Bëni fëmijë.
Jo në Excel, jo në plan 5-vjeçar.
Me mish, me gjak, me të qara nate, me pampers, me temperaturë 40 në 3 të mëngjesit.
Bëni një qenie që do ju dojë pa kushte dhe do ju urrejë në adoleshencë.
Se vetëm atëherë do kuptoni çfarë do të thotë jetë.
Deri atëherë jeni turistë në këtë botë.

Hapi 4:
Mbyllni gojën për 10 vjet.
Pasi të keni bërë hapat 1-2-3, keni të drejtë të flisni.
Jo më parë.
Deri atëherë, kur flasin ata që kanë 3 fëmijë dhe kredi për shtëpi, ju dëgjoni.
Se ata e mbajnë këtë vend në këmbë.
Jo ju me teoritë tuaja të bukura dhe me jetën bosh.

Nëse s’dini nga t’ia filloni:
Ejani pyesni.
Jemi këtu.
Ju mësojmë si ndërrohet pampersi, si qetësohet një grua shtatzënë, si mbahet një familje me 1 rrogë e gjysmë.
Pa pagesë.
Se për këtë kombi ka nevojë, jo për analistë.

Se kombi nuk shtohet me like dhe share.
Shtohet me lindje.
Se atdheu nuk mbrohet me komente.
Mbrohet me djepa.
Se e ardhmja nuk ndërtohet me “nesër”.
Ndërtohet sot, në krevat, jo në Facebook.

Kaq.
Kush e kuptoi, e kuptoi.
Kush u ofendua, ka kohë të reflektojë.
Deri në 45 vjeç keni kohë.
Pastaj as IVF-i s’ju bën derman.

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: WindowRadio.de

Rate it