Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Aktualitet

Damian Gjiknuri mohon akuzat, sfidon Arben Llangozin të publikojë prova dhe paralajmëron padi për shpifje:

todayJuly 13, 2026 5

Background
share close

Gjiknuri reagon ashpër ndaj akuzave: Paralajmëron padi për shpifje dhe sfidon publikisht Arben Llangozin të paraqesë prova

Ish-ministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar publikisht pas akuzave të bëra në adresë të tij nga avokati Arben Llangozi, duke i cilësuar ato si shpifje të rënda, të pabazuara dhe të motivuara. Përmes një deklarate të gjatë, Gjiknuri mohon kategorikisht çdo pretendim që e lidh me ngjarjet apo personat e përmendur nga Llangozi, ndërsa njofton se ka autorizuar avokatin e tij të nisë procedurat ligjore për ngritjen e një padie për shpifje.

Në reagimin e tij, Gjiknuri shprehet se zakonisht ka zgjedhur të mos u përgjigjet personave që, sipas tij, hedhin akuza pa fakte, por këtë herë ka vendosur të flasë për të mbrojtur emrin dhe integritetin e tij publik. Ai thekson se deklaratat e bëra ndaj tij nuk mbështeten në asnjë provë dhe kritikon mediat që, sipas tij, kanë riprodhuar akuza të tilla pa verifikim.

Më tej, ish-ministri deklaron se gjatë gjithë karrierës së tij, si në sektorin privat ashtu edhe në funksionet publike, i është nënshtruar verifikimeve të shumta nga organet e drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë konfirmuar vazhdimisht pastërtinë e figurës së tij. Gjiknuri mohon gjithashtu se ka qenë ndonjëherë në Aruba apo se ka pasur kontakte me personat për të cilët aludohet në deklaratat e Llangozit.

Në fund të reagimit, ai sfidon publikisht Arben Llangozin të publikojë çdo provë që mbështet akuzat e ngritura, ndërsa paralajmëron se, në mungesë të tyre, ai duhet të tërhiqet publikisht nga deklaratat dhe të mbajë përgjegjësi për pasojat ligjore që mund të sjellin ato.

Reagimi i plotë i z. Gjiknuri.

Kam qenë gjithmonë i bindur se nuk ia vlen të humbet kohë duke iu përgjigjur çdo shpifësi ordiner që hedh baltë mbi emrin tim. Edhe ndaj deklaratave publike të shtetasit Arben Llangozi, i cili prezantohet si avokat, zgjodha të mos reagoj disa ditë më parë, duke besuar se ai do ta kuptonte shumë shpejt se kishte ngatërruar shënjestrën.

Pa e fshehur ama habinë time se si mediat riprodhojnë deklarata pa asnjë fakt nga një person i njohur publikisht dhe dënuar me vendim gjykate si mashtrues profesionist. Mashtrues që ka tërhequr dhe rekursin e tij në gjykatë duke pranuar dënimin. 

Megjithatë, në rolin e një shpifësi ordiner me pagesë, ky person vazhdon edhe sot të përsërisë publikisht të njëjtat pretendime. Gjatë gjithë karrierës sime, si në sektorin privat ashtu edhe në jetën publike, kam refuzuar kategorikisht t’u nënshtrohem këtij lloji gjobëvënësish publikë, që paguhen për të sharë dhe shajnë për t’u paguar.

Në respekt ndaj opinionit publik, i cili helmohet nga deklarata të tilla shpifëse, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës.

Për shkak të funksioneve që kam ushtruar në jetën publike dhe akuzave të vazhdueshme të ngritura ndaj meje, emri im i është nënshtruar verifikimeve më të imtësishme nga organet e posaçme të drejtësisë. Të gjitha këto procese kanë konfirmuar pastërtinë e figurës sime, ndërsa shpifësit janë detyruar të gëlltisin mbrapsht të pavërtetat e tyre.

E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit. 

Ndërkohë, kam autorizuar avokatin tim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e padisë për shpifje ndaj Arben Llangozit.

Written by: WindowRadio.de

Rate it