Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Aktualitet

Po tentohet t’i vihet prezervativ politik protestës.

todayJune 4, 2026 10

Background
share close

Po tentohet të kontrollohet, të filtrohet, të sterilizohet dhe të mbytet çdo spontanitet i revoltës qytetare, derisa në fund të mbetet vetëm një skenografi e kontrolluar nga disa njerëz që e konsiderojnë veten pronarë të kauzës.

Përtej tentativave për përçarje, protesta po kërkohet të kthehet në një “tokë të xanun”, ku disa individë dhe grupime të vetëshpallura vendosin kush ka të drejtë të jetë aty dhe kush jo. Askush nuk ua ka dhënë këtë mandat. Askush nuk i ka zgjedhur si rojtarë të ndërgjegjes qytetare. Megjithatë, ata sillen sikur protesta është prona e tyre private dhe sikur qytetarët duhet të marrin leje për të hyrë në të.

Njëri përjashtohet sepse është anëtar i një partie politike. Tjetri sepse në vitin 2013 paska votuar Edi Ramën. Një tjetër sepse dikur ka qenë pjesë e një aktiviteti politik. Dikush tjetër sepse ka bërë një fotografi me këtë apo atë figurë publike. Tjetri sepse nuk pëlqehet nga një grup i caktuar.

Po ku po jetojmë?

A ka mbetur ndonjë shqiptar që nuk ka votuar ndonjëherë për njërën apo tjetrën palë? A ka mbetur ndonjë qytetar që nuk është zhgënjyer të paktën një herë nga politika? Nëse fillojmë të përjashtojmë njerëzit bazuar në të kaluarën e tyre politike, atëherë sheshi do të mbetet bosh. Sepse pothuajse çdo familje shqiptare, në një moment apo në një tjetër, ka besuar tek një premtim, ka mbështetur një parti ose është ndjerë e përfaqësuar nga një figurë politike.

Por protesta nuk është gjyq. Nuk është hetuesi. Nuk është komision biografish. Nuk është vendi ku njerëzit duhet të japin llogari për kë kanë votuar para 5, 10 apo 20 vitesh.

Protesta është vendi ku qytetarët mblidhen sepse kanë një problem të përbashkët. Sepse ndihen të dëmtuar. Sepse kërkojnë drejtësi. Sepse duan të dëgjohen.

Kur fillon e pyet protestuesin se kë ka votuar, në vend që ta pyesësh pse ka dalë në protestë, atëherë e ke humbur thelbin e kauzës.

Sot po shohim një fenomen të rrezikshëm. Disa njerëz po përpiqen të vendosin etiketa mbi qytetarët. Në vend që të bashkojnë, po ndajnë. Në vend që të hapin dyert, po ndërtojnë mure. Në vend që të zgjerojnë protestën, po e ngushtojnë atë deri në kufijtë e grupit të tyre.

Dhe kjo është mënyra më e sigurt për ta vrarë një protestë.

Asnjë protestë e madhe në botë nuk ka fituar duke përjashtuar njerëzit. Përkundrazi, ato kanë fituar kur kanë bashkuar njerëz me bindje të ndryshme, me histori të ndryshme dhe me vota të ndryshme. Forca e një proteste nuk matet nga pastërtia ideologjike e pjesëmarrësve, por nga numri i qytetarëve që bashkohen rreth një padrejtësie.

Mos vallë tani duhet të bëjmë kërkesë me shkrim për të protestuar?

Mos vallë duhet të paraqesim certifikatë se nuk kemi votuar kurrë për këtë apo atë parti?

Mos vallë duhet të sjellim dy fotografi model letërnjoftimi dhe një dëshmi penaliteti politik që të na japin leje të marrim pjesë?

Mos vallë duhet të kalojmë nëpër një komision verifikimi ideologjik para se të ngremë zërin?

Kjo do të ishte qesharake, po të mos ishte tragjike.

E drejta për të protestuar nuk është privilegj. Është e drejtë themelore. Nuk ta jep asnjë grupim dhe nuk ta heq asnjë grupim. Nuk ta jep asnjë lider dhe nuk ta merr asnjë lider.

Sheshi është i qytetarëve.

Kauzat janë të qytetarëve.

Protestat janë të qytetarëve.

Dhe askush nuk ka të drejtë të vendosë gardh rreth tyre.

Sepse në momentin që protesta fillon të përjashtojë njerëzit, ajo pushon së qeni protestë qytetare dhe shndërrohet në një sekt politik. Në momentin që fillon të kërkojë certifikata besnikërie, ajo humbet legjitimitetin moral. Në momentin që disa vetëshpallen pronarë të revoltës, revolta nuk është më e popullit.

Shqipëria ka nevojë për më shumë bashkim, jo për lista përjashtimi. Ka nevojë për më shumë zëra, jo për censurë. Ka nevojë për më shumë qytetarë në shesh, jo për roje që kontrollojnë hyrjet e protestës.

Lërini njerëzit të protestojnë të lirë.

Lërini të flasin.

Lërini të kundërshtojnë.

Lërini të jenë pjesë e kauzës.

Sepse askush nuk është pronar i Shqipërisë. Dhe askush nuk është pronar i protestës.

Written by: WindowRadio.de

Rate it