Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Aktualitet

Letra e fortë e gazetarit Petref Velçani për Edi Ramën: Kur kritika ndëshkohet përmes familjes:

todayJuly 5, 2026 8

Background
share close

Një letër që shkon përtej një historie personale dhe prek një nga debatet më të ndjeshme të demokracisë shqiptare: a mund të ndëshkohet një familje për bindjet apo shkrimet e një gazetari? Me një rrëfim të ngarkuar emocionalisht, gazetari Petref Velçani i drejtohet publikisht Kryeministrit Edi Rama, duke ngritur akuza të rënda për presion politik, hakmarrje përmes administratës dhe përdorim të institucioneve shtetërore si instrument ndëshkimi ndaj zërave kritikë.

Në letrën e tij, Velçani tregon se prej muajsh ai dhe bashkëshortja po përballen me betejën kundër kancerit, ndërsa familja, sipas tij, është goditur edhe financiarisht pasi vajza e tyre – e diplomuar me rezultate të larta dhe e punësuar në Bashkinë Roskovec – humbi vendin e punës. Gazetari pretendon se shkaku nuk ishte performanca profesionale, por një analizë kritike e publikuar prej tij për drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku. Sipas tij, ky rast është një shembull i mënyrës se si administrata publike mund të përdoret për të ushtruar presion ndaj atyre që shprehin mendime ndryshe.

Përtej dimensionit familjar, letra ngre pikëpyetje mbi kufijtë e lirisë së shprehjes, sigurinë e punës në administratë dhe raportin mes pushtetit politik dhe institucioneve publike. Velçani pretendon se praktika e firmosjes së dorëheqjeve pa datë nga punonjësit e emëruar politikisht krijon mundësi për largime selektive dhe të motivuara politikisht, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës.

Në fund, ai i drejton Kryeministrit një pyetje provokuese me peshë politike dhe morale, duke e ftuar të reflektojë mbi mënyrën se si, sipas tij, trajtohen kritikët e qeverisë. Një reagim që pritet të nxisë debat publik, pasi prek çështje që lidhen me lirinë e fjalës, funksionimin e administratës dhe marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit.

Më poshtë është shkrimi në Facebook i z. Petref Velçani.

Zoti Kryeministër,

Meqë më erdhët në shteg, po bëj publik një fakt që prej nëntë muajsh nuk e kam bërë publik.

Unë dhe ime shoqe jemi përballur me kancerin. Të dy marrim nga 250 mijë lekë të vjetra pension, ndaj e vetmja e ardhur e familjes ishte paga e vajzës sonë.

Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës me mesatare mbi 9 dhe punonte si këshilltare e kryetares së Bashkisë Roskovec. Unë, babai i saj, jam gazetar, siç e dini edhe ju.

Vetëm pse postova katër rreshta analizë për drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, vajza ime u pushua nga puna.

Natyrisht, u përdor një nga mekanizmat që keni ngritur ju: të gjithë të emëruarve politikë – dhe vetëm Zoti e di sa “politik” është një këshilltar bashkiak – u kërkohej të firmosnin dorëheqjen pa datë. Kjo u jep mundësi titullarëve ta përdorin atë firmë edhe pas muajsh apo vitesh, sipas interesit, pa mbajtur asnjë përgjegjësi ligjore.

Vajza kishte vetëm një vit pune dhe është i vetmi anëtar i familjes sime që, në 35 vite demokraci, guxoi të punonte në administratën shtetërore.

Po jua sjell këtë rast që të më ndihmoni mua dhe opinionin publik të kuptojmë: kush është më represiv, Rilindja juaj apo fashizmi i Musolinit?

Pas këtij sqarimi, unë dhe ime shoqe do t’i pranojmë me kënaqësi bonuset tuaja për të prekurit nga kanceri.

Faleminderit, nëse do të na mirëkuptoni.

Written by: WindowRadio.de

Rate it