Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Opinion
todayJuly 11, 2026 16
Sot lexova se z. Berisha është shprehur se PD-ja do të bëjë kallëzim në SPAK mbi bazën e librit The Albanian Files. Më shumë se vetë lajmi, më intereson pyetja që ai ngre: ku mbaron mbështetja e një kauze qytetare dhe ku fillon përvetësimi i saj politik?
PD iu bashkua protestës vetëm në ditën e nëntë të saj, më 8 qershor. Deri në atë moment kishte mbajtur distancë dhe, në disa raste, e kishte sulmuar, ironizuar apo delegjitimuar protestën. Madje, përfaqësues të saj ishin shprehur publikisht në mbështetje të projektit të investimit në Zvërnec.
Më pas, më 1 korrik, ishte vetë protesta qytetare që u paraqit në SPAK dhe depozitoi zyrtarisht librin The Albanian Files si provë, duke argumentuar se ai dokumenton një mekanizëm të dyshuar të kapjes së territorit, cenimit të zonave të mbrojtura dhe përdorimit të zhvillimit urban në funksion të interesave korruptive. Libri u pranua nga SPAK, ndërsa në emër të protestës u bë e ditur se një grup juristësh po përgatiste një kallëzim penal të mbështetur mbi faktet dhe dokumentacionin e përfshirë në të. Pra, shumë përpara se PD të njoftonte se do ta përdorte The Albanian Files si bazë për një kallëzim, protesta e kishte shndërruar atë në një instrument konkret të veprimit juridik.
Edhe vetë The Albanian Files nuk është produkt i punës së opozitës parlamentare. Nuk është rezultat i hetimeve, analizës apo angazhimit institucional të saj. Përkundrazi, ishte Revolucioni i Flamingove ai që e ktheu The Albanian Files nga një botim në një instrument konkret të veprimit qytetar, politik dhe juridik.
Kjo kronologji ka rëndësi, sepse tregon se iniciativa nuk lindi në selinë e një partie politike, por në një lëvizje qytetare. Opozita mund t’i bashkohet një kauze, por kjo nuk i ndryshon autorësinë.
Një opozitë serioze duhet të dijë të lexojë shoqërinë dhe t’i kthejë shqetësimet e qytetarëve në veprim institucional. Si opozitë parlamentare, roli i saj është të kontrollojë ekzekutivin, t’i kërkojë llogari qeverisë dhe të përdorë instrumentet parlamentare që ka në dispozicion për t’u dhënë zë kauzave qytetare. Kur një iniciativë e tillë lind jashtë saj, detyra e saj nuk është ta përvetësojë apo t’i mbivendoset, por ta forcojë nëpërmjet këtyre instrumenteve.
Kjo do të thotë se PD ka plot punë për të bërë. T’i kërkojë llogari qeverisë për shqetësimet që protesta ka ngritur, të përdorë instrumentet parlamentare që ka në dispozicion dhe t’i kthejë kërkesat e qytetarëve në betejë institucionale. Pikërisht kjo është detyra e një opozite. Por nuk duhet të bëjë gabimin të hyjë si pronare në një kauzë që nuk e krijoi. Kufiri mes mbështetjes dhe përvetësimit është i hollë, por në një demokraci ai është thelbësor.
Protestat qytetare nuk kanë nevojë për pronarë. Kanë nevojë për aleatë që respektojnë kufirin mes mbështetjes dhe përvetësimit. Nëse opozita dëshiron të jetë e dobishme, duhet të ecë krah qytetarëve, jo përpara tyre dhe as mbi ta.
Shkruan Doriana Musai:
Written by: WindowRadio.de
todayJuly 12, 2026 5
todayJuly 10, 2026 36